LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Telenovola mbylli aktin e radhës/ Skenari i PS-LSI?

30 Janar 2017, 11:46, Aktualitet CNA

Nga Afrim Krasniqi   Telenovola mbylli aktin e radhes. Skenari? Konflikti midis dy aleatëve politikë në qeveri? Po. Nuk është e re, është e pritshme. Por ka një keqkuptim të madh. Nuk është një konflikt mbi parimet politike, mbi strategjitë e zhvillimit, mbi diferencat në rrugën që po ecën vendi, mbi platforma të Shqipërisë së sotme e të nesërme, mbi identitete politike, mbi ligje apo paketa reformash të rëndësishme. Është dhe mbetet një konflikt ?shqiptar?, që të kujton djemtë e fortë të lagjes që zihen për policin, për makinat e shtrenjta, për bastet, për kontrollin e fitimeve dhe ankohen se i kanë hyrë në territorin e tij të kontrollit. Imagjinoni, – ministra që dalin e thonë se dua të heq policin e lagjes dhe po nuk e hoqe, bie qeveria. Apo pala tjetër, që thotë, ata duan ta heqin policin sepse duan të kenë liri për vepra kriminale. Ku është politika këtu? Për cilën reformë apo ligj thelbësor, për cilin premtim elektoral apo parim politik kanë pasur divergjenca PS e LSI gjatë 4 viteve? Për asnjë. Sepse nuk janë në koalicion për reforma, ligje, premtime apo parime, – është një koalicion midis 2 personash, është koalicion interesash. Kështu ishte përpara 2013, kështu është edhe pas 2013.

Të fortët, të pasurit, arrogantët, të mbi-pushtetshmit, të paprekshmit, – janë grindur periodikisht e po grinden përsëri për më shumë para, pushtet dhe sundim. Këtu fillon dhe mbaron historia e tyre. Por këtu nuk fillon dhe as mbaron historia jonë. Ata paguhen me taksat tona, ata abuzojnë me taksat tona, ata janë aty për shkak të trafikimit të votave tona, ata grinden mes tyre por janë bashkë kur vjen puna të kufizojnë të drejtat tona, të kontrollojnë mendimet tona dhe të sundojnë jetët tona.

Shikoni një model marrëveshje në një vend demokratik. Mbi 300 faqe teks i shkruar dhe i detajuar reformash, nismash, qëndrimesh e premtimesh. Dokument publik që monitorohet nga media e qytetarët. Shikoni rastin shqiptar. Ata të dy u takuan për një drekë tek Gjiri i Lalzit dhe ranë dakord të marrin pushtetin. Pastaj bënë një ceremoni dhe nënshkruan një kartë parimesh me 35 radhë dhe pa asnjë premtim konkret. Vendosën të ndajnë pushtetin 80 me 20%, tani duan të shesin aksionet e pushtetit 60 me 40%. Një kryeministër që është peng i ngjisjes së pushtetit personal, një politikë që noton në të njëjtin pellg, një opozitë që pret të fitojë duke marrë gjysmën e pellgut me vete, edhe pse pellgu vijon të ndotë qytetin e shoqërinë. Kjo është marrëveshja, kjo ishte karta e parimeve dhe për këtë grinden. Të tjerat janë histori facebooku dhe kafenesh nga ato që ne fatkeqësisht vijojmë ti kemi për zemër si një shoqëri para-demokratike.

Dhe për ta mbyllur ja rezultati, – për herë të parë në historinë e Shqipërisë do të kemi një ministër drejtësie ?..mjek infeksionist! Ishte ministër shëndetësie dhe e shkarkuan për skandale financiare, i akuzuar nga pasuesi i tij që sot është kolegu i tij. Edhe Enveri i kishte ca ministra drejtësie me juridik. Tani që bëmë reformën në drejtësi juridiku nuk ka vlerë, – rëndësia ka partia! Dhe Vasili ka qenë, është e do jetë njeri besnik i udhëheqësit të partisë, kriter i mjaftueshëm për karrierë të gjatë. Kaq./CityNews

Lajmet e fundit nga