LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Katërfishohen lejet e ndërtimit në Tiranë në tremujorin e katërt

29 Mars 2017, 14:22, Aktualitet CNA

Kryeqyteti shqiptar pritet të kthehet së shpejti në një kantier ndërtimi. Vetëm në tremujorin e katërt 2016 janë dhënë 41 leje ndërtimi në Tiranë, sipas statistikave të publikuara nga INSTAT. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, lejet janë katërfishuar. Në tetor-dhjetor të 2015-s ishin dhënë vetëm 11 leje.

Në total, gjatë vitit 2016 në Tiranë janë dhënë gjithsej 106 leje ndërtimi, me rritje 18% në raport me vitin e mëparshëm. Gjatë 2015-s, u dhanë gjithsej 90 leje ndërtimi në kryeqytet. Nga këto 64 leje u dhanë në tremujorin e dytë 2015, përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet bashkiake.

Në gjithë Shqipërinë në tremujorin e katërt janë dhënë 147 leje. Pas Tiranës, në vend të dytë është Elbasani, me 34 leje, ndjekur nga Shkodra me 23 dhe Durrësi me 16.
Sipas INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 66,7% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 33,3%.

Për gjithë vitin 2016, në Shqipëri u dhanë 455 leje. Nga të dhënat e INSTAT rezulton se pothuajse të gjitha bashkitë e kanë lëshuar dorën, teksa rritja në raport me një vit më parë është 172%.

Në Elbasan p.sh., nga 9 leje në 2015-n, një vit më vonë u dhanë 68 të tilla, në Shkodër nga 12 u dhanë 60, për të njëjtën periudhë. Në Durrës, lejet u rritën nga 30 në 49. Kukësi mban rekord në drejtimin tjetër, pasi në dy vjet nuk është dhënë asnjë leje./Monitor

Lajmet e fundit nga