LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Kastriot Myftaraj/ Pse Arben Malaj ka turp të shkruajë në CV-në e tij zyrtare në Bankën e Shqipërisë që është rektor i Universitetit të Fanes ?

6 Dhjetor 2016, 16:22, Aktualitet CNA

Megjithëse prof. dr. Arben Malaj ka katër muaj që është bërë rektor i Universitetit ?Luarasi? (a nuk duhet që universiteti të merrte si emër mbiemrin e pronarit të ri pas ndryshimit të pronësisë, pra të quhej ?Hysenbelliu?), ai nuk e ka pasqyruar këtë detaj në CV-në e tij zyrtare si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, në faqen zyrtare onlinë të BSH. Megjithëse gjysma e tekstit të CV-së së tij është e mbushur me veprimtarinë e tij akademike. A ka publicitet më të keq për një universitet se ky që rektori i tij ka turp të shënojë emrin e universitetit në CV-në e tij zyrtare? Dhe a ka tregues më elokuent të saj se çfarë është në të vërtetë ky universitet?

Ardhja e Arben Malajt në drejtimin e Universitetit ?Hysenbelliu? (?Luarasi?) është një histori e llojit të konsulencës që Malaj bënte dikur për skemat huamarrëse piramidale, për të cilat ai kur i përmendën një shifër në Kuvend, në kohën që ishte ministër, tha se mund të kenë qenë edhe më shumë, dhe se nuk i vinte turp, pasi kishte dhënë konsulencë financiare si ekspert. Nuk është rastësi që profesor Malaj erdhi në krye të universitetit të Fanes, vetëm një muaj pasiqë në korrik të këtij viti u emërua nga shumica parlamentare në pushtet anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë ka kompetenca të mëdha në mbikqyrjen e kredive të këqija bankare dhe një nga kreditorët më të mëdhenj të këqinj në Shqipëri është pikërisht pronari i Universitetit ku Ben Malaj u bë rector, Fania. Ben Malaj do të mbrojë interesat e Fanes në Bankën e Shqipërisë. Marrëveshjen mes tyre e ka bërë Erion Veliaj, i cili e ricikloi Ben Malajn në detyra të larta shtetërore, duke e marrë në fillim si kordinator ekonomik të Bashkisë së Tiranës.
Ben Malaj ka një dëshirë të madhe për të folur papushim në ekranet televizive dhe këtë dëshirë tani ia plotëson Fania, duke i hapur pa kufizim kohor dyert e studiove të televizionit ku është bashkëpronar, News 24. Nuk është ironi e vogël që një anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë del e flet papushim bashkë me vajzën e tij, në një televizion që është i lidhur me një histori kredie të keqe bankare.

Anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë paguhen shumë mirë dhe përveç pagës kanë edhe bonuse të shumtë. Kjo bëhet sepse ata kanë një detyrë me rëndësi të madhe për financat publike, që iu merr shumë kohë, nëse kryhet me përgjegjshmëri të madhe. Aq më tepër në një vend si Shqipëria ku në bankën qendrore kanë ndodhur historitë që tashmë i dimë. E nëse ata do ta kryejnë këtë detyrë me seriozitet, kuptohet se nuk do të kenë kohë për të bërë punë të tjera, aq më pak si puna e rektorit në një universitet që kërkon shumë kohë ditore. Pra, profesor Beni, ose nuk bën seriozisht detyrën në Bankën e Shqipërisë, ose atë të rektorit. Në të vërtetë nuk bën asnjërën seriozisht.
Por realiteti financiar bankar është kryeneç dhe imponohet, ashtu si realiteti i financave të skemave piramidale. Në Itali kreditë e këqija bankare janë në masën 18% (një e treta e atyre europiane) dhe sistemi financiar i këtij vendi quhet shumë i ekspozuar ndaj rrezikut. Në Shqipëri ku deri pak kohë më parë kreditë e këqija ishin në masën 24-25%, në një pakt kriminal mes Bankës së Shqipërisë dhe Qeverisë u përdor iluzionizmi për të zbutur problemin, duke u miratuar një ligj që një pjesë e kredive të këqija, ato që janë krejt të pashpresa, të mos regjistrohen fare në bilancet e bankave. Kështu, përqindja e kredive të këqija u ul me disa pikë. Në realitet këto kredi vazhdojnë të rëndojnë mbi bankat. Bankat e pranuan këtë marrëveshje sepse u joshën me kanalizimin në to të parave të biznisit të canabis sativa.

Por masa e kredive të këqija vazhdon të rritet dhe sot në total është diku te 30%. Sipas standardeve serioze europiane, kjo do të thotë se një pjesë e madhe e bankave janë shndërruar në piramida. Një tregues për këtë është edhe ai që qeveria dërgoi në Këshillin Mbikqyrës të bankës qendrore profesor Benin e piramidave. Vetë universiteti ku profesor Beni është rektor, është një piramidë në llojin e vet, duke qenë se mbi të rëndon një kredi bankare.
Fakti që një anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë është i punësuar dhe paguhet nga një prej kreditorëve më të mëdhenj të këqinj të vendit, është domethënës për besueshmërinë e punës së Këshillit Mbikqyrës mbi rrezikun që paraqesin për stabilitetin financiar të vendit kreditë e këqija./Kastriot Myftaraj

Lajmet e fundit nga