LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

LSI drejt largimit/ Rama fillon izolimin e Metës

11 Shkurt 2017, 13:29, Aktualitet CNA

Koalicioni midis dy partive politike në qeveri, PS dhe LSI, duket se është drejt fundit. Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, mes dy partive kanë filluar përplasjet, ndoshta edhe më të forta se ato opozitë-pozitë.

LSI ka nisur prej kohësh sulmet frontale ndaj ministrave të Partisë Socialsite, ndërkohë ?lufta? tashmë është transferuar edhe në degët e partive në rrethe, por mësohet se do të ketë lëvizje të forta edhe nga ana e Partisë Socialiste.

Përplasjet në rrethe

Në Fier, Shkodër, Pogradec dhe Dibër, situata nuk paraqitet e mirë, pasi strukturat, qoftë  nga PS dhe LSI, kanë ngritur zërin pasi nuk po respektohet marrëveshja e vjetër e 1 prillit. Në qarkun e Fierit sa vjen dhe tensionohet situata, ku LSI ka ngritur akuza se socialistët kanë uzurpuar të gjitha vendet e punës , duke e nxjerrë jashtë loje forcën aleate të pushtetit.

LSI mendon të hakmerret ndaj socialistëve, duke bllokuar thuajse të gjitha vendimet në Këshillat Bashkiakë. Shkodra ka qënë bastion i së djathtës dhe PS synon që t?ia rrëmbejë me fitore këtë bastion PD. Por duket se LSI në Shkodër  po kërkon të fitojë shumë terren  dhe të forcojë pozitat e saj, duke nxjerrë jashtë loje PS.

Por, kryeministri Rama është shumë i shqetësuar dhe u ka tërhequr ?veshin? strukturave të PS atje, duke u bërë thirrje  që të bëhen sa më shumë  aktivë dhe në zgjedhjet e 18 qershorit, Shkodra si bastion ti kalojë PS.

Nga ana tjetër, situata në Dibër dhe Pogradec po shtohet. LSI ka një inat të vjetër me socialistët në Pogradec, pasi ia atribuojnë fajin PS për humbjen e kësaj Bashkie nga LSI. Strukturat e LSI në Pogradec, si kundërpeshë kanë kërkuar që të marrin më shumë vende pune në administratë, por kjo ka acaruar socialistët. Ndërsa në Dibër, socialistët e knë nxjerrë jashtë loje LSI. Strukturat e LSI, edhe pse kanë zhvilluar disa takime me strukturat e PS, marrëveshja vijon të mos zbatohet.

Akuzat e ministrave

Ish ? Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, u shkarkua për shkak të akuzave të forta të artikuluara në media kundër ministrave të qeverisë dhe vetë kryeministrit Rama. Akuzat arritën pikën kulminante kur Manjani tha se ministrat kanë fjetur me dashnoret në hotelin e Klement Balilit, apo se qeveria ka miratuar një vendim pa u mbledhur. Por, kryeministri Edi Rama arriti të izolojë Manjanin duke e shkarkuar dhe shmangur sulmet e mëtejshme.

Nga ana tjetër, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka akuzoi ashpër Ministrin Saimir Tahiri për lidhjet e Policisë së Shtetit me trafikun e drogës si dhe kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako. Edhe në këtë rast, kryeministri arriti ta izolojë atë. Pak ditë pas akuzave, Rama tha se Koka bëri një gabim për herë të parë dhe për këtë do të falet. Nga ajo ditë, nga Lefter Koka nuk kemi më të reja.

Por, përveç degëve dhe ministrave, LSI po sulmon Ramën edhe përmes këshilltarëve të Metës. Ata sulmojnë qeverinë, ministrat, kryeministrin, duke pretenduar se LSI nuk është pjesë e qeverisë dhe duke iu shmangur përgjegjësive.

Kryeministri Edi Rama ka nisur kundërpërgjigjet ndaj akuzave dhe shenjave paraprake që tregojnë se LSI nuk do të jetë pjesë e koalicionit në zgjedhjet e 18 qershorit. Këtë e vërtetoi deri diku edhe heqja e kompetencave të Ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, me të cilën Rama kishte bllokuar prej kohësh komunikimin.

Sulmet e LSI-së ndaj qeverisë, ministrave dhe kryeministrit Rama, tashmë po marrin kundërpërgjigje, por nga ana tjetër kjo tregon se koalicioni PS-LSI do ta ketë të vështirë të vijojë bashkëpunimin./CityNews

Lajmet e fundit nga