LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Drejtësia e blerë nga të fortët

13 Mars 2017, 07:45, Aktualitet CNA

MITMARRJA NË PROKURORI E GJYQËSOR NUK ËSHTË VETËM PERCEPTIM

Analisti Shefqet Dibrani thekson se njerëzit nga politika dhe grupet e pasura kanë mundësi të ndëshkohen më pak, pasi ato privilegjohen nga mundësia e pagesës që ua bëjnë avokatëve, të cilët as pesë para nuk i japin, nëse bëjnë mirë apo keq, kur e mbrojnë një klient, për të cilin kanë informacione se ka bërë krim politik dhe ekonomik

Kelmendi: Drejtësia duhet të shkëputet nga ndikimet e mafio-politikës

Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë thonë se tashmë shihet qartë se ata që kanë të holla shpëtojnë dhe fitojnë nëpër procese gjyqësore, ndërsa humbin dhe dështojnë të dëmtuarit, nga e cila është pjesa dërmuese e shoqërisë. Sipas tyre, ky realitet i përditshëm e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje, e cila po kontrollohet nga grupe të interesit që drejtojnë politikën e sotme. Pra, në një sistem ku mitmarrja (ryshfeti) është alfa e omega për të ndarë drejtësi. Nga ky sistem nuk drejtësi për qytetarët e rëndomtë që nuk ofrojnë mitë. Prandaj, me të drejtë mund të thuhet se korrupsioni në drejtësi nuk është vetëm çështje perceptimi, por realitet i përditshëm për të gjitha palët e dëmtuara pa ligj që po e shkatërron për çdo ditë këtë shoqëri dhe së bashku me këtë vijnë edhe ndikimet e fuqishme të politikës në këtë sistem që e ka bërë atë të heshtur e të trafikuar përballë paligjshmërive të përditshme në vend. Por, përse autoritetet e BE-së janë më pak ngulmuese në rastin e Kosovës sa i përket pastrimit të Gjyqësorit nga njerëzit e korruptuar, apo kjo vjen si rezultat se Kosova ende është larg proceseve integruese? Analisti Shefqet Dibrani në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se mitmarrja ose siç është e njohur në popull ryshfeti është plagë e vendeve të Ballkanit, sepse mitmarrja është shumë e theksuar edhe në Maqedoni, Greqi dhe Serbi, pa të cilën tradicionalisht nuk është kryer si dihet ndonjë punë, madje siç tha as kontrollet mjekësore në Spitalet e Shkupit. Por, shqetësuese, sipas tij, është se kjo mitmarrje ka shënuar ç’thurje të dukshme, duke dalë nga kontrolli, gjë që për një sistem të drejtësisë duhet të jetë e papranueshme. “Tashmë shihet se ata që kanë të holla shpëtojnë dhe fitojnë nëpër procese gjyqësore, kurse humbin dhe dështojnë të dëmtuarit nga e cila është pjesa dërmuese e shoqërisë. Ky realitet i përditshëm e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje, e cila po kontrollohet nga grupe të interesit që drejtojnë politikën e sotme. Madje, lihet përshtypja se dënimet dhe ndëshkimet i bën dikush nga lart, nga strukturat e politikës, ndërsa gjykatësit vetëm i miratojnë duke i lustruar e rregulluar për t’i shqiptuar pastaj si vendime të veta, çka do të thotë se politika ka ndikim të fuqishëm në tërë sistemin e drejtësie në Kosovë”, ka vijuar ai.

Njerëzit nga politika privilegjohen me pagesa kundrejt avokatëve

Ndërsa sa i përket asaj se pse autoritetet e BE-së janë më pak ngulmuese në rastin e Kosovës sa i përket pastrimit të gjyqësorit nga njerëzit e korruptuar, Dibrani në këtë drejtim thotë se sistemi i Bashkimit Evropian i privilegjon të pasurit duke u krijuar grupeve të fuqishme ekonomike të mbrohen më kollaj sesa palët e dëmtuara që vijnë nga shoqëria qytetare. “Kur jemi këtu, fare lehtë shihet një qëndrim amerikan më ndryshe nga ai evropian, sepse amerikanët janë për një rigorozitet më të shtuar në sistemin gjyqësor sesa euro-liberalët, të cilët edhe vetë e aplikojnë mitmarrjen, por në përmase të sofistikuara. Në anën tjetër gjendja e sigurisë dhe ajo në sistemin e drejtësisë ka ndikuar në mosinteresimin e Bashkimit Evropian për të reformuar drejtësinë dhe sistemin udhëheqës, duke menduar se një përpjekje e tyre nuk ia vlen karshi një shoqërie, që nuk merakoset edhe aq për punët e veta të bëra llugë”, shprehet ai. Tutje, Dibrani nënvizon se është krejtësisht e kuptueshme se njerëzit nga politika dhe grupet e pasura kanë mundësi të ndëshkohen më pak, pasi ato privilegjohen nga mundësia e pagesës që ua bëjnë avokatëve, të cilët as pesë pare nuk i japin nëse bëjnë mirë apo keq kur e mbrojnë një klient për të cilin kanë informacione se ka bërë krim politik dhe ekonomik, duke i shkaktuar vendit dëme të konsiderueshme. “Prandaj, jo kot thuhet kudo në Evropë, kujdes gjersa të bëhesh milioner se pastaj paraja të mbron e ndërgjegjëson edhe kur je i pandërgjegjshëm, edhe kur ke bërë krim të rëndë politik e ekonomik. Sistemi evropian i drejtësisë i privilegjon të pasurit, por gjithmonë duke e ruajtur rastin brenda kornizave të lejueshme. Ndërsa tek ne jo vetëm që janë kaluar mitmarrjet, por ato janë bërë kanceri i shoqërisë, ngase oligarkët politikë si duket ende po dirigjojnë dhe manipulojnë me tërë sistemin e drejtësisë”, ka theksuar Dibrani. Përndryshe, sipas tij, mitmarrja apo ndryshe ryshfeti, bëhet i lartë, atëherë kur sistemi i kontrollit nuk funksionon, si dhe atëherë kur nuk ka komision ndëshkues për veprime të tilla.

Kelmendi: Drejtësia duhet të jetë e ndershme dhe e pakompromis

Analisti tjetër, Naim Kelmendi, ka veçuar se janë deklarimet e pushtetarëve ato se kinse korrupsioni është më shumë perceptim sesa në të vërtetë ai ekziston, por kjo thuhet kështu nga pushtetarët dhe mbase është thënë edhe nga kryeministri, sa për ta shtrembëruar siç tha të vërtetën. “Në të vërtetë korrupsioni ka kapur tërësisht nga lartë institucionet dhe bartësit e tij, ku aty janë dhe pushtetarët, por gjithashtu edhe njerëzit e sistemit të drejtësisë. Por, nëse vërtet duam që të ndërtojmë shtetin e së drejtës, e që është imperativ i domosdoshëm, ngase ndryshe nuk funksionon drejtësia dhe shteti ligjor, atëherë do të duhej ndarë drejtësinë nga politika dhe ndikimet e mafio- politikës, sikur edhe ndërhyrjet e ndikimet e tjera, për të dhënë kësisoj drejtësi të drejtë dhe gjykime të drejta në secilën shkelje të ligjit. Pra, drejtësia duhet të jetë e ndershme dhe e pakompromis, dhe pa dallim si ndaj të korruptuarve, po ashtu si ndaj kriminelëve e ndaj krimit të organizuar, në mënyrë që në këtë shtet të funksionojnë të pavarura hallkat e drejtësisë, sikur janë, GjyqësoriPolicia- Prokuroria, e që të mbretërojë rendi dhe sundimi i ligjit”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi. Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, thotë se është e qartë që Kosova është një vend i vogël në sytë e Bashkimit Evropian, por edhe të aleatëve tanë në përgjithësi, derisa siç tha ata në radhë të parë e shikojnë mbarëvajtjen politike dhe pastaj demokratizimin e të drejtave të njeriut, që kanë të bëjnë dhe ndërlidhen me gjyqësorin. “Prandaj, nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur sepse mendojnë që kur të ju duhet për të bërë pastrime e bëjnë më kollaj, sepse mendojnë se e kanë në dorë edhe e eliminojnë të keqën më kollaj. Mendoj se është një gabim sepse kanceri sado i vogël që është, është i rrezikshëm dhe në këtë rast mospasja e një sistemi të mirëfilltë gjyqësor në Kosovë, sado që vend i vogël është një kancer për gjithë Evropën dhe jo vetëm për shoqërinë tonë”, ka theksuar ai./Kosova Sot

22:50 Aktualitet

Horoskopi 13 mars

Dashi Nje jave te mbare dhe sa me shume gezime ju urojme, me...

Lajmet e fundit nga