Connect with Us

Nga Arian Galdini/Rilindja ble vetëm kohën dhe votat, gjithçka tjetër e plaçkit!

Aktualitet

Nga Arian Galdini/Rilindja ble vetëm kohën dhe votat, gjithçka tjetër e plaçkit!

Publikuar

-

Në mes të fushatës për zgjedhjet e qershorit 2013, kam shkruar për gazetën Panorama një analizë timen të titulluar “Kundër Rotacionit”. Pikërisht ndërsa jemi sot në këtë situatë të fundmandatit të rotacionit që ndodhi, përkundër dëshirës sime, u rikthehem të njëjtave argumenta se përse kisha të drejtë kur e kundërshtoja që në koncept e gjenezë bashkimin e më tej mundësinë e ardhjes në pushtet të dyshes Rama – Meta.

Jo pa krenari, them se asnjë argument nuk më ka rënë poshtë, përveç parashikimit tim se ata të dy nuk do të mund të fitonin. E ndoshta në parashikim kam dështuar, ngase më shumë e kisha dëshirë dhe qëndrim elektoral sesa realizëm.

Jemi në situatën kur ajo që nuk duhej të ndodhte është bërë fakt i kryer e madje ka patur gati 4 vite mandat të lehtë qeverisës.
Opozita e Lulzim Bashës i shfrytëzoi ditët e saj për ta lexuar e shqyrtuar Shumicën e pas qershorit 2013, nga të gjitha këndet e mundshme. Aq e ngeshme dukej në qëmtimin e saj Opozita, saqë shpesh të krijohej ideja se ajo i ngjante atij fqinjit tim në Vlorë që sa herë grindej me të tjerët ia niste e bërtiste: Mbamëni se do ti bëj gjëmën…

Nga njëra anë, kjo ishte edhe e natyrshme ngase Lulzim Basha më së pari duhej të njihte vetveten, më tutje duhej të njihte Partinë që kishte marë përsipër të drejtonte, paskëtaj duhej të njihte e përcaktonte drejt e qartë kundërshtarin, e më tej të kumtonte me shoqërinë shqiptare.
Për shoqërinë shqiptare, kjo kishte një të mirë, ngase Opozita në proçes vetënjohjeje dhe kundërshtarnjohjeje, i la të gjitha mundësitë dhe dyert e hapura për të prodhuar natyralisht qytetarin e vetëmbrojtjes dhe vetëngritjes civile.

Fatkeqësisht, përveç disa kohortave me aktivistë civilë, askush dhe asgjë nuk ia mbërriti ti jepte jetë nervit të lëvizjeve mirëfilli qytetare në vendin tonë. Ne këtë Protodemokracinë tonë langaraqe që kemi ndërtuar në këto 27 vite, të gjitha paratë dhe sponsorizimet financiare, publike, mediatike, vendase e ndërkombëtare që janë bërë për shumë njerëz e grupime, rezultuan dështim total. Shoqëria civile ka prodhuar baronë milionerë ose kauzistë kazuale. Njerëz të besueshëm ka aq pak saqë sfera e tyre e influencës nuk i ka kaluar kurrë numrat e bilbilenjve trembëdhjetë. MJAFTi më shumë kishte para e donacione për të paguar njerëz e administratë sesa njerëz në protesta. E bënë aq të famshme si organizatë, saqë të krijohej ideja se MJAFTi do pushtonte Ballkanin. Në fakt ata kurrë nuk i kaluan 13 vetat për protestë, nëse i bënin vetë e pa marrëveshje me Partitë Politike.

Ata ia dolën të bëhen pakica pushtuese e PS, por asnjëherë nuk u bënë më shumë se 13 vetë në protestat qytetare. E njëjta gjë ka ndodhur me çdo organizatë a strukturë tjetër civile ndër vite. Ç’ka i kishte mbytur pamëshrshmërisht shanset e organizatave dhe aktivizmit civil për tu ngritur e zhvilluar në Shqipëri, vit pas viti e mandat pas mandati qeverisës, ka qenë Opozitarizmi militar që kemi patur, i cili nuk linte as një grimë hapësire veprimi dhe ekzistence për asgjë e askënd tjetër. Modeli i Opozitarizmit që kemi patur deri në dt 23 qershor 2013, ishte gjithçkabërës. Opozita bënte edhe protesta, edhe subversion, edhe alternativën, edhe kritikat, edhe akuzat, edhe luftën, edhe paqen, edhe marrëveshjet, edhe mosmarrëveshjet, e kësisoj, gjithçka në shoqërinë shqiptare partiakëzohej, me hir a me pahir, me dashje a padashje.

Lulzim Basha si Lider i Opozitës, që në krye të herës e deri sot, dëshmoi e po dëshmon se i përket një modeli krejt të ri e thelbësisht të ndryshëm, nga gjithkush tjetër para tij.
Ai vendosi të bëjë detyrën që i takon e për të cilën është votuar si Lider Partiak dhe si Lider i Opozitës duke e lejuar qytetarin shqiptar ti eksplorojë, kuptojë dhe zhvillojë vetë, të gjitha shtigjet dhe mekanizmat e aktivizmit dhe organizimit civil.

Ndodhi më e keqja. Jo për faj të Lulzim Bashës, ose së paku jo krejt për fajin e tij. Ndodhi më e keqja sepse ne si shoqëri e si qytetarë, e kemi më të lehtë të thirremi si qokëbërës partiakë apo si të paguar, për tu mbledhur, sesa të vetëorganizohemi për tu dalë për zot halleve, punëve e çështjeve tona. Ne nuk duam të na shënohet emri askund si njerëz që e kruajmë me Qeverinë. Ne pëlqejmë të na e shënojnë emrin e së fundmi të bëjmë edhe selfie me udhëheqës partie. Me Qeverinë kruhemi, vetëm kur kemi një strehë të një partie, ku na garantohet një telefon a derë e hapur për ndonjë konsideratë, punë, tender, favorizim a zgjidhje halli nesër. Ne zgjedhim të bëhemi jo qytetarë, por hordhi militantësh partiakë, që mezi presim të rrëzojmë hordhinë në pushtet, që ti turremi ne shtetit e të bëjmë e ndajmë plaçkë. Kjo është zgjedhja jonë, kjo është edhe kultura partitokratike dhe kryetarokratike me të cilën jemi mësuar e mëkuar.

Nga ana tjetër edhe vendasit dhe ndërkombëtarët që kanë investuar në krijimin e ndërtimin e shoqërisë civile dhe aktivizmit civil, kanë dështuar edhe më rëndë, sepse i gjithë produkti i tyre është baronizim, mercenarizim dhe politizim skandaloz i të gjithë strukturave dhe individualiteteve civile.
Ndaj, tërheqja e Bashës në fushën që i përket, nuk u shoqërua nga një mbushje e hapësirës civile nga njerëz dhe organizata civile të afta për të mbledhur qytetarë. Zbrazëtinë civile e shfrytëzoi me babëzi e ligësi të hidhët, Qeveria e Mafias Estetike. Qeveria e Rilindjes në vend që lëshimin politik të bërë nga Opozita, ta shndërronte në një sfidë kulturëtransformuese edhe për mënyrën e saj të funksionimit, dmth të kthehej edhe ajo vetë në një operator realisht reformator, shtetbërës, çlirues dhe demokracindërtues, iu vërsul barbarisht hapësirës civile dhe opozitës me një axhendë të qartë pushtuese, asimiluese dhe asgjësuese.

LEXO EDHE:  “Intriga, luftë për pushtet, mosbesim dhe frikë”/ Zbulohen përplasjet në Rilindje

Batutat, ulërimat, spërkatjet me pështyma fjalimesh e fjalësh plot mllef e tërsëllimë të Edi Ramës, kundër çdo zëri a organizate politike apo civile që është kritike, opozitare apo jo e njëmendësuar me të, është shoqëruar në këto 4 vite, edhe me shpikjen e shoqërisë civile pro Reformës së Bledi Çuçit apo pro Reformës së Fatmir Xhafës, e të tilla marrëzi e fëlligështi të tjera.
Qeveria e Mafias Estetike, duke përdorur matricat e derisotme të bashkëpunimeve dhe partneriteteve ndërkombëtare, ia doli që duke përdorur jo përmbajtjen perëndimore, por thjesht fjalët kyçe, që të përfshinte edhe diplomatë e organizma ndërkombëtarë në këtë instrumentin surrogat të shoqërisë civile që mblidhet për të brohoritur a firmosur peticione pro Qeverisë, e thirrur me mesazhe e telefonata nga organizatat bazë të Partisë në Pushtet.

Nëse në fillesa e Qeverisjes së Rilindjes, kjo ishte një rënie e demokracisë që mund të pranohej e tolerohej, pas kanabisizimit total të Shqipërisë, ky zaptim i hapësirës civile nga Qeveria e Mafias Estetike, po bëhej një rrezik madhor edhe për vetë ekzistencën e Opozitës dhe Opozitarizmit në Shqipëri.

Djallëzia e instaluar në sistem, e mbështetur edhe nga paratë e drogës, e nën mbrojtjen e Pretorianëve të Krimit, të bërë deputetë e kryetarë bashkie, nuk pasqyrohej më në asnjë raport, qëndrim, konstatim apo shqetësim vendor apo ndërkombëtar.
Matrica e derisotme e partneriteteve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, ka qenë e tillë që përpos raporteve e qëndrimeve të qeverisë dhe opozitës, një zë të rëndësishëm në kapitull, kanë patur dhe kanë domosdoshmërisht personalitete dhe organizata civile.

Në një realitet kur shoqëria civile është pushtuar, blerë, sajuar, e akaparuar nga Qeveria, atëherë ajo nuk bën gjë tjetër veçse katandiset në një pavion shërbimesh kozmetike për Mafian Estetike në pushtet. Prandaj edhe nuk funksionojnë më matricat e derisotme të vlerësimit të gjendjes në Shqipëri. Asnjë ndërkombëtar nuk do të mund të shihte vërtetësisht e lakuriq një realitet ku mungon shqisa e pavarur, pra shqisa e qytetarisë aktiv. Më keq akoma madje, për çdo ndërkombëtar do të ishte pamundësi bazike qëmtimi dhe kuptimi i një realiteti kur shoqëria civile raporton më proqeveritarisht se vetë Qeveria.
Kjo është edhe arsyeja pse Çadra e Lirisë, është bërë realisht dhe simbolikisht bllokuese e Trafikut në arterien kryesore të Tiranës Politike, Qytetare dhe Ndërkombëtare.

E kështu duhet të ndodhë. Bllokimi sjell kolaps të trafikut, riorganizim e riorientim të tij, e më pas nëse është rezistent dhe afatgjatë, sjell detyrimisht nevojën për zgjidhje.
Këtë po e bën e do ta kryejë si proçes politik edhe Çadra. Qëndresa e vendosur, e palëkundur, e patundshme dhe e patundueshme nga riorganizimi dhe riorientimi i trafikut, do të mbërrijë me patjetër tek momenti i zgjidhjes sikurse edhe kërkohet nga Opozita.

Qeveria e Mafias Estetike po ble kohë. Ata duan të blejnë vota, por që të arrijnë deri aty, kanë nevojë të blejnë kohë. Për të blerë kohë Edi Rama ndërroi 4 Ministra. Për të blerë kohë Rama dhe Meta kanë rifilluar lojën e policit të mirë dhe policit të keq, ku mes urrejtjes dhe dashurisë riformulojnë bashkëpunimin e përpiqen të riorganizojnë e riorientojnë “Trafikun”.
Janë të qartë Qeverisësit tanë te Mafias Estetike. Ata e dinë se u duhet të blejnë vetëm kohën që të kenë mundësi të blejnë votat. Përndryshe, gjithçka tjetër, ata e pushtojnë, tjetërsojnë, zhbëjnë, asgjësojnë ose e plaçkisin.

Ndaj Opozita nuk ka sesi të tërhiqet nga qëndresa e saj. Çadra e Lirisë do të sjellë pa asnjë mëdyshje ose rimatricimin e vlerësimeve për Shqipërinë, e për rrjedhojë fitoren e madhe të qytetarëve shqiptarë nëpërmjet krijimit të Qeverisë Teknike dhe garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ose ngritjen e flamurit të Mafias Estetike në pushtet edhe mbi Selinë e Opozitës.
Edi Rama do të bjerë. Mafia Estetike do të bjerë. Qeveri Teknike do të ketë. Dhe këtë e them dhe theksoj me bindje, në shqip dhe anglisht.
Ky nuk është parashikim, por e vetmja zgjidhje./CityNews

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

Këshilla-Si të mbroni veten dhe familjen tuaj nga tërmetet

Publikuar

-

Për dallim nga llojet e tjera të fatkeqësive natyrore, tërmetet mund të ndodhin në çdo kohë, pa ndonjë njoftim. Të jesh i përgatitur për një tërmet do të bëjë ndryshimin në aftësinë për të mbrojtur veten, familjen ose shtëpinë tënde në rast të tërmetit. Vazhdoni të lexoni për të mësuar se si të përgatisni shtëpinë dhe familjen tuaj për një tërmet, si dhe çfarë të bëni gjatë dhe pas tërmetit për të qëndruar të sigurt.

Çfarë të bëni gjatë një tërmeti

Tërmetet mund të godasin krejt papritur dhe pa paralajmërim. E rëndësishme është që që në dridhjen e parë të merrni masa mbrojtëse.

Gjeni strehë në vendin më të afërt

Nëse ndodheni jashtë, gjeni strehë ku të mundeni por mos u fusni brenda.

Nëse jeni në zyrë a shtëpi, gjeni strehë në një vend të sigurt ku të jeni të mbrojtur nga gjërat që bien.

Mos lëvizni prej andej deri sa tërmeti të ketë ndalur.

Strehohu, mbulohu dhe mbahu fort

Që në goditjen e parë futuni nën një mobilje siç mund të jetë tavolina dhe qëndroni aty.

LEXO EDHE:  Denoncim/ Veliaj kërcënon avokatin Altin Goxhaj

LEXO EDHE:  Arian Galdini:LDE gati për zgjedhjet lokale

Mos u fusni poshtë krevatëve apo dollapëve të lartë që mund të shemben.

Mbuloni kokën dhe sytë mbajini mbuluar për t’u mbrojtur nga objektet fluturuese ose ato që bien.

Me njërën dorë mbuloni kokën dhe me tjetrën mund të mbaheni në një cep të mobiljes nën të cilën jeni strehuar.

Nëse mobilja lëviz, lëvizni bashkë me të.

Qëndroni nën të deri sa të jeni të sigurtë që goditjet kanë mbaruar.

Nëse nuk qëndroni dot nën pragun e derës apo nën një mobile, qëndroni pranë një shtylle të brendshme të shtëpisë dhe mbroni kokën dhe qafën.

Pragu i Derës

Pragu i derës është një nga më të fortat e të gjithë pallatit apo godinës.

Në prag duhet të përpiqeni të mbani këmbët hapur për të ruajtur ekuilibrin, të mbështeteni në njërën anë dhe me krahë të mbani fort derën./

CNA.al

SHPERNDAJE KETE MATERIAL INFORMUES

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Termet i frikshem ne Shqiperi

Publikuar

-

Nga

Nje termet 5.8 balle ka goditur Shqiperine 32 km larg Tiranes, ne detin Adriatik.

Njoftohen deme materiale dhe panik tek njerzit qe kane dale ne rruget e Tiranes.

Lekundjet jane ndjere te forta  ne Tirane, Elbasan, Durres. Korce, Fier etj…

Njoftohen deme materiale…vijon

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Provokimi i Mustafa Nanos: Duhet të jemi më racionalë me Enver Hoxhën

Publikuar

-

Nga

Këtë verë, libri i Isuf Kalos “Blloku” ka bërë jehonë të madhe. Libri është një dëshmi e njeriut, i cili ka qenë pranë ish-diktatorit Enver Hoxha për vite me radhë, duke qenë se ishte doktori i tij personal. Megjithatë, “Blloku” i Kalos ka marrë shumë kritika.

Në monologun e kësaj të premteje në emisionin “Provokacija”, gazetari Mustafa Nano ndalet pikërisht tek ky libër. Ai thotë se mënyra se si Isuf Kalo ka folur për Enver Hoxhën është e pakuptueshme dhe e pafalshme për shumë njerëz.

 

 

Sipas tij, Kalo e ka nxjerrë diktatorin si tepër human, baba të devotshëm, bashkëshort të mirë dhe si një politikan serioz. Edhe pse ka një mendim tjetër për Enver Hoxhën, Nano thotë se “Blloku” është një dokument historik i rëndësishëm, për të cilin në të ardhmen shumë njerëz do jenë të kënaqur që ekziston.

“Më duhet të them se as mua nuk më puqet Enver Hoxha i Kalos me Enver Hoxhën që unë njoh. E megjithatë nuk jam dakord me ata që sulmojnë Isuf Kalon. Blloku i tij mund të ketë provokuar shumë vetë, ndoshta ndokënd edhe mund ta ketë lënduar por, përtej të gjitha shijeve e ndjesive individuale, ky libër është një dëshmi interesante për kohët e komunizmit. Pas 50 vjetësh askush nuk do të kujtohet ta sulmojë Isufin për anëmbajtje apo empati për të ligun. Të gjithë do jenë të kënaqur që kjo dëshmi është dhënë. E që është dhënë në mënyrë të sinqertë. Blloku është një dokument historik i rëndësishëm”, thotë Nano.

Por moderatori i “Provokacijas” thotë se ka bërë edhe një vëzhgim të fundit. Sipas tij, tashmë që jemi 30 vite pas përmbysjes së komunizmit, duhet ta gjykojmë në mënyrë më racionale diktatorin Enxer Hoxha.

Sipas tij, nuk duhen thënë thënë deklarata të panevojshme që e shndërrojnë figurën e Hoxhës si bartës të të gjitha të këqijave dhe veseve të botës.

Nano merr shembull librin e Ylljet Aliçkës në librin e tij më të fundit, ku thuhet se një grua e dënuar me vdekje u fut e gjallë në dhé. Kur fshatarët i bënë gropën u lemerisën teksa dëgjonin rënkime të dala nga thellësia e tokës.

Përshkrime të tilla na ndihmojnë të nxjerrim dufin ndaj diktatorit, por nuk na ndihmojnë për të kuptuar se kush ishte në të vërtetë ai, thotë Nano.

 “Kam vënë re që ca e ca vijojnë të flasin për Enver Hoxhën ashtu si kanë folur një ditë pas përmbysjes së regjimit të tij, domethënë duke shtënë në punë veç mllef, urrejtje, neveri, apo ku di unë. Kur bëhet ky diskutim, njerëz të tillë, që rëndom kanë edhe përvoja personale vuajtjesh e persekucioni, përpiqen ta likujdojnë Enver Hoxhën si personazh të historisë thjesht duke thënë se ai ishte një maskara, qen e bir qeni, një armik i popullit të vet, një tradhtar, etj, etj. Unë mendoj se 30 vjet pas rënies së komunizmit mund të jemi pak më racionalë. Dhe të jesh racional nuk do të thotë të mohosh që ai ka qenë një diktator. Jo, kjo gjë tanimë është e dokumentuar. Edhe komunisti më budalla, thellë-thellë, bie dakord se Enver Hoxha ishte një diktator.

Të jesh racional do të thotë të mos thuash mufka që synojnë panevojshmërisht ta shndërrojnë figurën e Hoxhës nga katran në katran me bojë, që e nxjerrin atë si bartës të gjithë të këqijave apo veseve të botës, që e nxjerrin atë edhe pervers, pedofil, manjak seksual, vrasës manjak. Ah, se harrova, edhe homoseksual. Sepse dihet se çfarë mendojnë shqiptarët për një homoseksual.

Të jesh racional është edhe të mos thuash, siç thotë Ylljet Aliçka në një libër që sapo e ka publikuar, që një grua u dënua me vdekje thjesht se Enver Hoxha donte ta kishte si të dashur dhe se ajo i tha “jo”. Për këtë “krim”, ajo u fut në dhé e gjallë. Madje, fshatarët e zonës, ku kësaj gruaje i bënë gropën, u lemerisën teksa dëgjonin ca rënkime të dala nga thellësia e tokës, që ishin rënkimet e kësaj gruaje duke dhënë shpirt. Tani, gjatë regjimit të Enver Hoxhës ka pasur pa fund drama e tragjedira humane. Kjo nuk diskutohet, siç nuk diskutohet që fajtori kryesor për ato ka qenë Enver Hoxha. Ne mund të stisim edhe tragjedira të tjera në një roman fiction. Por mund t’i vëmë pak fré fantazisë dreqi ta hajë! Një njeri që futet i gjallë nën dhé nuk ka se si të rënkojë. Aq më pak ka gjasa që rënkimet e saj të jenë dëgjuar nga fshatarët e lemerisur. Sepse do të ketë dhënë shpirt shumë kohë para se toga e varrmihësve apo xhelatëve të kenë mbledhur rraqet e të jenë larguar. Le ta themi copë: Përshkrime të tilla na ndihmojnë të nxjerrim dufin ndaj diktatorit, por nuk na ndihmojnë për të kuptuar se kush ishte në të vërtetë ai”, u shpreh moderatori i “Provokacijas”./abcnews.al

LEXO EDHE:  Arian Galdini: Videot e vjedhjes së votave të PDIU, skandal. Numëruesit në burg. Idrizit t’i jepet mandati

LEXO EDHE:  “Intriga, luftë për pushtet, mosbesim dhe frikë”/ Zbulohen përplasjet në Rilindje

 

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: