LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E plotë- Zbulohen fitimet kolosale nga biznesi i mbetjeve/Italianët: Maja e ajsbergut!

6 Mars 2017, 16:57, Aktualitet CNA

Media italiane ?Pianeta Italia? ka zbuluar të ardhurat kolosale nga biznesi i mbetjeve, që sipas saj, arrijnë në 22 miliardë euro.

Portali flet për lidhjet e trafikut të mbetjeve me bandat më të rrezikshme kriminale në Itali, ku nuk lë pa përmendur edhe Shqipërinë.

Kjo e fundit u cilësua nga mediat italiane si vendi, ku u groposën 1300 kontenierët me kimikate të rrezikshme. Detajet e sjella sot hedhin dyshime të forta për përfitimin e miliona eurove nga qeveria shqiptare, për groposjen e mbeturinave.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga kryeministri Edi Rama, i cii preferoi të fliste përmes ambasadores sonë në Itali, duke kërcënuar mediat se do t’i hedhë në gjyq. Por, kjo nuk i trembi aspak gazetarët, të cilët i kërkuan Ramës të hetojë mbi skandalin.

Ja shkrimi i ?Pianeta Italia?:

Trafiku i paligjshëm i mbetjeve urbane e industriale është një biznes gjigant miliardash, i cili u sjell fitime kolosale organizatave kriminale që e drejtojnë atë. Pjesë e këtij trafiku duket se janë edhe 1300 kontejnerët e mbushur plot me mbetje, që shkonin nga Italia në Maqedoni, por që u ?zhdukën? nëpër territorin shqiptar, pa dalë më prej tij pas hyrjes përmes portit të Durrësit.

?Ecomafia? duket se nuk ka ndenjur duarkryq pas vendimit të qeverisë maqedonase për të mos lejuar importin e plehrave nga Italia.
Në Itali, sipas vlerësimit nga Legambiente, të ardhurat nga biznesi i mbetjeve janë kolosale, mbi 22 miliardë euro. Cosa Nostra, Camorra, ?Ndrangheta, Sacra Corona Unitá, tashmë të gjitha një pjesë të aktivitetit kriminal ia dedikojnë pikërisht riciklimit ilegal të mbetjeve.

Në parlament, një komision hetimi do të përpiqet të hedhë dritë mbi aspektet më shqetësues të këtij tmerri ambiental. Hetohet për ngjarjet aktuale, por edhe për historinë e ?helmeve të zhdukur? në det, vepër e mafias në shërbim të industrive kimike të Italisë së Veriut dhe të Evropës.

Mafiet kanë punuar me trafikun e helmeve, kombëtar dhe ndërkombëtar, duke ofruar vetë territorin e tyre për zhdukjen e mbetjeve, përfshirë edhe detet. Hetimet kanë zbuluar se bosët e mafias kanë planifikuar fundosjen e shumë anijeve me tritol. Për shembull, ?Ndrangheta në Kalabri nuk e ka pasur probleme të shkaktonte një numër katastrofash në rajonin e saj.

?E di se sa shumë po na plas për detin??, pyet një bos mafioz bashkëbiseduesin e tij, sipas një përgjimi të autoriteteve italiane. ?Mendo për paratë, me ato detin e gjejmë në vend tjetër?.
Dhe sipas të njëjtave hetime, është një praktikë që vazhdon ende.

Një dokument zyrtar i Drejtorisë Investigative Antimafia regjistron, për periudhën 1995-2000, plot 637 fundosje të dyshimta në detet e botës, 52 prej të cilave në Mesdhe. Të dyshimta, sepse kanë ndodhur në kushte moti të shkëlqyera dhe me detin vaj, pa dhënë sinjalin e ndihmës, me itinerar dhe ngarkesa shpesh të ndryshme nga dokumentet zyrtare, me ekuipazh që sapo shpëtohej zhdukej pa lënë gjurmë.
Për fatin e tyre interesoheshin vetëm kompanitë e sigurimeve, të cilat duhet të paguanin dëmet, dhe për këtë arsye ky ishte një që binte erë.

Një nga dokumentet e deklasifikuar e Komisionit Dydhomësh ka një listë prej 90 anijesh të fundosura në Mesdhe midis 1989 e il 1995, të cilat dyshiheshin për trafik mbetjesh toksike dhe radiokative.
Lista iu dërgua Prokurorisë së Reggio Calabrias, Qeverisë së Kryeministrit Lamberto Dfini dhe ministrit të mbrojtjes, por humbi nëpër sirtarë. Pse? Nuk habit fakti që 27 nga anijet e asaj liste ishin objekt hetimi i Natale de Grazias, shpirti i vërtetë i hetimeve, i cili vdiq i helmuar më 1995, pikërisht në një nga udhëtimet në funksion të hetimit. Me vdekjen e tij, çështja u mbyll.

Sipas vlerësimit të bërë nga Guardia di Finanza, eliminimi i një kontejneri me rreth 15 tonë mbetje të rrezikshme kushton mesatarisht 60 mijë euro.
Kur bëhet në kushte ilegale, mund të ulet edhe me 90 për qind. Në vendet afrikane mbërrin gjithçka, mbetje nga më të rrezikshmet dhe të pariciklueshme. Në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore shkojnë mbetje të destinuara ilegalisht për krematorët dhe landfillet, duke shfrytëzuar legjislacionin më liberal. Një tjetër rrugë është ajo midis Italisë e Rumanisë, por pjesën e luanit e kanë vendet e Lindjes së Largët e veçanërisht Kina, në portet e së cilës mbërrijnë çdo viti mijëra kontejnerë me mbetje të të gjitha llojeve, kryesisht plastikë, letër, metal, dru, të destinuara për firmat e vogla e të mesme ku riciklohen pa zbatuar asnjë ligj dhe pas asnjë trajtim.

Bllokimi i këtij fluksi është objektivi primar i autoriteteve, nga forcat e rendit te doganat. Më 2010 u sekuestruan 11.400 tonë mbetje të destinuara kryesisht për në Kinë, Indi, Afrikë, 35 përqind e të cilave ishte plastikë dhe goma makinash. Portet kryesorë të nisjes ishin Genova, Venezia, Napoli, Taranto e Gioia Tauro (prej nga janë nisur kontejnerët e humbur në Shqipëri). E megjithatë, është vetëm maja e ajsbergut, duke qenë se në portet italiane lëvizin çdo vit 4.400.000 kontejnerë, 750 mijë prej të cilëve drejt Kinës./CityNews

http://www.pianetaitalianews.it/index.php/93-cronaca/214-business-ecomafie

Lajmet e fundit nga