LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Qeveri teknike, Edi Rama tërhiqet

19 Mars 2017, 11:57, Aktualitet CNA

Një muaj pasi Partia Demokratike ngriti çadrën në Bulevard dhe nisi kriza politike qëndrimet mes palëve kanë ndryshuar. Ideja e qeverisë teknike, e cila fillimisht u duk si tabu dhe e papranueshme nga mazhoranca, tani është temë kryesore e diskutimit mes palëve politike dhe ndërkombëtarëve.

Sinjalet janë dhënë me kohë, por dje kreu i PD-së, Lulzim Basha ishte më i qartë kur foli se qeveria teknike është shumë afër. Ndërkohë, kreu i LIBRA ish-socialisti Ben Blushi konfirmoi dje se pakti PS-PD për qeverinë teknike është arritur. Blushi tha se në javët në vijim pritet që publikohen dhe detaje lidhur me mënyrën sesi është arritur kjo marrëveshje për qeverisjen e forcave kryesore. Por pakti kryesor që është bërë mes palëve lidhet me reformën në drejtësi. Sipas Blushit, mazhoranca ka rënë dakord për qeverinë teknike, në këmbim të votave të opozitës për të kaluar vetingun dhe ligjet e mbetura të reformës në drejtësi. Po këtë gjë e deklaroi dje nga Shkodra edhe lideri i ?Zgjidhja? Koço Kokëdhima, i cili shtoi se ndërsa Rama ka pranuar dorëheqjen , por insiston që zgjedhjet të zhvillohen me datë 18 qershor, ana tjetër pra PD kërkon që zgjedhjet të bëhen në vjeshtë që ti jepet mundësi qeverisë teknike për të përgatitur kushtet për zgjedhje të lira.

Nga LSI-ja forca kryesore pas PS-së në qeverisje, mesazhet që vijnë janë ato të konsensusit dhe jo bojkotit apo përplasjes politike. Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili deklaroi dje se ishte kundër ultimatumeve në politikë dhe bëri apel për uljen e palëve në bisedime. Vasili tha se reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore kërkojnë uljen e palëve në dialog dhe gjetjen e zgjidhjeve. Pra mes rrjeshtave të Petrit Vasilit lexohet se qeveria ka rënë dhe po negociohet e duhet të vazhdojnë tratativat me konsensus, pa presion.

Ndërkohë nga kampi i Partisë Socialiste nuk ka konfirmim për këtë skenar, por vetëm qëndrime të padeshifrueshme dhe paksa kaotike. Ajo që Rama ka thënë me siguri këto ditë është vetëm se zgjedhjet do të zhvillohen brenda afatit kushtetues me 18 qershor. Praktikisht, Partia Socialiste po shkon drejt zgjidhjes së krizës me qeveri teknike. Kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar jo vetëm zgjedhjet e ardhshme, por edhe reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, zgjedhjen e presidentit dhe vetë stabilitetin e vendit.

Takimet e fundit mes ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe Ambasadorit amerikan me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së Lulzim Basha kanë qenë pikërisht në këtë linjë. Zgjidhja me optimale për t?i dhënë fund krizës politike është qeveria teknike. Sepse kriza nuk është vetëm çadra e PD-së prej 1 muaji në mes të bulevardit, por bllokimi i gjithë sistemit të drejtësisë dhe rreziku që zgjedhjet të kthehen në një problem real për demokracinë dhe bllokimin e procesit të integrimit. Dhe për më keq, drejt një kaosi social dhe konflikti fizik mes palëve.

Cilido qoftë vendimi përfundimtar i Partisë Socialiste, Edi Rama po jep shenjat e një lideri të përgjegjshëm. Hyrja në negociata, edhe sekrete, është tregues i një politikani që e kupton rrezikun real që i kanoset jo vetëm qeverisjes, por interesave të vendit. Kritikat për këtë marrëveshje nuk do të mungojnë edhe nga grupet brenda PS-së për Ramën, duke e akuzuar si shumë tolerantë përballë kërkesave të opozitës. Sigurisht, opozita në qëndrimet e saj një mujore nuk ka pasur të drejtë për çdo gjë, por në fund, si rregull është pushteti ai që toleron dhe lëshon nga qëndrimet e tij. Nëse Rama arrin një marrëveshje të tillë, përfitimi politik do të jetë më i madh sesa ecja me qorrazi drejt një krize ku nuk fiton askush. Kjo është jo vetëm një mënyrë për të kthyer normalitetin politik, por edhe për të treguar se Qeveria është për marrëveshje dhe jo tensione politike.

Rreth kësaj çështje duhet të ketë qenë dje takimi Rama-Meta në pikë të mëngjezit, kur edhe gjelat nuk ishin zgjuar nga gjumi. Më pas nga dreka burimet kryeministrore tregojnë se kanë filluar zbrasja e disa orendive personale nga zyra e kryeministrit si dhe po mendohet për të hequr pikturat e grafikat nga zyra e Ramës, sepse kryeministri i ri nuk do jetë artist. Mendohet se do jetë nga fusha e shkencave ekzakte. Mundet edhe ish-president./Nga Qami Xhani – Koha Jonë

 

Lajmet e fundit nga