LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Qeveria Mustafa më jotransparentja që ka pasur Kosova”

17 Dhjetor 2016, 15:07, Aktualitet CNA

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sot ka mbajtur një konferencë për medie ku u shpalos Raporti e Lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve,”Treguesit e Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë”.

Raporti, i punuar nga hulumtuesi e gazetari Petrit Çollaku, është i ndarë në tri grupe: Mbrojtja ligjore e lirisë së mediave; Pozita e gazetarëve nëpër redaksi, etika profesionale dhe niveli i censurës, dhe Siguria e gazetarëve, transmeton Koha.net.

Sipas këtij raporti legjislacioni vendor ofron garanci për lirinë e shprehjes, të mediave dhe informacionit mirëpo vlerësimi i përgjithshëm i të gjithë gazetarëve dhe ekspertëve të intervistuar është se zbatimi i garancive të tilla ligjore është i dobët në praktikë.

Kurse në rrafshin e qasjes në dokumente publike, raporti pasqyron një shifër të madhe të refuzimeve që i janë bërë gazetarëve.

?Ligji për qasje në dokumente publike vazhdon të jetë ligji që nuk respektohet nga institucionet shtetërore. Sipas anketës, 78% të gazetarëve kanë theksuar se institucionet shtetërore kanë refuzuar t?u japin qasje atyre në dokumente publike, të nevojshme për raportimin e tyre. Gazetarët e anketuar thonë se Kuvendi i Kosovës është më i hapur ndërsa qeveria është më e mbyllur?, thuhet në raport.

Në këtë pikë edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj ka thënë se qeveria aktuale është tej mase e mbyllur.

?Mund të them se kjo qeveri është qeveria më jotransparente që ka pasur Kosova. Qeverisja Thaçi nuk ka qenë shumë transparente, por Qeveria Mustafa është shumë jotransparente. E pasqyrojnë vetë shifrat, 78% e gazetarëve janë refuzuar të kenë qasje?, ka thënë Hysenaj.

Problemi tjetër i pasqyruar në këtë raport është ana ekonomike e gazetarëve, e cila thuhet se është përkeqësuar gjatë viteve, ku përpos mungesës së kontratave, ka edhe borxhe për muaj të tërë punë e nuk ka kompensim për orët shtesë.

Fjalë jo të mira janë drejtuar sistemit të drejtësisë, që sipas këtij raporti nuk është fare efikas në trajtimin e lëndëve kur sulmohen apo kërcënohen gazetarët.

?Kur bëhet fjalë për sigurinë e gazetarëve, ata thonë se sistemi i drejtësisë nuk është efikas në trajtimin e lëndëve të tyre kur ata kërcënohen apo sulmohen fizikisht. Sipas AGK-së, që nga viti 2014 e deri më tetor 2016, janë paraqitur 43 raste, shumica prej tyre kërcënime dhe sulme fizike. Ndërsa, sipas statistikave të policisë, që nga viti 2013 e deri më gusht 2016, 63 gazetarë kanë raportuar rastet e tyre në polici?, thuhet në raport.

Raporti rekomandon partitë politike që të heqin dorë nga ushtrimi i ndikimit në transmetuesin publik. AGK rekomandon po ashtu që Kuvendi i Kosovës duhet të gjejë një zgjidhje të duhur financiare për RTK-në.

Ky raport paraqet rezultatet e hulumtimit të kryer në kuadër të projektit rajonal ?Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për avokim për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve?, i cili zbatohet nga asociacionet kombëtare të gazetarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.

Aty u prezantua edhe platforma online e raportimit të rastit kur sulmohen, kërcënohen apo shkelen të drejtat e gazetarëve: www.safejournalists.net.

Lajmet e fundit nga