LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Kastriot Dervishi/Krimet e komunizmit nuk mund të fshihen pas të "dhënave personale"

3 Maj 2017, 15:51, Aktualitet CNA

Autoriteti ?për hapjen e dosjeve të Sigurimit? dhe Komisioneri për të drejtën e informimit, nënshkruan më 25 prill 2017 në Tiranë një ?marrëveshje bashkëpunimi? (sikur të ishin përfaqësues shtetesh) në lidhje me trajtimin e një pjese të dokumentacionit historik të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të dy palët i dhanë të drejtë vetes që pa referuar asnjë germë të ligjit të arkivave, të vendosin për mënyrën e konsultimit dhe shfrytëzimin e dokumenteve në fjalë. Nënshkrimi i marrëveshjes u paraqit para opinionit si mrekulli e madhe, sepse më parë ishte bërë hataja dhe tani po vihej gjendja në terezi.
Në dokumentacionin historik të Ministrisë së Punëve të Brendshme (i cili është unik dhe ligjërisht i pandashëm), por edhe në të gjitha arkivat e tjera të vendit, ka informacione që janë të dhëna personale. Kryesisht këto të dhëna gjenden në vërtetime biografike, përshkrime ngjarjesh, aktesh të sistemit gjyqësor, etj. Por, në tërësi, ky lloj informacioni është në përmasa shumë të vogla. Informacionet kryesore në dokumentacionin e MPB-së, kanë të bëjnë me diktaturën komuniste mbi kundërshtarët e saj.
Në këto 26 vite të demokracisë, rastet kur janë publikuar në shtyp apo botime të dhëna personale me citim emri e mbiemri, kanë qenë thuajse të papërfillshme, afër zeros. Pra nuk ekziston asnjë shqetësim sepse nuk jemi përpara ndonjë dukurie që ka sjellë probleme apo shkelje ligji.
Kësisoj, e lehtë fare është ta kuptojmë se çështja e ?të dhënave personale? është në të vërtetë ajo e emrave të persekutorëve, sepse përderisa flitet për ?paqtim? te të dhënat personale, kjo do të thotë se nuk kemi të bëjmë më me informacione për jetën intime dhe shëndetësore, por me emra persekutorësh. Tanimë, në kundërshtim me çdo ligj, do përpiqen të na thonë se emrat e punëtorëve operativë qenkan të atij karakteri që të quhen ?të dhëna personale?. Dihet fare mirë se shoqërinë shqiptare nuk e kanë ?armiqësuar? mes vetes të dhëna të kaluara që lidhen me informacione mbi shëmtinë, jetën intime dhe atë shëndetësore të individëve.
Dokumentacioni i mbetur që lidhet me krimet e komunizmit kanë emra persekutorësh të cilët kanë ushtruar funksione publike. Këto emra nuk mund të fshihen në asnjë lloj forme. Emrat e punëtorëve operativë, kryetarëve e zëvendëskryetarëve të degëve të punëve të brendshme, etj, si pjesë thelbësore e trupës së persekutorëve, nuk mund të trajtohen sikur janë pjesë e “të dhënave personale”. Kam pasur rastin të takoj shumë persekutorë. Më ka shtyrë kurioziteti nëse kishin ndonjë pendim në jetën e tyre apo jo. Të gjithë ishin më gjakatarë se kanë qenë në vitet e pushtetit të tyre sepse krenohen edhe sot me këto krime. Gjithmonë thonë se ?kanë bërë detyrën? dhe se po t?i japin një armë, e zbrazin atë me kënaqësinë më të madhe. Të lëshojnë e të jenë gjithnjë kokulur kërkohet gjithnjë prej viktimave. Të besosh se këta kriminelë do ?paqtohen? është vërtet guxim i madh.
Autoriteti ?për hapjen e dosjeve?, si institucion që nuk është as arkiv e as qendër studimore, i ngritur në shkelje me ligjin e arkivave, ka marrë përsipër të ndajë (shkatërrojë) dokumentacionin e një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme (duke veçuar disa nga drejtoritë e saj), në misionin e vet herë shfaqet si ndërmarrje grumbullimi, herë si komitet censure e tanimë si misionar paqeje. Autoritetit nuk ia kërkon kush të lëshojë receta për ?pajtimin kombëtar? apo sesi shkruhet apo rishkruhet historia. Autorët e krimeve të komunizmit në këto 26 vite kanë treguar me vepra se nuk duan paqtim, por vetëm tërbim, sepse viktimat e tyre i konsiderojnë ende si armiq.
Është fare e lehtë të kuptohet se po synohet që fondet arkivore, lirisht të shfrytëzueshme të pengohen me lloj-lloj formash. Çdo konsultim e shfrytëzim dokumentacioni në Republikën e Shqipërisë bazohet në dy ligje: Ligjin nr.9154, datë 6.11.2003 ?Për arkivat? dhe ligjin nr.8457, datë 11.2.1999 ?Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror?, ndryshuar me ligjin nr.9541, datë 22.5.2006″ dhe aktet nënligjore përkatëse. Nuk ka asnjë boshllëk legjislacioni shqiptar në këtë drejtim, e prandaj krijimi i Autoritetit ishte krejt i panevojshëm dhe mbivendosje institucionale.
Neni 63 i ligji nr.9154, datë 6.11.2003 ?Për arkivat? ka vendosur parimin se ?arkivat mbrojnë jetën intime të personit?, duke theksuar se të dhënat ?me karakter vetjak? në rastet kur ?cenojnë jetën private të personit?, shërbehen sipas rastit, 50-150 vjet nga data e krijimit të tyre.
Neni 3 i ligjit nr.9887, datë 10.3.2008 ?Për mbrojtjen e të dhënave personale? ka përcaktuar parimet se ç?janë ?të dhëna personale? dhe ?të dhëna sensitive?. Të tilla janë kryesisht informacione që lidhen me vetëm me informacione personale, sëmundshmërinë dhe jetën intime të personit.
Nga ana tjetër, Komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale, nuk i bën përshtypje për shembull që komunikata ditore e policisë që është informacion i klasifikuar (urdhri nr.341, datë 1 tetor 2010 ?Për listën e dokumenteve të klasifikuara sekret shtetëror në Ministrinë Brendshme?), sot shpërndahet e plotë për mediat në mënyrë më të paimgjinueshme, vetëm për faktin që të duket se po ?punon policia?. Madje, drejtues të lartë të shtetit krenohen për këtë shkelje, e cila në fakt ka qendër sulmi njeriun e zakonshëm dhe privatësinë e tij. Me këto informacione, kriminalizohet shoqëria dhe lloj-lloj njerëzisht të panjohur kanë emrin nga mëngjesi e deri në darkë për ngjarje që vetëm lajme nuk janë. Kjo shkelje privatësie me të dhëna operative (mund të jenë të paprovuara) jo vetëm që është e dëmshme, por është cenim i të dhënave personale./CityNews

Lajmet e fundit nga