LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Më jep një Yll, të jap një Saimir!/Meta kërkon kokën e ministrit të PS!

29 Janar 2017, 19:46, Aktualitet CNA

Nga Sokol Balla* Shumëkush në moshën time kujton një prej lojërave më hedonistike të periudhës së izolimit komunist: shkëmbimin e pullave. Nuk di sesi këto pulla kishin hyrë në Shqipëri, por di për shembull se unë pullën trekëndëshe Kenia Uganda Tanganika, që datonte përpara krijimit të shtetit të Tanzanisë, dreqi e di nga e kisha gjetur. Por nuk kishte gjë më të bukur sesa dita kur ti ktheheshe në shtëpi me një apo dy shtete më shumë në koleksionin tënd (meqë ra fjala këtë koleksion, bashkë me pullën trekëndëshe të Kenia Uganda Tanganikës, i kam akoma).
Kjo loja me pulla sigurisht kishte një truk: pasi përballte forcën e një pulle të rrallë, e cila mund të shkëmbehej me një, apo më shumë pulla shtetesh që ti nuk i kishe në koleksion. Dhe një nga arsyet që pulla tre këndëshe e Kenia Uganda Tanganikës nuk u shkëmbye kurrë nga unë, ishte sepse unë pretendoja që përveçse ishte e rrallë në formë dhe në përmbajtje, ajo ishte pullë që përfaqësonte tre shtete dhe minimalisht kërkoja tre shtete të reja në shkëmbim. E gjithë kjo mu kujtua këto ditë, kur emri i Balilit filloi të shkëmbehej në tregun e pullave politike. Por a po shkëmbehej realisht emri i tij dhe me kë?
Prej kohësh ky emër duket sikur sjell pështjellim veçanërisht brenda koalicionit të majtë. Balili është një emërim i LSI në administratën shtetërore të Sarandës dhe këtë partia e Metës nuk e ka fshehur. Po ashtu e vërtetë është që afiliacioni i tij i mëparshëm është me PD. Por në asnjë mënyrë kjo nuk fsheh paaftësinë e organeve ligjzbatuese për moskapjen e tij, përfshirë edhe Ministrisë së Brendshme. Balili konsiderohet për amerikanët jo aq si peshk i madh, sesa si simboli i dështimit të sistemit aktual të drejtësisë për të shkëputur nyjen politikë krim. Dhe kjo, është arma më e fuqishme e LSI, për të goditur, kritikuar apo kërkuar kokën e Saimir Tahirit. Nga selia e të cilit jo rastësisht duket se kanë dalë psherëtima që lidhin moskapjen e ?Kelmend? Balilit, me partinë e Metës. Dhe personi që sipas këtyre psherëtimave mban përgjegjësi, është Ylli Manjani. Ministri ?gjuhëgjatë? i drejtësisë, jo vetëm akuzohet se vonoi dosjet e Balilit por është anatemuar publikisht se mund të ketë shkuar në DUBAI për pushime me të.
Që të jem i sinqertë, unë nuk i besoj akuzat as për Tahirin e as për Manjanin, kur vjen puna për Balilin. Nëse organet ligjzbatuese kanë dështuar në kapjen e tij, policia apo policët e thjeshtë që mund të kenë parë me bisht të syrin sesi Balili shëtiste i lirë nëpër Sarandë me Range Roverin e tij, janë shumë më pak përgjegjës sesa agjentët e shërbimeve sekrete që duhet ta kishin dokumentuar këtë dhe t?ja paraqisnin kreut të shtetit apo kryeministrit, apo sesa organet hetimore që nuk bënë asgjë për tetë muaj rresht për rrethimin e tij ligjor. Sa për udhëtimin e Balilit në Dubai me ministrin e Drejtësisë, do kishte qënë më e besueshme po të kishin thënë se ka qënë me Manjanin në Mynih për të parë ndonjë ndeshje të Bayern. Derisa nuk ka qënë ky rasti, vizita e tyre e supozuar në Dubai është thjesht një barcaletë.
Ajo që është e vërtetë, është se dy emrat, Tahiri dhe Manjani, janë dy zëra më ?outspoken? të qeverisë së koalicionit të majtë, me shumë pak qime në gjuhë, kur vjen puna për të kritikuar, edhe vetë brenda familjes. Manjani me daljen e tij në Top Story, bëri publike klimën që ekziston mes dy partive, më së shumë mosdakortësinë që zakonisht shfaqet vetëm në takimet e të mërkurave mes Ramës dhe Metës. Takime ku jo rrallë kanë qënë të pranishëm edhe Tahiri dhe Manjani. Por tashmë këto takime po bëhen kokë më kokë, dhe dy liderët supremë duket se janë të pakënaqur me sjelljen e ?oficerëve? respektivë. Dhe meqë të dy emrat janë të rëndësishëm për të dy kampet, duket se askush nuk është duke lëshuar pe?. Dikush kërkon kokën e Manjanit para zgjedhjeve, dhe tjetri përgjigjet zjarr për zjarr me emrin e Tahirit. ?Të jap një Yll, me jep një Saimir??.
Fiks, si te loja me pullat.
Kështu që duhet të mos i marrim seriozisht cfarë po ndodh vërdallë. Sidomos ata që mbështesin opozitën dhe shohin me sy të lëngëzuar se çfarë ndodh kudo, nga Uashingtoni e deri te zyra e Metës, si shpresë për të ardhur në pushtet. Ashtu si pulla trekëndëshe Kenia Uganda Tanganika nuk shkëmbehet dot me tre shtete, edhe trekëndëshi Tahiri Balili Manjani nuk prodhon dot as krizë, e jo më prishje koalicioni. Thjesht si taksapagues më vjen keq që loja me pulla po harxhon kohën e një qeverie që duhet ta harxhojë për të na qeverisur më mirë, atë të një kuvendi që duhet të bëjë ligje më të mira dhe së shpejti edhe të Keshillit të Sigurisë që duket do ta marrë këtë lojë seriozisht.
Të majtët po mundohen, në mungesë të guximit për t?u ndarë e përballur në zgjedhje me njëri tjetrin në qershor, të na mbajnë humorin ndezur për pesë muajt në vijim. Dhe si gjithmonë, ashtu si vjet në korrik, gjithçka do përfundojë, ashtu si te ajo bejtja e vjetër popullore: ?U rraha me xha Kamberë / unë matu, ai bjer!? /JavaNews.al

Lajmet e fundit nga