LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Bastardët e politikës së inkriminuar detyrojnë popullin ta braktisë Republikën

24 Mars 2017, 07:21, Aktualitet CNA

Pakica qeveritare në dy nivelet e pushtetit të inkriminuar u stërpasurua, shoqëria u varfërua dhe u dekurajua,shkruan gazeta Kosova Sot.

“Si rezultat i këtij mjerimi të përgjithshëm, sot çdo i dyti i ri mendon se si ta bëjë një zgjidhje drejt vendeve perëndimore. Kosova, si shoqëri, po humb ngadalë premtimin për zhvillim dhe prosperim, moshën rinore, e cila si rezultat i politikës klienteliste dhe joqytetare detyrohen të marrin në sy botën”, theksoi analisti Arsim Haziri

Humbja graduale e besimit të qytetarëve te subjektet politike që po qeverisin me vendin, për gjithë këto 18 vjet të pasluftës, sipas njohësve të rrethanave, është bërë tepër shqetësuese për Kosovën. Rënia e besimi në këtë skenë politike të degraduar e të bastarduar flet për atë se qytetarët e kanë shumë problem ta veçojnë ndonjë parti, e cila nuk është e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Edhe vetë ambasadori britanik është shprehur se qytetarët nuk duhet të votojnë të korruptuarit e kriminelët, por njerëzit e pastër, që do t’u shërbejnë atyre si qytetarë. Po problemi është se ku të gjenden figurat e pastra të papërlyera me krimin e organizuar dhe korrupsionin? Analisti politik, Florim Zeqa thotë se mbetet shqetësuese dhe fakti i rënies së imazhit të Kosovës jo vetëm te qytetari i zakonshëm brenda shtetit, por edhe karshi faktorit ndërkombëtar, shkaku i nivelit të lartë korruptiv dhe kriminalitetit në rritje e sipër. “Në anën tjetër, si pasojë e klasës politike të korruptuar kemi rënie të besimit të qytetarëve në partitë politike. Sa më shumë afrohet afati i zgjedhjeve komunale në vjeshtë, aq më e paqartë mbetet situata në mesin e qytetarëve, pra qytetarët e kanë të vështirë të ndajnë ndonjë parti, e cila nuk është e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin, ngase të gjitha, pa dallim, në pushtet apo në opozitë, në këtë punë të ndyrë bëjnë gara se kush do të përfitojë më shumë në pushtetin lokal dhe atë qendror. Aq shumë janë korruptuar dhe kriminalizuar krerët e lartë partiakë, saqë qytetarët e kanë të vështirë të përcaktohen edhe për politikanët veç e veç, ngase në opinionin qytetar (me të drejtë) është krijuar bindja se të gjithë politikanët janë bërë të njëjtë; hajna, mashtrues, intrigantë të pabesë dhe tradhtarë”, potencoi Zeqa.

Listat duhen pastruar

Sipas prof. Muhamet Kelmendit, humbja e besimit qytetar në këtë skenë politike lidhet drejtpërdrejt me mungesën afatgjate të dekriminalizimit të politikës, që vazhdon të jetë akoma një ndër problemet më madhore të shtetit tonë. “Në Kosovë kemi pasur dhe kemi një ligj, i cili tregon faktet se kur dhe si mund të kandidohen për pushtet, qoftë lokal, qoftë qendror, kandidatët e partive politike. Baza është dënimi i plotfuqishëm si fakt i mënjanimit nga lista e të dënuarve si kandidatë. Mirëpo, e keqja është se mu ky ligj, tash e 9 vjet, madje edhe në kohën e UNMIK-ut, nuk është respektuar”, ka thënë ai. ” Atëherë, nën pushtetin e UNMIK-ut me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, si dhe pas shpalljes së pavarësisë, nga PDK-ja si udhëheqëse në koalicione, nuk është shkuar nga spastrimi i listave të kandidatëve, por janë pranuar dhe zgjedhur në nivel komunal kryetarët dhe asamblistët e penalizuar, derisa në nivel qendror, deputetët dhe ministrat e zëvendësministrat, të cilët kanë qenë në ndjekje dhe edhe më të rëndë, nën hetime, por madje edhe të dënuar me aktgjykim. Krejt kjo është bërë me qëllim të karakterit karrierist, fitimprurës dhe grupor, deri edhe te ndonjë qëllimi tjetër, prej nga udhëheqësit e partive politike në konkurrencë për pushtet nuk i kanë mënjanuar kandidatët dhe natyrisht, korrupsioni dhe krimi ka lulëzuar, kuptohet në të dy nivelet”, tha Kelmendi. Mbetja e të penalizuarve ose në ndjekje nëpër listat zgjedhore, sipas tij, ka bërë që një shumicë e konsiderueshme qytetarësh të abstenojë nga zgjedhjet. “Kjo çështje është bërë shkak që të abstenohet nga zgjedhjet. Në të gjitha zgjedhjet, qoftë lokale, qoftë te përgjithshme, përveç zgjedhjeve të para të pas luftës, kurrë më nuk kemi pasur pjesëmarrje mbi 45 % të votuesve të regjistruar. Kjo tregon se kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë rreth 50% apo më tepër e votueseve që nuk kanë shkuar në votime. Ky fakt më së miri e pasqyron humbjen drastike të besimit qytetar në raport me partitë politike”, potencoi Kelmendi.

“Kjo politik e papërgjegjshme dhe zhgënjyese për popullin kosovar përbën argumentin më të arsyeshëm dhe më të qëndrueshëm pse një i ri nuk mund të qëndrojë në Kosovë. Pra, Kosova shquhet si shtet i paperspektivë, shtet i cili nuk i plotëson kushtet relevante për jetesë dhe edukim”, tha Arsim Haziri

Të gjithë duan të ikin

Edhe analisti politik, Ali Hertica konsideron se rënia e besimit te qytetarët, qoftë për pozitën apo opozitën, flet për fillimin e degradimit të skajshëm të demokracisë shumëpartiake. “Tani edhe shprehja kritike e ambasadorit britanik është shumë e saktë dhe evidente me gjendjen reale të situatës së shoqërisë sonë. Edhe unë si vëzhgues i zhvillimeve në këtë skenë politike do të kisha përçuar mesazhin e fuqishëm që më kurrë të mos votohet asnjë fytyrë e çoroditur e skenës politike, dhe tani t’i themi stop jetës luksoze mbi bazën e vjedhjes dhe të plaçkitjes së shtetit nga ata politikanë për të cilët duhet të vijë në shprehje ndëshkimi me votim, derisa dorëheqja morale para qytetarit dhe përgjegjësia para ligjit janë dy mungesa të mëdha në kulturën akoma të pandërtuar të lidershipit politik kosovar”, tha Hertica. Politologu Arsim Haziri, humbjen e besimit qytetar në këto parti politike e ilustron me faktin që, sipas tij, për pasojë të kësaj klase politike, Kosova është një nga vendet më të pazhvilluar në botë dhe nuk garanton as minimumin e një perspektive jetë- sore. “Si rezultat i këtij mjerimi të përgjithshëm, sot çdo i dyti i ri mendon se si ta bëjë një zgjidhje drejt vendeve perëndimore. Kosova, si shoqëri, po humb ngadalë premtimin për zhvillim dhe prosperim, moshën rinore, e cila si rezultat i politikës klienteliste dhe joqytetare detyrohen të marrin në sy botën”, theksoi Haziri./Kosova Sot

Lajmet e fundit nga