LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Kastriot Myftaraj/ Enigma e ndalimit të trenit para hyrjes në Kosovë

18 Janar 2017, 21:01, Aktualitet CNA

Është symptomatike, si për llojin e shtetarëve që kanë dy shtetet, ashtu edhe për mënyrën si funksionojnë dy shtetet, që nga pala serbe, ka një shtetar i cili e merr përsipër drejtpërdrejt vendimin politik për ndalimin e trenit, duke e quajtur ?vendimi im?. Ky është Kryeministri Vuçiç.

Nga pala kosovare, as Kryeministri Mustafa, as Presidenti Thaçi nuk e marrin përsipër përgjegjësinë për vendimin politik për dërgimin e njësive speciale policore në vendkalimin kufitar të Jarinës. Nga pala kosovare duan të thonë se vendim-marrja ka funksionuar në rrafsh teknik, pra duan të na bëjnë të besojmë se njeriu që ka të drejtë të thotë ?vendimi im? është Shpend Maxhuni, drejtori i Policisë së Kosovës. Kur dihet se vendimin politik e mori Presidenti Thaçi.
Shtetarët në Prishtinë mendonin dhe mendojnë më shumë për pasojat nëse kjo historia e trenit do të kishte përfunduar keq, me gjakderdhje, me ç? rast karriera politike e njërit prej tyre, vendim-marrësit politik, do të kishte marrë fund. Në këtë rast përgjegjësia e vendim-marrjes duhet të kufizohej në rrafsh teknik te Shpend Maxhuni, sipas formulës që urdhërat nga lart, nga rrafshi politik vijnë: ?Ligjin e njihni, zbatojeni!?
Kryeministri serb Vuçiç, njeriu që urdhëroi ndalimin e trenit nga pala serbe, nuk e bëri këtë me kërkesën e Presidentit rus Putin, siç thonë disa duke arsyetuar se Putin nuk e donte një tensinim në marrëdhëniet me SHBA pak ditë para se në Shtëpinë e Bardhë të hyjë Trump me të cilin pret të vendosë një marrëdhënie të ndryshme nga ajo me Obamën.
Përkundrazi, Putin është i zhgënjyer nga vendimi i Vuçiç për ndalimin e trenit. Nëse treni do të ishte ndalur me udhëzim të Moskës, atëherë prej saj do të kishte ardhur ndonjë frazë vlerësuese për sjelljen e Kryeministri serb Vuçiç, i cili është vënë në pozitë shumë të vështirë përpara opinionit publik serb, që e fajëson se tregoi frikë.
A ishte vendimi i Thaçit për të nxjerrë njësitë policore që t? ia zenë rrugën trenit, një vendim i marrë me udhëzimin e Washingtonit? Jo. Thaçi shkoi në Washington pasi u bë e ditur se treni rus do të udhëtonte për në Kosovë, pikërisht sepse nuk po vinin udhëzime nëpërmjet ambasadës amerikane në Prishtinë. Nëse do të kishte pasur udhëzim amerikan për ndalimin e trenit, atëherë vendimin do ta kishte marrë me plot dëshirë Kryeministri Mustafa, të cilit edhe i takonte ta bënte këtë gjë. Por nuk kishte as udhëzim amerikan, as udhëzim europian (të tillë në këto raste vijnë pas atyre amerikane).
Që Brukseli heshti me dëshirë, kur vuri re heshtjen e Washingtonit, kjo është e qartë. Pyetja është se përse heshti Washingtoni, nga i cili erdhi një reagim vetëm pas përfundimit të paqtë të kësaj historie? Heshtja nga Washingtoni erdhi sepse administrata në ikje e Obamës nuk donte që të shihej si shkaktare e një gjakderdhjeje tjetër ballkanike, disa ditë para largimit të saj. Në Washington me siguri kanë menduar se, nëse shtetarët shqiptarë të Prishtinës do të mbeteshin pa udhëzime amerikane, ata thjesht nuk do të vepronin duke e lënë trenin të hynte në Kosovë. Kështu që kjo histori do të përfundonte me një turp pa gjakderdhje. Turpi ishte për Thaçin e Mustafën, prandaj nuk kishte asgjë për t? u shqetësuar për Obamën dhe Kerry-n.
Në këto rrethana, Mustafa mendoi se kishte pajtim mes amerikanëve, europianëve dhe rusëve që treni të shkonte në Mitrovicë për të pohuar ndarjen e Kosovës, kështu që kush ishte ai që ta pengonte vullnetin e tyre. Kur Thaçi u kthye pa asnjë udhëzim nga Washingtoni, një ditë para arritjes së trenit në Kosovë, ai bëri edhe një përpjekje të fundit që ta detyronte Mustafën që të merrte përgjegjësinë për ndalimin e trenit, duke thënë publikisht se autoritetet e Kosovës duhet ta ndalonin trenin. Por autoritetet që do të merrnin vendimin politik ishin Isa Mustafa dhe ai. Tashmë ishte e qartë se Isa Mustafa nuk do të urdhëronte që të ndalej treni, ndonëse ishte pikërisht ai shtetari që duhej ta urdhëronte këtë gjë.
Në këto rrethana, Thaçi zgjodhi që vepronte me metodat e dikurshme të Drejtorisë Politike të UÇK, pra të urdhëronte ndalimin e trenit, por gjithçka ta bënte në mënyrë jozyrtare, domethënë pa asnjë dokument që të vërtetonte se këtë e kishte bërë ai. Pra iu tha Shpend Maxhunit gojarisht që të dërgonte njësitë speciale policore në Jarinë. Nëse gjërat do të kishin shkuar keq, Thaçi thjesht mund ta mohonte përgjegjësinë e tij personale, duke thënë se ai kishte kërkuar që të veprohej sipas ligjeve në fuqi.
Skenarët e rastit të keq përmblidheshin kështu:
Treni të arrinte në Jarinjë ku të ndalohej nga njësitë speciale policore të Kosovës. Që nga ky moment policët e Kosovës do të shndërroheshin në pengje të serbëve. Sepse ishte e qartë që në vendngjarje do të grumbulloheshin disa mijëra serbë nga Kosova Veriore të cilët do t? u prisnin rrugën e kthimit forcave operacionale policore të Kosovës dhe do t? i mbanin të rrethuar ata. Nga Serbia vinin në Jarinë, qoftë edhe në anën serbe të kufirit, forca të mëdha policore ushtarake. Në Prishtinë dhe në Beograd nisnin demonstrata të mëdha ku iu kërkohej dy qeverive të vepronin, kuptohet sipas interesave përkatës. Në pozitë më delikate ishte pala kosovare që kishte një forcë policore të rrethuar, 50-60 km në thellësi të territorit kundërshtar.
Për çdo operacion si ai i Jarinjës, parashikohet një Plan B. Por a kishte urdhër ROSU të bënte qëndresë nëse rrethohej në Jarinjë apo i ishte thënë që të priste urdhra të tjerë, varësisht rrethanave të krijuara, që është frazeologjia e parapëlqyer politike për të mos marrë përgjegjësi? Nëse ROSU rrethohej dhe mësyhej, a do të urdhëronin Thaçi dhe Mustafa Forcën e Sigurisë së Kosovës (Ushtrinë), që të nisej për në Jarinjë, siç bën çdo shtet kur ndeshet me një rebelim të armatosur?
Unë mendoj se Thaçi ka pasur në mendje vetëm një Plan B, atë që kishte të bënte me rrethanën kur aventura e ROSU-t në Jarinjë, për shkak të pështjellimit në zinxhirin urdhërdhënës, do të përfundonte me disa anëtarë të tij të vrarë dhe pjesën tjetër të të mbetur robër në duart e serbëve. Në këtë rast, Thaçi dhe Mustafa (ky i fundit nuk mund të mbetej jashtë loje në rast se kriza shkallëzohej) do të ishin të kënaqur që të arrinin në marrëveshje me Serbinë, me ndërmjetësim ndërkombëtar sigurisht, ashtu që në këmbim të lirimit të robërve dhe kufomave të njerëzve të ROSU, treni të shkonte deri në Mitrovicë. Pastaj Thaçi dhe Mustafa do të kishin bërë një funeral shtetëror madhështor për policët e vrarë, do të përshëndesnin robërit e liruar si heronj, do të shpërndanin dekorata, me ç? rast do të mbanin fjalime të bujshme.
Vuçiç nuk trembej nëse situata shkallëzohej deri në atë pikë sa grupi policor i dërguar nga Prishtina të rrethohej në Jarinjë dhe të mbahej peng atje, qoftë edhe me ditë të tëra. Vuçiç trembej, dhe këtu duhet thënë për karrierën e tij politike, jo se do të kishte ndonjë rrezik për Serbinë, që pastaj kontrollin e ngjarjeve nga pala serbe ta merrnin të tjerë, që kishin si qëllim edhe eliminimin e tij politik. Të tjerë të cilët nuk i trembeshin përgjegjësisë për të ndërmarrë veprime jashtë linjës së urdhrave zyrtare, sepse kishin mbështetjen e dikujt tjetër të fuqishëm, të Presidentit Nikoliç, i cili do të kënaqej nëse kjo krizë do të sillte eliminimin politik të Vuçiçit.
Këta të tjerë do ta çonin krizën përtej asaj që ishte parashikuar, duke krijuar edhe betejë të gjerë mes forcave të Policisë dhe Xhandarmërisë së Serbisë dhe forcave policore të Kosovës, të vendosura në Jarinjë. Prandaj Vuçiç vendosi t? i jepte fund shfaqjes që pa nisur mirë ajo, duke e ndalur trenin që para se të arrinte në Jarinë. Vuçiç i dha fund lojës sepse nuk ishte i sigurt për luajalitetin e të vetëve.
Tani në Beograd janë duke u zhvilluar në rrethin e udhëheqjes politike serbe debate për atë që ndodhi dhe si ndodhi. Nga Moska kërkohen shpjegime. Ai që duhet të japë shpjegime i pari është Vuçiç. Dhe ky do t? ia nisë duke pyetur për ekzistencën e një Plani B të panjohur prej tij.
Shkurt, këtë herë loja, ajo pjesë e saj që kishte rëndësi, u luajt vetëm në Beograd. Herën tjetër nuk do të ndodhë kështu. Dhe ndryshe nga ç? thotë Thaçi, ky operacioni serb me trenin rus nuk kishte si qëllim thjesht shkëputjen e Kosovës Veriore. Qëllimi kryesor i Beogradit ishte që të sjellë forca policore-ushtarake serbe në enklavat serbe në Kosovë. Kuptohet, kjo çështje do të hapej nëse historia e trenit do të kishte përfunduar me gjakderdhje./

Lajmet e fundit nga