LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mafio-oligarkia i nënshtroi të gjitha partitë politike

2 Maj 2017, 06:29, Aktualitet CNA

DEGRADIMI I FRIKSHËM I POLITIKËS KOSOVARE

Analistët: Pozitë e opozitë kanë interes vetëm për përfitime “Mosbërja transparente e burimeve financiare, të gjitha partitë politike kosovare i vë në të njëjtët “binarë” të financimit nga mafio-oligarkët ekonomikë”, thekson analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Mungesa e vullnetit politik për të instaluar një shtet të së drejtës, nga spektri partiak i Kosovës për këto 18 vjet pas luftës dhe 9 vjet pas shpalljes së pavarësisë, ka bërë që skena politike të bastardohet skajshmërisht, të degradohet, madje edhe të inkriminohet. Sipas analistëve, në këtë lloj degradimi nuk bëjnë përjashtim as pozita dhe as opozita e tanishme. Derisa PDK-ja , sipas analistëve, konsiderohet se është shndërruar në parti që identifikohet me hajni masovike e industriale, për LDK-në ekziston vlerësimi negativ, ngase është shndërruar në një parti që rri në një vend dhe me status -quo, ndonëse duke imituar PDK-në nuk arrijnë të shkë- puten nga klientelat e ngushta dhe të zgjidhin problemet e qytetarëve. Për VETËVENDOSJE-n është krijuar opinioni se po shndërrohet në një parti totalitare, e cila po qe se merr pushtetin si në Prishtinë, vetëm sa do t’i bashkëngjitet vjedhjes masovike si PDK-ja, si dhe do t`i ngrehin zvarrë të gjithë ata që nuk pajtohen me ta, dhe realisht shtetin ta shndërrojnë si shtetin më të degraduar e me të izoluar në botë, ngjashëm me Kubën. Sa për AAK-në dhe partinë NISMA, analistët theksojnë se nuk paraqesin shumë shpresa për ndryshime pozitive.

Sundim i uzurpuesve

Politologu Gurakuq Kuqi, nga Instituti i Pavarur për Studime Politike dhe Medie, thotë se kjo gjendje është fakt për të cilin edhe vetë bashkësia ndërkombëtare që shumë herë ia ka bërë me dije popullit që të ndryshojnë votën e tyre dhe qasjen ndaj kësaj kaste politike, por çdo herë këto thirrje kanë rënë në vesh të shurdhër dhe kasta e tanishme politike mjeshtërisht ka ditur të manipulojë me popullin qoftë me premtime dhe veprime fiktive apo gënjeshtra. ” Shumica e politikanëve ekzistues të të gjitha partive, që ishin dhe janë në pushtet, dolën si elementë që UNMIK-ut i nevojitej për të mbajtur stabilitet dhe jo për të ndërtuar demokraci. Andaj, edhe ndërtimi i tyre politik bie ndesh me shtetin e së drejtës dhe demokracinë. Manipulimi i efektshëm i popullit, nevoja e stabilitetit dhe shumë elemente të tjera u kanë dhënë mundësi që shtetin ta shndërrojnë në një uzurpokraci, apo sundim të uzurpuesve”, është shprehur ai. “Partitë udhëhiqen nga një grup i ngushtë njerëzish, të cilët veprimin e kanë shumë të gjerë që kanë krijuar klientelën e vet militantiste dhe këtë e ka bërë çdo parti, e cila ka pasur mundësi të ketë qasje në resurset shtetërore”, tha Gurakuq Kuqi për “Kosova Sot”. Ai thotë se nevojë për ndryshime të thella reformatore ka në të gjitha subjektet ekzistuese, ndonëse disa mund të përshtaten më lehtë e disa për një kohë më të gjatë. “Kur jemi tek ardhja e VV-së në pushtet me qëndrime të themi kushtimisht jo aq në pajtim me bashkësinë ndërkombëtare, atëherë kjo është deri në njëfarë mase e pamundur, dhe këtë e dinë edhe VV-ja, andaj deri më 2022 këta do të kenë shumë ndryshime që do t’u japin elemente pro-qejfeve ndërkombëtare. AAK-ja e Nisma, nëse nuk reformohen, janë vetëm disa hije politike pa ndikim të theksuar. LDK-ja akoma ushqehet me fjalën “rugovizëm”, por veprimet qeverisëse i ka të modelit të PDK-së, e kjo e fundit është një spango për të gjithë”, tha politologu Kuçi.

Partitë e mëdha, përgjegjëset kryesore

Sipas analistit politik Florim Zeqa, rrëshqitja e partive politike nga vijat programore, parimet dhe konceptet politike, ka çuar edhe në degradimin e institucioneve shtetërore, në veçanti të Kuvendit, e kulmuar me legjislaturën e fundit, e cila shtetit të Kosovës i ka krijuar imazhin më negativ të mundshëm në sytë e opinionit ndërkombëtar, duke e bërë Kosovën shtetin më të degraduar dhe më të izoluar në botë. “Përderisa partia më e madhe në vend (PDK), përveç uzurpimit dhe kapjes së shtetit, në sytë e opinionit vendor është shndërruar në parti të vjedhjes industriale të votave, partia e dytë në skenën politike (LDK), nga tradita e saj demokratike, meritokracia dhe respektimi i vlerave ka rrëshqitur në format më të ulëta të kërcënimeve dhe shantazhit politik. Me instalimin e diktaturës, shumë nga veprimtarët më të devotshëm të saj i ka detyruar të largohen nga strukturat partiake dhe anëtarësia e saj. Ndërkaq, për VV-në, si parti e ekstremit të majtë, çdo formë e totalitarizmit është e pranueshme në opinionin kosovar”, ka potencuar ia. “Partitë minore, me më pak se 10 % të votave nga zgjedhjet e kaluara nacionale (AAK e NISMA) konsiderohen me efekte të vogla në degradimin e shtetit dhe me peshën më të vogël të mëkateve ndaj qytetarëve. Pavarësisht këtyre konstatimeve, mosbërja transparente e burimeve financiare të gjitha partitë politike kosovare i vë në të njëjtët “binarë” të financimit nga mafiooligarkët ekonomikë”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Koncepti i mbrapshtë qeverisës

Analisti politik, Hidajet Ahmeti vlerë- son se partitë politike duhet të distancohen nga konceptet e tyre politike, përndryshe Kosova do të jetë një vend i pashpresë dhe do ta ketë fatin e shteteve të dështuara në rendin ndërkombë- tar. “Jam shumë skeptik se Kosova me një strukturë politike, pozitë dhe opozitë, por edhe partitë jashtëparlamentare nuk dallojnë shumë nga koncepti qeverisës, i cili është në shërbim të klientelës së tyre. Fati i qytetarëve të pashpresë mbetet në duar të vetë atyre, në njërën duke u aktivizuar dhe vetëdijesuar në baza racionale dhe konceptuale dhe duke krijuar një bllok opozitar antikrim”, ka potencuar ai. “Në njëfarë mënyre, të gjitha partitë politike kanë qenë pjesë e qeverisjes, përveç disa subjekteve politike, të cilat nuk janë testuar në qeverisje qendrore. Edhe pse qëndron ky fakt nuk mund të diskutohet se njerëzit karrieristë, të cilët kanë lëvizur nëpër parti, janë pjesë e subjekteve, të cilat nuk kanë qenë pjesë e Qeverisë qendrore, po ata njerëz të cilët kanë bërë kompromise me parime janë pjesë e partitive jashtëqeveritare”, u shpreh Ahmeti. “Gjykoj se në këtë vijë lineare politike dhe me ndërtimin e kësaj logjike të mbrapsht qeverisëse, çdo parti e re duhet t’u përshtatet rrethanave të tilla të krijuara për më shumë se një dekadë ose përndryshe do ta ketë fatin e shuarjes si parti politike”, tha Hidajet Ahmeti.

LDK-ja, si satelit i PDK-së

Analisti Faton Mehmeti vlerëson se skena politike në Kosovë është më e varfër jo nga numri i partive politike, por nga mungesa e alternativave serioze politike, dhe për këtë shkak qytetarët gjenden në udhëkryq të madh pa pikë shprese. “Duke qenë në rrjedha të tyre shohim fare mirë zhytjen e partisë më të madhe, PDK-në, në krim dhe afera të mëdha korruptive, pastaj LDK-në në një parti të cilës i ka humbur rruga në oborr-parti pa ide dhe mungesë të kreativitetit. Kjo e fundit është shndërruar në satelit të PDK-së, të cilës ia ka zgjatur jetën për t”ia mundësuar që vendit t”i shtohen aferat, të zhytet ekonomia në agoni si dhe humbje të shpresës”, u shpreh ai. “VV-ja vazhdon mos të çlirohet nga ekstremizmi, mungesa vizionit për t’i parë gjerat ashtu siç janë, të lihet anash folklorizmi dhe të ballafaqohet me idenë e realitet”, tha Mehmeti. Mbrapa janë, sipas tij, edhe AAK-ja dhe Nisma. “AAK-ja bie shpesh në kurthet e oponencës të saj politike, si dhe një parti e përfolur për kazinot-lojërat e fatit. Mossqarimi i këtyre akuzave ka bërë që edhe kjo parti të shihet me rezerva, pastaj bërja e koalicionit me NISMA-n, e cila është si flluskë sapuni që do shuhet shpejt. Lidhjet e NISMA me klanin “Pronto”, përmes saj edhe AAK-ja, kanë zbehur imazhin e saj edhe ashtu mjaft të pabesuar”, tha analisti Faton Mehmeti./Kosova Sot

Lajmet e fundit nga