LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zëri i Amerikës: Hetime dhe arrestime në radhët e policisë për narkotikë

26 Prill 2017, 17:57, Aktualitet CNA

Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi arrestime për punonjës të Policisë dhe të doganës në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës në kufi me Greqinë pas hetimeve për kalimin e një kamioni në anën greke me rreth 1.1 tonë marijuanë, mesin e shkurtit të këtij viti.

Një doganier dhe dy inspektorë policie u arrestuan ndërsa një tjetër inspektor policie, pronari dhe shofer i kamionit, janë shpallur në kërkim.

Sipas pohimeve të prokurorisë më 17 shkurt të këtj viti në një kamion me targa dhe drejtues shqiptar, është zbuluar nga ana e autoriteteve doganore në pjesën greke të Kakavijës, një sasi prej rreth 1117 kg lëndë narkotike, e dyshuar si marijuanë. Autoritete greke nuk arritën të arrestonin shoferin e mjetit, i cili sapo kishte kaluar në Doganën dhe Pikën e Kalimit Kufitar shqiptar është larguar menjëherë nga mjeti, sapo ka konstatuar se policia greke kishte zbuluar lëndën narkotike, e cila gjendej në pjesën e përparme të karrocerisë. Prej atij momenti, shoferi është larguar dhe nuk është gjetur nga ana e autoriteteve greke, të cilat kanë nisur hetimet për llogari të tyre.

Hetimet e Prokurorisë shqiptare kanë provuar se punonjësit policorë dhe doganorë, të cilët kishin plotësuar formularët e kontrollit për këtë kamion, në fakt nuk kanë realizuar asnjë kontroll. Prokuroria shqiptare thotë se ky kamion nuk i është nënshtruar kontrollit me skaner i cili sipas saj do të kishte evidentuar ngarkesën me lëndë narkotike e vendosur në një hapësirë të parapërgatitur në pjesën e përparme të karocerisë së kamionit, pasi ishte një sasi e konsiderueshme.

Po sipas prokurorisë kamioni nuk është peshuar në peshoren që gjendet në Doganën Kakavijë pasi nëse do të kryhej kjo praktikë do të dilte një peshë prej 1 ton e 147 kg dhe 423 gram më shumë sesa pesha e kamionit në dokumentat e tij. Prokuroria ka vlerësuar gjithashtu se nuk është matur gjatësia e jashtme e karrocerisë së kamionit me hapësirën e brendshme pasi diferenca midis dy gjatësive do të ishte e mjaftuashme për të kuptuar se në karoceri ka ndërhyrje.

Në pohimet e prokurorisë vlerësohet gjithashtu se “nuk është bërë kontrolli me qenin antidrogë që është i destinuar për kontrolle të tilla dhe nëse siaps prokurorisë qeni antidrogë do të ishte afruar kamionit apo të ishte futur brenda tij, nisur nga era karakteristike që ka lënda narkotike e llojit ?marijuanë? dhe sasi e konsiderueshme që ishte fshehur në kamion, me siguri rezultatet do të ishin pozitive”.

Pak kohë më parë policia shqiptare kreu 18 arrestime në Doganat dhe posta policiore të Durrësit dhe Qafëthanës pas zbulimit në Itali pak kohë më parë të dy ngarkesave me rreth 10 tonë marijuanë të transportuara nga Shqipëria.

Sasi të reja marijuane në zonat shqiptare dhe greke

Policia e Gjirokastrës tha të mërkurën se bllokoi dhjetëra kilogramë marijuanë në banesën e një shtetasi që ndodhej në emigracion, ndërsa një person u arrestua. Droga ishte fshehur në banesën e emigrantit ndërkohë që operacioni u krye nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë.

Edhe policia greke njoftoi për të paktën pesë shqiptarë të arrestuar në dy raste të transportimit të narkotikëve nga kufiri juglindor shqiptar në Greqi. Sipas Policisë greke në njërin rast lënda narkotike ishte fshehur në gomën rezervë të një automjeti, ndërsa në rastin tjetër dhjetëra kilogramë marijuanë u gjetën në pjesën e pasme të një automjeti./VOA

Lajmet e fundit nga