Aktualitet
(FOTOT) Basha e çon për denoncime/ Sekretari përfundon në Kampionatin e Bilardos
I dërguar në Librazhd me paratë e Partisë Demokratike për të denoncuar skandalet e qeverisë në këto ditë të ftohta, Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, ka përfunduar duke luajtur bilardo dhe duke pirë.
Në fakt, kjo është gjithashtu zona e deputetit të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili duhej të ishte në qendrën e denoncimeve të Salianjit, për mjerimin dhe kushtet e vështira në të cilën ndodhen qytetarët si pasojë e braktisjes nga qeveria.
Por, siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme, beteja midis Salianjit dhe Ballës zhvillohet në rrjetet sociale. Deputeti socialist shfaqet duke ndihmuar banorët e kësaj zone. Ai ka zbritur në rrugë duke shtyrë makina që kishin probleme me qarkullimin apo duke ndihmuar qytetarët në nevojë.
Nga ana tjetër, Sekretari që do denoncojë skandalet e qeverisë, poston foto me ‘çunat e lagjes’ së Librazhdit. Ai shihet duke luajtur bilardo “kush humb paguan” nga një pije. Një burim i tha citynews se në lojën finale, kur sfida ndahej vetëm nga një bilë, Salianji tha se kundërshtari bëri hile dhe detyrimisht pijet i “ngecën” qytetarit. Menjëherë pas lojës së bilardos, Salianji shkoi me humbësin në lokal, ku mësohet se si fitimtar, ai i ra “qylit”, por ama ata u kënaqën pasi konjaku ishte prodhim “i bërë vetë”.
Përtej sarkazmës, fatkeqësisht kjo është panorama e Ervin Salianjit si Sekretar i Aksionit Qytetar në PD. Ai dërgohet nga Lulzim Basha për të denoncuar skandalet e qeverisë dhe për tu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, ndërkohë Salianji poston foto duke luajtur bilardo dhe duke pirë.
Fakti që Salianji është komshi me Taulant Ballën dhe mik me Sadri Abazin, nuk i jep të drejtë të tallet nën emrin e opozitës, e cila pret aksion të vërtetë qytetar dhe jo zhvillimin e Kampionatit të Bilardos. Kjo tregon se ai ka frikë ose është ortak me deputetë të kampit socialist.
Në fund, pasi argëtohet, shpallet fitimtar dhe i bie qylit në pije, Salianji i raporton Bashës se ka kryer denoncime dhe ka ndihmuar qindra familje. Me ‘madhështinë’ që e karakterizon, ai nuk nguron ti tregojë kreut demokrat se qytetarët tentuan ti bënin hile, por ai si politikan i vëmendshëm arriti ta kuptojë dhe siç i ka hije edhe kur është humbës, fitorja është e tija./citynews