LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ilir Meta pret Nën-Sekretarin e Shtetit për Politikën e Jashtme të Italisë, Vincenzo Amendola

30 Mars 2016, 13:40, Politikë CNA

Kryetari i Kuvendit,  Ilir Meta priti Nën-Sekretarin e Shtetit për Politikën e Jashtme të Italisë, Vincenzo Amendola me të cilin biseduan për ecurinë e prioriteteve të procesit të integrimit evropian si dhe për zhvillimet e fundit në rajon.

Kryetari i Kuvendit z. Meta theksoi se partneriteti mes Shqipërisë dhe Italisë është i shkëlqyer, dhe si i tillë duhet orientuar më tepër drejt rritjes cilësisë së bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e energjisë, turizmit, bujqësisë dhe transportit detar.

Meta u shpreh se Kuvendi inkurajon iniciativat e përbashkëta ekonomike e tregtare, duke theksuar se Shqipëria e vlerëson ekspertizën dhe eksperiencën e investimeve italiane në rajon.

Nën-Sekretari i Shtetit për Politikën e Jashtme të Italisë, z. Vincenzo Amendola duke vlerësuar axhendën ambicioze të reformave të ndërmarra, shprehu mbështetjen e fortë të Italisë në avancimin e Shqipërisë dhe të të gjithë rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe nënvizoi se integrimi i plotë i të gjitha vendeve të Ballkanit mbetet një prioritet i politikës së jashtme italiane. Në këtë kuadër, z. Amendola theksoi se Shqipëria mund të mbështetet gjithnjë tek përkrahja e Italisë, si një partner tradicional i qëndrueshëm.

Në përfundim, duke evidentuar rolin konstruktiv e pozitiv të Shqipërisë në rajon, z. Meta dhe z. Amendola u ndalën edhe tek lëvizjet migratore dhe kriza e refugjatëve që ka prekur mbarë rajonin dhe kontinentin evropian, duke theksuar se Shqipëria dhe Italia qëndrojnë bashkarisht në trajtimin e kësaj krize mbarë-evropiane dhe në përballjen me sfidat e sigurisë dhe terrorizmit që cenojnë vlerat e shoqërive tona demokratike evropiane.

Lajmet e fundit nga