LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Elvi FUNDO/Të gjitha faktet si u zbulua pasuria e deputetit Alfred Peza

18 Prill 2017, 10:04, Aktualitet CNA
Nga Elvi FUNDO/Të gjitha faktet si u zbulua pasuria e deputetit Alfred Peza

Sot Gjykata vendosi masën e sekuestros për aksionet që deputeti i Rilindjes, Alfred Peza, zotëronte në emër të bashkëshortes së tij, Mirela Ndini, në bankën Credins.

Në datën 13 janar, CityNews ka publikuar ekskluzivisht pasurinë e deputetit, si dhe dokumentet e blerjes së 1% aksione nga  Z. Mirela Ndini në bankën Credins. Por, si lindi, le ta quajmë investigim apo zbardhje e një pasurie tepër të dyshimtë, të cilën ish-kolegu jonë sot e ka vështirë ta justifikojë. Pa dashur të ndjehemi fajtorë mund të themi se vërtet ka qenë shumë punëtor dhe i mirëpaguar, por në fund gjithçka duhet justifikuar, mirëpagesa duhet të jetë legale, edhe në rastin kur je gazetar dhe bëhesh deputet.

E vërteta dhe faktet

CityNews publikoi më 13 janar dokumentet e pasurisë së Alfred Pezës dhe bashkëshortes së tij. Aktin noterial të blerjes së aksioneve, por edhe deklarimet e mëparshme të pasurisë së tij si deputeti, duke shfrytëzuar një portal të financuar nga institucione ndërkombëtare. Pasuria fillimisht kishte një ?gabim? të vogël, shumës së deklaruar i mungonte një zero, gjithçka u sqarua më tej, por sërish pikëpyetjet ngelen. Dhe sot jemi përballë faktit, që deputeti i Rilindjes nuk justifikon dot sipas Prokurorisë dhe Gjykatës rreth 800 mijë dollarë.

Ngacmimi për të gjetur deklarimet e pasurisë, deklaratën noteriale dhe shumë të dhëna të tjera erdhi pas publikimit në revistën ekonomike ?Monitor?, në faqen e saj zyrtare në internet ?monitor.al?, të ndryshimeve të ndodhura në listën e plotë të aksionerëve në bankën private Credins. Në atë listë ndodhej dhe emri i z.Mirela Ndini. Ky emër më kujtoi një debat të fortë të Z. Peza, në kohën kur iu bashkua Rilindjes, me ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi Peza denonconte mëkatet e qeverisë së PD, ndërkohë që bashkëshortja e tij ishte drejtoreshë në Ministrinë e Jashtme në kohën e Berishës. Ky emër diçka më thoshte dhe më pas duke kërkuar jo vetëm në internet, por edhe pranë institucioneve shtetërore, duke mbledhur informacione në Ministrinë e Jashtme, pranë Bankës së Shqipërisë, në QKR, dhe burime të tjera, sigurova çuditërisht në një kohë shumë të shkurtër të gjithë dokumentacionin që tregonte blerjen e këtyre aksioneve dhe pasurinë e Alfred Pezës, e cila ishte deklaruar edhe pranë ILDKPKI.

Publikimi i lajmit mori dhenë, deputeti Alfred Peza reagoi jo si ish-koleg gazetar, por si një politikan i inatosur, që me arrogancë dhe fodullëk kërkonte të fshihej pas gishtit. Ai nuk ishte i akuzuar, atij i ishin publikuar disa dokumente, të cilat ekzistonin në institucionet shqiptare, por që askush nuk e kishte vënë ujin në zjarri për t?i hapur dhe verifikuar. Në publikimin e lajmit në CityNews u bashkuan me dhjetëra agjenci lajmesh, portalesh, gazetash. Me gjithë tentativën e disa eksponentëve socialistë, përfshirë këtu zyrën e shtypit të Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës, nuk u mund që lajmi të ndalohej.

Reagimi i Alfred Pezës thjesht ndezi më shumë kuriozitetin e medias. Më pas, një dalje publike e deputetit pas fillimit të hetimeve nga ILDKPKI dhe Prokuroria tregoi të vërtetën e madhe, atë që dhe ne dinim, dhe deputeti socialist e dinte, faktit që ai ka qenë i mirëpaguar, por ndoshta jo zyrtarisht dhe ky është ?mëkati? i Alfred Pezës, që sot bën që Gjykata dhe Prokuroria t?i sekuestrojnë pasurinë.
Faktin që ka qenë i mirëpaguar z. Peza e tha në një dalje mediatike, tregoi dhe disa dokumente, sulmoi dhe akuzoi. Gjithmonë jemi drejtuar me shpresën se do justifikonte gjithçka dhe kemi thënë se do kërkojmë ndjesë publike dhe do mbajmë çdo përgjegjësi, por deputeti i Rilindjes nuk kishte të njëjtën bindje si ne. Ai ndoshta e kishte ?harruar? se sa ishte paguar kur punonte si drejtues në disa media. Gjithçka filloi vetëm nga publikimi i disa aksioneve në një media, më pas një investigim i thjeshtë zbardhi gjithçka.

Pagatorët

Sot Gjykata dhe Prokuroria kanë hedhur një hap, në fakt ky duhet të jetë thjesht dhe vetëm hapi i parë. Unë besoj se problemi nuk është Alfred Peza, i mirëpaguar apo jo, në të bardhë apo në të zezë, ngelet një gazetar i djeshëm, që mënyra jo ligjore dhe pamundësia për ta sqaruar burimin e të ardhurave e çoi te ky vendim gjykate. Por problemi i vërtetë nuk është Alfred Peza, por pagatorët e tij. Problemi i vërtetë janë pronarët e mediave, të cilët paguajnë editorë dhe drejtorë me dhjetëra-mijëra euro, me qindra milionë lekë në vit. Ndërkohë, kolegët gazetarë marrin lëmosh dhe në fund të muajin nuk mbyllin dot kreditë. Problemi i vërtetë janë pronarët e mediave, klientelizmi i tyre me pushtetin, korrupsioni i tyre, lejet e ndërtimit, trafiqet e influencës, shërbesat perverse për disa grushte dollarë apo euro, ku zhyten dhe editorët së bashku me pronarët dhe drejtuesit e medias tonë tradicionale, ndërsa gazetarët jetojnë në lëmosh. Heronjtë e vërtetë janë gazetarët e terrenit, por fatkeqësisht janë më të keqpaguarit. Ata që jetojnë në zyra përfitojnë miliona, ku në të bardhë apo në të zezë, në fund nuk i justifikojnë dot.

Prokuroria nuk mund dhe nuk duhet të mjaftohet vetëm me pasurinë e Pezës, por duhet t?i shkojë deri në fund hetimit, sepse ato shuma parash kanë shkuar te z. Peza. Kur ai nuk i justifikon dot, një tjetër është burimi dhe sipas asaj që ka thënë vetë deputeti, burimi është paga e tij, si gazetar dhe drejtor i mirëpaguar. Pra, burimi janë pronarët e mediave, atje ku fillon korrupsioni, trafiku dhe gjithçka e pistë, e përzier midis pushtetit të politikës dhe medias dhe kjo është e vërteta, të cilën duhet të na e tregojë Prokuroria deri në fund./CityNews

Lajmet e fundit nga