LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Të gjitha gjurmët të shpien në ambasadë/ Rusi-SHBA, intriga e diplomatëve

5 Mars 2017, 07:00, Aktualitet CNA

Roli kyç i Sergej Kislyak, nr.1 i Moskës në Uashington. Me të ka biseduar Michael Flynn dhe ka qenë ai që ka takuar Jeff Sessions, kryeprokurorin të cilit i kërkohet dorëheqja

Ndodhej në rreshtin e parë, prillin e kaluar, kur kandidati republikan Donald Trump mbante fjalimin e tij të parë të politikës së jashtme, para një audience të zgjedhur, vetëm me ftesë, në Hotelin Mayfloëer në Uashington. Ai ishte në anën tjetër të telefonit, në javët para inaugurimit të presidentit të ri, i angazhuar në diskutime mbi sanksionet dhe luftën kundër terrorizmit me Michael Flynn, ish-këshilltari për sigurinë kombëtare, që u detyrua të japë dorëheqjen, vetëm prej asaj telefonate. Dhe ishte gjithmonë ai, gjatë fushatës zgjedhore, që u takua me Jeff Sessions, Prokurori i Përgjithshëm tani i gjendur në shënjestër, ngase ka mohuar të ketë patur kontakt të mëparshëm me zyrtarët rusë, gjatë seancave të konfirmimit në Senat.

Në sagën e spekulimeve mbi Donald Trumpin dhe lidhjet e shoqëruesve të tij me Rusinë, të gjitha rrugët kalojnë nga Sergei Kislyak. Është ai, ambasadori i Kremlinit në SHBA që nga viti 2008, figura që lidh fijet e shumta të një historie të mbushur me mistere. A është vërtetë, gjashtëdhjetë e ca vjeçar i shëndoshë, me pamjen e aparatçikut të epokës sovjetike, ?diplomati më i rrezikshëm në Uashington?, siç shkruante dje Politico? Dhe cilat janë dyshimet të arsyeshme, të formuluara në një kronikë të CNN, nga ana e ish-zyrtarëve anonimë të shërbimeve të fshehta, sipas të cilëve Kislyak është jo vetëm një diplomat, por edhe një mjeshtër i spiunazhit, që shkëlqen në rekrutimin e informatorëve në kryeqytetin amerikan?

Akuza për aktivitete spiunazhi kundër Kislyak hidhet poshtë në Moskë, si ?qesharake dhe fëminore?, dhe ?produkt i kaosit që mbretëron në Uashington dhe i përpjekjes për të gjetur armiq të rinj?, sipas fjalëve të Anton Tsvetov, i Qendrës së Kërkimeve Strategjike. Por edhe eksponentë amerikanë me autoritet e konsiderojnë të pabazë, duke bërë thirrje për të mos ngatërruar aktivizmin e tij diplomatik, me aktivitetet e inteligjencës. Për të gjithë, ka folur ish-ambasadori i Obamës në Moskë, Michael McFaul, gjithashtu një ithtar i një linje të ashpër ndaj Kremlinit dhe që pavarësisht dallimeve që kanë, është një mik i ngushtë i diplomatit rus: ?Detyra e tij është që të përfaqësojë vendin e tij dhe e bën shumë mirë ?, ka thënë McFaul.

Një inxhinier me profesion, karriera e Kislyak ka nisur që nga viti 1981. Ai ka shërbyer në misionin sovjetik në OKB, ka qenë i përfshirë në bashkëpunimin shkencor dhe çarmatimin, ka qenë ambasador i Rusisë në NATO dhe Zëvendës Ministër i Jashtëm, para se të vendosej në Uashington, nëntë vjet më parë. Nën drejtimin e tij, ambasada në Uisconsin Avenue është bërë një edhe magnet kulturor: mban markën e saj diplomacia e jazz-it, muzikë që ai e do, dhe që e sheh shpesh mysafir ose bashkë-organizator koncertesh me muzikantë jazz-i amerikanë dhe rusë. ?Stereotipet duhet të ndryshojnë së pari në zemra?, i pëlqen të thotë.

Cilado qoftë arsyeja, Sergei Kislyak është afër daljes në pension, dhe Vladimir Putin ka përcaktuar tashmë pasardhësin e tij: Anatoly Antonov, 62 vjeç, diplomat karriere, ish-ministër i Mbrojtjes, pret vetëm aprovimin e Dumas, për të shkuar në Uashington. Shumë kompetent në fushën e çarmatimit, besnik ndaj Kremlinit, për ngurtësinë e tij është mbiquajtur ?qen besnik? dhe ai u zgjodh në vjeshtën e vitit 2016, në pritje të një fitoreje të mundshme të Hillary Clintonit. Konfirmimi i tij është një sinjal se, edhe me ardhjen e Trumpit, Moska mbetet vigjilente.

Në ballon e madhe të ambasadorëve, po fillojnë ndërkohë të qarkullojnë emrat e parë të atyre që Donald Trump ka ndërmend të dërgojë në krye të diplomacisë amerikane në Moskë. Por dy kandidatët që konsiderohen si favoritë, janë tashmë në qendër të polemikave. I pari është Carter Page, këshilltar i Trumpit gjatë fushatës, biznesmen në sektorin energjetik, që në të kaluarën ka bërë biznes me Gazpromin, i konsideruar një prej ?zyrtarëve të lidhjes? mes Trumpit dhe Putinit: edhe Page dje pranoi se e ka takuar Kislyakun në konventën republikane në Cleveland.

Kandidati tjetër për ambasadën në Moskë është një legjendë e diplomacisë amerikane, Richard Burt. Numri dy i sigurisë kombëtare dhe më pas ambasador në Bon gjatë administratës Reagan, kryenegociatori amerikan në tratativat e Start me Bushin e madh, sot është një prej lobistëve më të rëndësishëm të Uashingtonit. Bushi ka shkruajtur disa prej fjalimeve të Trumpit për politikën e jashtme. Por edhe ai ka Gazpromin mes klientëve të tij. Mund të jetë edhe rastësi, po nga cilado anë që të kthehesh, një hije ruse duket se nuk e braktis asnjëherë administratën Trump./bota.al

Lajmet e fundit nga