LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zgjedhjet e 18 qershorit/Avokati i Popullit letër Haki Çakos

10 Maj 2017, 13:17, Aktualitet CNA

Policia në zgjedhje, Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, i ka dërguar një rekomandim Drejtorit të Policisë së Shtetit z. Haki Çako

Totozani: Të merren masat e nevojshme tekniko – organizative me qëllim zbatimin me korrektesë të detyrave ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe Udhëzimet e KQZ-së nga Policia e Shtetit gjatë procesit të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë

Totozani: Të vazhdoj  trajnimi me të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që do të marrin pjesë në shërbimet që do të organizohen në kuadrin e procesit zgjedhor me qëllim njohjen e tyre me detyrat dhe rolin e Policisë së Shtetit në këtë proces

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, i ka dërguar një rekomandim Drejtorit të Policisë së Shtetit z. Haki Çako,  për zbatimin me korrektesë të detyrave ligjore nga Policia e Shtetit gjatë procesit të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë

Në këtë dokument, Avokati i Popullit rekomandon:

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, në rekomandim shprehet se:

Sikurse është bërë e ditur publikisht, Presidenti i Republikës ka dekretuar zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në datën 18 Qershor 2017. Këto zgjedhje janë një ngjarje shumë e rëndësishme politike dhe sociale për vendin tonë dhe kanë vëmendjen e gjithë opinionit publik shqiptar dhe faktorit ndërkombëtar.

Sipas nenit 45/4 të Kushtetutës, vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Kjo e drejtë politike e qytetarëve e sanksionuar në Kushtetutë duhet të garantohet edhe praktikisht. Vendi ynë si shtet demokratik në kuadrin e realizimit të synimeve të tij për t?u integruar në BE, ka detyrimin të garantojë dhe respektojë parimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetari të ketë të drejtë dhe mundësi të votojë në përputhje me vullnetin e tij dhe të ketë sigurinë e votës së lirë, të fshehtë dhe numërimit të saj.

Policia e Shtetit në zbatim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë ka për detyrë që jo vetëm të garantojë rend dhe qetësi gjatë gjithë procesit zgjedhor si para, gjatë dhe pas zhvillimit të tij, por edhe të paraqesë me dinjitet vlerat e saj si garantuese e zbatimit dhe respektimit të ligjit.

Misioni i Policisë së Shtetit në këtë proces është i një rëndësie të madhe për krijimin e një mjedisi të sigurtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për ruajtjen e rendit publik gjatë tubimeve të subjekteve zgjedhore, për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore, për shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe për hetimin e veprave penale që lidhen me zgjedhjet. Prandaj është detyra e saj dhe pritshmëria e publikut që strukturat e Policisë së Shtetit të punojnë për të siguruar zbatimin me rigorozitet të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe Udhëzimeve të KQZ-së. Parimi i shtetit të së drejtës se ?Askush nuk mund të dalë mbi ligjin? duhet të udhëheq çdo punonjës të Policisë së Shtetit gjatë kryerjes së detyrave në këtë proces dhe në çdo rast të manifestojë standarde të larta profesionale, etikë dhe integritet.

Sjellim në vëmëndje se, vite më parë Policia e Shtetit është keqpërdorur nga forcat politike në pushtet për të ndikuar në zgjedhje në favor të tyre, duke deformuar rezultatin e votimeve.

Ndërkohë, kujtojmë se, pas këtyre konstatimeve dhe trajtimeve të vazhdueshme nga strukturat vendase në bashkëpunim me prezencën e OSBE-së në Tiranë, që nga zgjedhjet e vitit 2007 e në vijim, Policia e Shtetit është vlerësuar me nota pozitive për kryerjen me dinjitet dhe konform ligjit të detyrave të saj në zgjedhje të shprehura në raportet e strukturave të specializuara ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet dhe nga misionet asistuese të Policisë së Shtetit.

Ne jemi të informuar se para disa ditësh, prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe KQZ-ja në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit ka filluar trajnimin e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit në lidhje me detyrat dhe rolin e këtij organi në procesin zgjedhor dhe do të vazhdojë këtë trajnim edhe me nivelet e tjera të Policisë së Shtetit pjestarë të strukturave vendore të saj.

Ndonëse sipas nenit 4/2 të ligjit nr. 108/2014 ?Për Policinë e Shtetit?, Policia e Shtetit është e depolitizuar, por duke mbajtur në konsideratë ndonjë dyshim të shprehur publikisht nga forca të caktuara politike lidhur me ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve të strukturave shtetërore, duhen marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çdo akt të mundshëm të kundërligjshëm në procesin zgjedhor nga punonjësit e Policisë së Shtetit./CityNews

Lajmet e fundit nga