LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Protestat në Rumani, qeveria shfuqizon dekretin

6 Shkurt 2017, 15:33, Aktualitet CNA

Ministri rumun i Drejtësisë tha se do të bënte publike sot hollësitë e një projekt-ligj të ri për kodin penal, një ditë pasi qeveria Social Demokrate e vendit shfuqizoi një dekret të debatueshëm të kabinetit që synonte të mbronte shumë politikanë nga ndjekja penale për korrupsion.

Qeveria Social Demokrate e Rumanisë e shfuqizoi dekretin dje, pas gjashtë ditë protestash të mëdha publike.

Vendimi i qeverisë së kryeministrit Sorin Grindeanu erdhi ndërkohë që dhjetëra mijëra demonstrues u grumbulluan në sheshin Fitorja të Bukureshtit për një natë tjetër protestash masive, që shihen gjerësisht si tubimet më të mëdha anti-qeveritare që nga rënia e diktatorit komunist Nikolae Çaushesku në vitin 1989.

Vetë Kryeministri pati deklaruar një javë më parë se nuk kishte ndërmend ta tërhiqte projektligjin. Protestuesit deklaruan se do t’i vazhdonin grumbullimet masive.

“Njerëzit janë të lodhur nga kjo klasë politike, e cila gjatë 27 vjetëve ka treguar se ka qenë jo e besueshme. Sepse ka aq shumë njerëz që duan të ikin nga vendi për një jetë më të mirë për veten dhe familjet tona. Kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu dhe jam njëri nga miliona rumunët që punojnë jashtë,? thotë një protestues me emrin Olimpu.

Dekreti, i miratuar në një sesion të kabinetit natën e së martës, përjashtonte zyrtarët nga akuzat për korrupsion, nëse fitimet me mjete të pandershme vlerësoheshin në më pak se 48 mijë dollarë.

Sikur dekreti dhe një masë tjetër shoqëruese të kishin hyrë në fuqi, siç ishte planifikuar më 10 shkurt, një nga përfituesit kryesorë i tij do të kishte qenë udhëheqësi i Partisë Social Demokrate Liviu Dragnea.

Ky politikan është aktualisht në gjyq për dyshimet se ka përdorur ndikimin e tij politik për të përfituar paga shtetërore për dy persona të punësuar në selinë e partisë së tij mes viteve 2006 dhe 2013.

Qeveria tha se kjo masë ishte e nevojshme për të ulur mbipopullimin e burgjeve në Rumani, një nga vendet më të korruptuara të Europës.

Por kritikët thonë se kjo do të kishte dëmtuar rëndë përpjekjet e qeverisë së sapoformuar të vendit.

Me një deklaratë të përbashkët për projektligjin, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Kanadaja, Finlanda, Hollanda, dhe Franca ishin shprehur se qeveria zhbëri progresin e arritur gjatë 10 viteve të fundit për funksionimin e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit.

?Duam që qeveria jonë të largohet. Është një turp i madh. Demokracia është për popullin, për të respektuar dëshirën e popullit që ka dalë në rrugë. Ne nuk dorëzohemi dhe do të vazhdojmë protestat. Shpresoj të mblidhemi këtu edhe nesër dhe për çdo ditë në vazhdim?, tha një protestuese.

Nisma e filluar në vitin 2014 nga Drejtoria Kombëtare e Anti-Korrupsionit ka çuar në dënimin e rreth 2 mijë njerëzve për shpërdorim pushteti, duke përfshirë gjyqtarë, politikanë, prokurorë dhe zyrtarë të tjerë publikë./Zëri i Amerikës

Lajmet e fundit nga