LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sistemi i drejtësisë, i kalbur deri në rrënjë

14 Mars 2017, 07:14, Aktualitet CNA

DREJTËSIA TË RINISË PREJ ZEROS

“Degradimin e sistemit të drejtësisë e kanë bërë të tillët që s’e kanë vendin assesi brenda këtij sistemi dhe të korruptuarit e të inkriminuarit, gjyqtarë e prokurorë, që janë abuzuesit dhe trafikantët e drejtësisë”, tha analisti Naim Kelmendi

Shumë vjet shkuan dëm në gjykata dhe prokurori

Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë thonë se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të ribëhet dhe të ngrihet nga e para, derisa, sipas tyre, këtij sistemi iu dha e mbrapshta e parë në kohën e UNMIK-ut me përfshirjen e gjyqtarëve ish-UDB-ashë, që kanë gjykuar shqiptarët për nacionalizëm dhe për rrjedhojë deri më sot nuk ka mundur assesi që të ndërtohet një sistem kredibil, ku do të sundonte ligji dhe e drejta, e jo trafikimi dhe gjyqtarët “mbi ligjin”. Ndaj është shtruar edhe çështja se çfarë duhet bërë që ky sistem të reformohet në themel dhe a është e vetmja reformë në drejtësi ‘VETTINGU’ i ngjashëm sikur në Shqipëri dhe përse po humbet koha, kur një përvojë e tillë do të duhet të merrej menjëherë? Deputeti Ismail Kurteshi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se shqiptarëve në përgjithësi në Kosovë i shkuan gjenerata të tëra duke filluar përherë nga fillimi, ngase thuajse përherë në fillim jemi. “Andaj, mendoj se gjyqësia në Kosovë kërkon një korrigjim, d.m.th një riorganizim, derisa do duhej të ndodhte diçka e tillë si në Shqipëri, ani pse me vështirësi po ecën puna edhe atje për ‘Vettingun’, por natyrisht se ajo duhet të ndodhë në kushtet kur ata që e bëjnë vlerësimin vetë janë të pastër dhe janë të interesuar që vërtet në organet e gjyqësisë të sjellin njerëz të ndershëm, njerëz të cilët veprojnë bazuar në ligj dhe të cilët nuk janë servilë të politikës, e cila ka arritur që deri tash pjesën më të madhe të njerëzve, që janë të përfshirë qoftë në gjyqësi, prokurori, pra në të gjitha këto organet e drejtësisë t’i fusë nën ndikimin e vet”, u shpreh ai, shkruan gazeta Kosova Sot.

Në sitë të gjithë gjyqtarët e prokurorët

Sipas Kurteshit, në sistemin e drejtësisë do të duhej të jenë njerëz që janë kredibilë dhe që kanë dinjitet e identitet të tyre dhe që punës së tyre profesionale i kushtojnë rëndësi më shumë sesa që mund të frikohen nga ata, të cilët edhe po vendosin shpeshherë për fatin dhe pozitat e njerëzve të caktuar. “Pra, mendoj se është shumë më mirë që ndonjëherë edhe të humbësh si profesionist sesa të avancohesh si një servil, sepse përveçqë e humb kredibilitetin tënd si njeri, u bën dëm edhe institucioneve. Pra, jam që të ndodhë një riorganizim dhe të verifikohet puna dhe biografia e secilit që ndan drejtësi për të tjerët”, është shprehur deputeti Ismail Kurteshi. Analisti Naim Kelmendi thotë se që në kohën e administratës së UNMIK-ut në sistemin e drejtësisë janë instaluar gjyqtarë e prokurorë që kanë qenë pjesë edhe në ish-sistemin e Serbisë, e të cilët edhe me ligje të Serbisë kanë gjykuar dhe dënuar shqiptarët, derisa kësisoj, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk do të duhej që të njëjtit ta kishin vendin edhe në sistemin e drejtësisë së Kosovës së lirë. “Por, mbase nga këta gjyqtarë dhe prokurorë ka mjaft që edhe sot ushtrojnë detyrat e tyre brenda sistemit, derisa kjo është fatkeqësi për vetë sistemin e drejtësisë me këta njerëz, që s’do të duhej në asnjë mënyrë të ishin pjesë e sistemit të drejtë- sisë së Kosovës”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi.

‘Vettingu’, reforma e domosdoshme

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, mendon se gjithsesi duhet një reformim i mirëfilltë në këtë drejtim, ngase, siç tha, reformim të mirëfilltë nuk ka pasur asnjëherë në gjyqësi dhe drejtësi. “Gjendja e Gjyqësorit dhe e drejtësisë tek ne me këtë zhvillim të këtyre dy dekadave nga 99-ta e këndej në fakt asnjëherë si proces avancues nuk ka arritur as me veprimet e administratës së UNMIK-ut dhe shtyllës së drejtësisë dhe as pastaj pas pavarësimit të sistemit dhe nxjerrjes së ligjeve tona, me të cilat pastaj janë aktualizuar dhe aktivizuar edhe institucionet e pavarura, të paktën dy sosh siç është KGJK-ja dhe KPK-ja, pastaj inspektorati dhe organet disiplinore si të pavarura, ndihma teknike dhe ligjore përmes EULEX-it, etj., që janë dhënë nga e gjithë bota veçanërisht nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, nuk kanë ndihmuar ende mjaftueshëm që ta nxjerrin Gjyqësorin nga një gjendje amullie, një gjendje joefikase gati amorfe, e cila në fakt krijon probleme të mëdha edhe në moszgjidhjen e lëndëve, por edhe probleme të tjera me përgjegjësi, drejtësi selektive, etj.”, ka vijuar më tej ai. Prandaj Baraliu ka thënë se marrë parasysh këto duhet një reformë rrënjësore, derisa mbase modeli më i mirë është ngjashëm me ‘Vettingun’ në Shqipëri, në mënyrë që, siç tha, “thjesht edhe duke filluar nga procedurat e rekrutimit të bartësve të funksioneve në drejtësi dhe gjyqësi e deri tek performaca, kontrolli, mbikëqyrja, përgjegjësia e gjithë atyre që sukseset dhe rezultatet e punës të jenë të matshme dhe të kontrollueshme vazhdimisht nga institucionet e pavarura që përmenda më sipër dhe parlamenti pse jo”./Kosova sot

Lajmet e fundit nga