LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Opozita nuk e ha karremin e pushtetit

30 Prill 2017, 12:16, Aktualitet CNA

Partitë opozitare presin që të ketë së shpejti zgjedhje

Megjithëse në opinionin publik po qarkullojnë spekulime, sipas së cilave kryeparlamentari Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i PDK-së, ka propozuar një opsion të daljes nga kriza politike, nëpërmjet riformatimit të kabinetit qeveritar, zgjerimin e tij me përfshirjen në qeveri edhe të dy partive politike opozitare, AAK-së së Ramush Haradinajt dhe Nismës për Kosovën të Fatmir Limajt, për çka nuk kundërshton as LDK-ja, këto dy subjekte politike opozitare nuk po tregojnë gatishmëri që të pranojnë një formulë të tillë kombinimi politik, që do të mundësonte ratifikimin e demarkacionit dhe funksionimin e Qeverisë me bazë më të gjerë deri në zgjedhjet e rregullta të vitit që vjen. Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, i kontaktuar nga gazeta, nuk ka mundur të japë asnjë opsion final në të cilin po punohet për të dalë nga kjo situatë, ndonëse ka pohuar që për mendimin e tij të gjitha opsionet që e zhbllokojnë procesin politik, duke përfshirë edhe një riformatim me bazë të gjerë, do të ishin opsion i pranueshëm për LDK-në, edhe pse kjo formulë nuk është diskutuar akoma mes partnerëve të koalicionit. “Unë nuk po dua të spekuloj asgjë, pasi nuk ka diçka të re, por çdo variant që është i dobishëm për shtetin e Kosovës, si variant që nuk e çon shtetin në kolaps si shtet për mua do të ishte i pranueshëm”, tha nënkryetari i LDK-së.

AAK-ja dhe Nisma mohojnë spekulimet

Pavarësisht mundësisë së hapur që mund të kenë partnerët e koalicionit për një zgjidhje të tillë, pozicionimi i opozitës është kundër një oferte të tillë të mundshme, edhe nëse ajo bëhet zyrtare. Prandaj një pozicionim i tillë i opozitës detyrimisht do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, madje me afatin më të shkurtër të mundshëm që opozita po e sheh qershorin si muaj zgjedhor, nëse koalicioni nuk arrin të sigurojë votat për kalimin e demarkacionit. “Jo absolutisht as që është duke u diskutuar ky opsion dhe as që e ka ndokush ndërmend një formulë të tillë, ne po përgatitemi dhe në bazë të simptomave që janë shumë publike po presim që javën që vjen të prishet koalicioni dhe në pjesën e parë të qershorit të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha deputeti i Nismës, Zafir Berisha.”Të gjitha përgatitjet organizative por edhe politike nëpër struktura janë duke u fokusuar në elektorat që të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Unë e di që te ne përfoljet janë diçka mjaft të zakonshme, por unë po flas me shumë kompetencë që diçka e tillë, riformatim apo kombinim të qeverisë së asaj natyre nuk do të ketë, aq më pak që kombinimi të jetë me Nismën dhe AAK-në derisa ne çdo ditë po përgatitemi me të gjitha kapacitetet për të shkuar në zgjedhje”, tha Berisha për “Kosova Sot”. Po këtë qëndrim e ka shprehur gjatë ditës së djeshme dhe nënkryetari i AAK-së, Palë Lekaj, sipas të cilit AAK-ja dhe Nisma kanë vendosur përfundimisht vija të kuqe të pakalueshme së i takon bashkëpunimit apo futjes në kombinim eventual qeverisës me PDK-në dhe LDK-në për të realizuar qëllimet e tyre të caktuara.”AAK-ja e ka treguar qartë edhe gjatë të enjtes mbrëma se qëndron me konsistencë pranë vendimit, me të cilin kemi vija të kuqe ndaj kësaj qeverie dhe nuk vjen në shprehje që në çfarëdo përpjekje të ndryshimit apo riformatimit që të jetë pjesë e vazhdimit të kësaj qeverie, AAK-ja apo edhe NISMA për Kosovën”, potencoi ai.

Spahiu paralajmëron Haradinajn

Këto kalkulime të kombinimit eventual politik të Qeverisë me formulën e riformatimit, duke i bërë ofertë AAK-së dhe Nismës, janë projekte që nuk mund të realizohen, edhe sipas vlerësimeve të analistëve politikë këtë opsion nuk e sheh zgjidhje as prof . Riza Snmaka. “Në këtë aktualitet, përderisa Qeveria gjithnjë është treguar impotente për t’i përformuar disa nga projektet kapitale të vendit, e të mos flitet për huqet e shumta të saja në të gjitha sferat e jetës socio-ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore, zgjidhja e vetme, madje më e mirë, është prishja e koalicionit dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, theksoi ai. “Përkitazi me kombinatorikat për krijimin e koalicioneve paraelektorale, e rrjedhimisht paselektorale, në këtë etapë konsideroj se nuk është oportune për të publikuar opsione të caktuara. AAK-ja veçanërisht pas kthimit triumfal të liderit të saj, Ramush Haradinaj, është forcuar dukshëm dhe si e tillë do të dalë edhe në zgjedhjet e pritshme”, tha Smaka. Ai është i bindur që Demarkacioni nuk do të votohet dhe ky do të jetë edhe një pretekst shtesë pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe jo në kërkim të formulave të tjera shpëtimtare.”Marrëveshja për Demarkacion nuk do të duhej të ratifikohej dhe me bazë mundë të llogaritet se do të dështojë, edhe nëse Qeveria do ta propozonte në Kuvend. Në anën tjetër, Marrëveshja për Asociacionin ishte kundërkushtetuese dhe me përafrimin e saj nga kryeministri aktual kanë qenë shkaktuar duzina shkelje të Kushtetutës”, tha ai. Edhe për analistin politik, një pranim eventual i ofertës së PDK-së dhe LDKsë për AAK-në dhe NISMA-n, do të ishte gabimi më i madh politik e strategjinë që do të bënin tani këto subjekte politike të deklaruara me kohë për koalicion parazgjedhor.”Nuk e besoj se Ramushi do të pranonte të futej në këtë qeveri. Do të ishte ky një budallallëk kulmor i tij. Do ta humbiste kredinë e fituar pas 4 muajsh qëndrimi peng në Francë”, tha Spahiu për “Kosova Sot”.

Temat kapitale dështuan

Një opsion i daljes nga kriza, shpëtimi në jetëgjatësi të koalicionit aktual, me riformatim përmes zgjerimit të koalicionit me subjektet e tanishme opozitare, AAK- NISMA, konsiderohet i papranueshëm dhe i pamundur edhe nga analisti Blerim Burjani. Sipas tij, zgjatja e jetës së koalicionit deri në fund të mandatit mund të bëhet vetëm nëse ndërhyn faktori ndërkombëtar për t’i pajtuar pozitën dhe opozitën. “Gjasat për të zgjeruar koalicionin janë të pamundshme, duke parasysh se edhe ky koalicion është edhe ashtu shumë i gjerë, ku janë PDK, LDK, ADK dhe Lëvizja për Bashkim. Pra nuk e besoj zgjerimin e mëtejmë, sepse edhe ashtu kjo opozitë nuk e dëshiron fare bashkimin në qeverisje, por rrëzimin e Qeverisë”, tha ai. Sipas Burjanit, as vetë opozita nuk ka lënë deri më tani fare alternativë tjetër, përderisa këtij koalicioni i mbetet vetëm deri ta zgjidhë Demarkacionin dhe Asociacionin dhe themelimin e Ushtrisë. “Në këto tri tema kapitale për politikën ndërkombëtare ky koalicion ka dështuar deri më tash dhe tani këtij koalicioni i mbetet vetëm edhe një shans që të provojë fatin, ta dërgojë në Kuvend Demarkacionin, ndryshimet kushtetuese për FSK-në dhe Asociacionin. Edhe kjo e fundit s’ka fare gjasa të kalojë, prandaj ky koalicion nuk ka shumë gjasa t’i përfundojë detyrat”, theksoi ai./Kosova Sot

Lajmet e fundit nga