LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Policia rrethon ambasadat

22 Dhjetor 2016, 08:04, Aktualitet CNA

Autoritetet shqiptare nuk e përjashtojnë mundësinë që vendi ynë të jetë objekt i sulmeve terroriste të ISIS. Edhe pse deri më tani nuk ka pasur ndonjë kërcënim konkret, ambasada ruse në Tiranë është marrë në ruajtje nga policia. Në planin e masave, forcat e sigurisë dhe shërbimet e përforcuara u vendosën edhe në ambasadat e tjera në kryeqytet, kryesisht ato të vendeve të BE-së. Sipas policisë, deri më tani nuk ka sinjale se mund të ketë sulme terroriste, por gjithsesi masat janë marrë për të parandaluar çdo lloj rasti. ?Drejtoria e Policisë së Shtetit ka analizuar nëpërmjet strukturave të saj të shërbimeve sekrete, por edhe të sigurisë fizike, të gjithë situatën në vendet e rajonit dhe ngjarjet e fundit që kanë ndodhur. Por në situatën kur flasim, theks të veçantë ka marrë sidomos ruajtja e objekteve të rëndësishme shtetërore, të ambasadave apo përfaqësive diplomatike, të rezidencave të tyre, të depove të ujit, si dhe të depove në të cilat ruhen sende të rrezikshme?, tha Albert Dervishaj, shef i Sektorit të Rendit në Policinë e Shtetit.

Sektori i policisë kundër akteve terroriste ka përcjellë dhe ka marrë informacione për të monitoruar situatën, por asnjë nga këto informacione nuk bën me dije plane për akte terroriste. Vrasja e ambasadorit rus në Turqi alarmoi një sërë shtetesh, përfshirë dhe Shqipërinë. Duke qenë se ne jemi ndër vendet ku ka anëtarë të ISIS, frika e autoriteteve është se mund të ketë sulme të ngjashme. Rusia është rreshtuar krah shteteve që luftojnë ISIS dhe kjo ka sjellë dhe sulmet ndaj zyrtarëve të saj. Prezencë e shtuar e forcave të policisë është vënë re dhe pranë ambasadës gjermane dhe asaj amerikane. Këto janë selitë diplomatike më të rëndësishme në vendin tonë dhe shtete kryesore të luftës ndaj ISIS dhe për pasojë mund të jenë objektiv i lehtë i sulmeve.

 

Lajmet e fundit nga