LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Budallai i bukur/Nga Edison Ypi

12 Shkurt 2017, 10:45, Aktualitet CNA

I veshur, i mbathur, i larë, i krehur, i ngrënë, i pirë, i shëndetshëm, i pispillosur, budallai i bukur dhe nënprodukti i tij budallallëku i lezeçëm kanë marrë dhenë dhe po bëjnë hatanë si hordhitë e karkalecave mbi fushën me grurë.
Budallenj të bukur Shqipëria ka pasur edhe më parë. Por kanë qënë të rrallë dhe të pazararshëm, shihnin punën e vet, budallallëkun e vet.
Për budallenjtë e bukur më parë njerëzia thoshin; Sa budallenj ka bota, s?mund të mos i kemi edhe ne budallenjtë tanë.
Mirpo, kur budallenjtë e bukur nisën të shtohen, nisën edhe dilemat; Kush e hodhi dhe si mbiu kjo farë ? Si ndodhi që na u shtuan kaq tepër këta katranë ?
Të ftohtë, të thatë, me muhabete të thjeshta deri në llaftari, pa asnjë vullnet për të bërë diçka të dobishme apo thënë ndonjë gjë me sadopak përmbajtje, budallenjt tanë të bukur çfaqen kudo sikur sapo kanë dalë nga fabrika, nga lavatriçja, nga centrifuga.
Me pamje të jashtëme të ndrequr, qasje të posaçme ndaj institucioneve dhe interesimeve komunitare, budallai ynë i bukur duket si një kërmill i mbështjellë në guackë plot jargë hajvanllëku dhe bukurie të kallkanosur.
Budallai ynë i bukur, s?ka haber ku ndodhet puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, ndjeshmëria, dashuria.
Budallai ynë i bukur nuk di muhabet tjetër veçse Euro, aeroplana, orare, pizza, bileta, spagheti, receta gatimi, restorante, dreka, darka, pasarela, plazhe, udhëtime nëpër vende të huaja.
Tashmë budallenjtë tanë të bukur kanë mposhtur të gjitha baluardet e superstrukturës, jesën më të madhe të politikës, zyrat e gjithfarshme, Shoqërinë Civile. Si dhe mediat vizive, ku budallai i bukur bën kërrdinë me lëvizje gjymtyrësh, kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta, dhe natyrisht budallallëk të pafundëm.
Budalli i bukur është një tyç i updateuar, një antikonformist i shquar që lufton me mullinjtë e erës, një revolucionar i asgjësë, progresist hipokrit, modern i përvjellur.
Budallai ynë i bukur është një palluqe që dremit në zyrë me celular në vesh, kompjuter përpara, printer anash.
Palestra, masazhi, plazhi, vrapi rreth liqenit, kqyrja me kujdes e datave të skadimit mbi kutitë e ushqimeve të ambalazhuara, celulari i fundit, rrjetat sociale, janë shokët e pandarë të budallait tonë të bukur.
Autostradat, aeroportet, tunelet, urat, alumini, Interneti, birra, pijet freskuese, për budallain tonë të bukur nuk janë shpikur dhe nuk janë ndërtuar kurrë. Ato aty kanë qënë në jetë të jetëve në pritje të budallait tonë të bukur për t?ja kollajsuar jetën.

07:22 Aktualitet

Shtypi i ditës

Këto janë titujt kryesorë të gazetave për ditën e sotme, e d...

Lajmet e fundit nga