Connect with Us

E enjte pa Doktor

Aktualitet

E enjte pa Doktor

Publikuar

-

Nga meraku se mos u shpifet majasilli shqiptarët nuk i lënë kurrë pa i parë në televizor debatet e të enjtes mbrëma. Këtë të enjte mbrëma u bë hataja. Te Topi Edi Rama. Te Klani Lul Basha. Te Newsi Abas Aliu, Te Ora Ben Blushi. Nga një kanal në tjetrin, zjarr e flakë telekomanda. E enjte televizive kaq e ngjeshur nuk ishte parë. Abas Aliu e menazhoi mrekullisht. La përshtypjen sikur po kthehej nga një vizitë purifikuese në Teqenë e Alipostivanit.

Duke shtrënguar fort në duar timonin e një fuoristrade, e realizoi me sukses zbritjen e rrezikshme nëpër kthesat e ngushta rrëshqitëse të Hambullës. Derisa ja doli mbanë, zbriti paq në Mullirin e braktisur në rrugën e asfaltuar, ku mori frymë thellë, gati për betejat e tjera të afërta dhe të largëta. Lubonja nuk arriti ta gozhdojë Abas Aliun përmes mjaullimave përdredhëse. Shigjetat e helmatisura verbale dhe piruetat linguistike të Bushatit nuk e prekën edhepse Bushati e zbrazi të tërë arsenalin e lapsit të mprehur fort si e lypte ky rast. Me racionalitet elbasanlliu dhe delir kolonjari, Blushi dha e mori me virtuzitet letraro artistik të pashoq.

Duke shfrytëzuar sa mundi handikapin video ndaj perfeksionizmit ortografik, arriti ta shmangi hellin e lyer me dhjamë komunist që Dran Hila provoi t’ja fuste duke ja rrëshqitur urtë e butë. Në këtë mënyrë Blushi ja arriti ta kapërxejë Qafën e Qederit dhe doli gjallë te Qafa e Qarit. Çfarë Blushi bëri gabim ishte retorika me “të varfër” e “të pasur” ashiqare huazuar nga propaganda e kurvit. Blushi bën mirë që, për rendiment sa më të lartë për veten dhe më pak bezdi për audiencën, herë tjetër ta ujdisi më mirë thep-shqekzën. Se “të varfër” dhe “të pasur” ka pasur, ka, e gjithmonë do ketë. Apo jo Blush ? Basha nuk e pati të vështirë. Diti ta shfrytëzojë përvojën. Energjinë, aftësinë artikukuese, stilin, i ka tamam për Kryeministër të ardhshëm pas pak muajsh. Çfarë Edi Rama po bën me Merkelin dhe Putinin është pakashumë çfarë bënte Ali Pashë Tepelena me Napoleonin dhe Carin e Rusisë. Por pak më ndryshe. I ka hy Danubit më këmbë dhe Uraleve me not. I ka varur shresat te shkeslliku. Putinin që synon ta pushtojë Amerikën po kërkon ta martojë me Bleona Qerretin.

Merkelit që i qan syri (jo i Çim Pekës) për Ballkanin po do t’i japi për burrë Ditmir Bushatin. Thotë Rama me vete; Sa kohë ata të dy të jenë të zënë me dasmat dhe me muajt e mjaltit, e pushtoj botën. Le ta pushtojë Rama botën. Manovrat me dasma kanë rezultuar të suksesshme. I vetmi problem është që gjatë pushtimit të botës, ose së paku zgjerimit të Shqipërisë sa Rusia, të gjejë një mënyrë për ta bindur kallaballëkun se nuk po vepron si kurvi i cili manovrat me Rusinë, Jugosllavinë, Kinën, i bënte për të ruajtur bythën e vet, por si Pashai i Janinës për të ndërtuar Shtet. Rama bëri dhe një gabim që si autor i disa librave nuk i falet. Ngatërroi diçka.

LEXO EDHE:  DW: Shansi i fundit për Shqipërinë, Merkel takon të dielën Macronin

“Të urtat gjer në dhimbje, të thjeshtat gjer në madhështi” është nga një kryevepër antikonformiste “Mësueset e Fshatit”, dhe jo perifrazim nga soc-letërsia. Ndodhën pra plot gjëra gjatë kësaj të enjteje mbrëma. Megjithatë e enjtja sesi ishte, sesi mbeti, si pa lezet, pa energji, pa këndshmëri. Çudi pse mbeti kaq e flashkët kjo e enjte. Gjatë asaj dite gjithçka ndodhi si dhe më parë; Televizionet lexuan si çdo mëngjez titujt e gazetave. Kanabisi i korrur vazhdoi të transportohet shumë dhe të kapet pak. Njerëzit u ulën nëpër kafenera. Thikat therën fytet. Kush vrau, pati sukses. Kujt i qe shkruar të vritet, u nis te të shumtët. Epo pse pra e enjtja mbrëma qe aq e sheshtë, aq e shpëlarë ? Për atë që ka dy pare ment në kokë përgjigja është e thjeshtë. Sepse mungoi Doktori. Pa Doktor në Shqipëri nuk ka të enjte televizive, as të premte të zezë, të shtunë pushimi, të djelë turizmi, të hënë pune, të martë gallate, të mërkurë qefi. Pa Doktor Shqipëria është bosh. Pa Doktor në Shqipëri nuk ndodh asgjë.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politikë

Nishani tregon strategjinë/ Si mund të rikthehet PD në pushtet

Publikuar

-

Nga

Nishani tregon strategjinë/ Si mund të rikthehet PD në pushtet

Ish-presidenti Bujar Nishani, anjëkohësisht kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, ka komentuar rezultatin zgjedhjeve të 25 prillit që solli humbjen e demokratëve.

I ftuar në ‘Opinion” ai tha se opozita ka një problem shumë të madh, pasi sipas tij nuk ka arritur që të fitojë besimin e shumicës së shqiptarëve.

Ish-presidenti ka treguar dhe mënyrat se si mund të forcohet PD, në mënyrë që të rikthehet në qeveri.

“Ndryshimi i madh që u bë në vitin 2005, erdhi pikërisht për këtë që ofroi personalitete, po ashtu unifikoi idenë.

Ishte etje për opinionin publik që kishte të bënte me luftën kundër korrupsionin. Ky është një problem i madh, pasi nuk ke arritur që të fitosh besimin e shumicës së shqiptarëve.

 Çështja e mungesës së besimit të publikut është një problem që ekziston.  PD dhe aleatët e saj kanë pasur problemin më të madh se nuk kanë depërtuar tek pjesa e heshtur e publikut.

Mua nuk më intereson fare se çfarë mendon Rama, ai e bën në interes të synimit politik të tij. Mua më intereson që e djathta, duke bërë dhe analizën, të kalojë në atë që është një spektër. Në këtë spektër duhet të përfshirë programet, idetë dhe interesat e pjesës së popullsisë që është sot më aktive”, tha Nishani./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Politikë

“Deputetët janë të nënshtuar ndaj kryetarit”/ Mentor Kikia: Çdo Parlament do jetë më i mirë se ky që është

Publikuar

-

Nga

“Deputetët janë të nënshtuar ndaj kryetarit”/ Mentor Kikia: Çdo Parlament do jetë më i mirë se ky që është

Gazetari Mentor Kikia ka komentuar mbrëmjen e sotme zhvillimet politike pas zgjedhjeve të 25 prillit, nga të cilat PS arriti të merrte mandatin e tretë.

Në një intervistë për A2 Kikia u shpreh se shqetësim është integriteti publik për ata që shkojnë në Parlament, duke shtuar se problem i deputetëve shqiptarë është nënshtrimi ndaj kryetarit dhe u mungon kurajoja për të kundërshtuar një ligj apo vendim që bie ndesh me interesin publik.

Sipas tij, ky Parlament do të jetë shumë më i mirë se Parlamenti që po lëmë pas.

Parlamenti detyrën parësorë e ka bërjen e ligjeve dhe njerëzit që vijnë nga jurisprudenca, janë të domosdoshëm, por përtej profesionit që ka secili prej ligjvënësve ata duhet të kenë një staturë publike. Parlamenti nuk është akademi shkencash, që të kemi ajkën e shoqërisë apo inteligjencën. Ata janë përfaqësues të popullit më shumë se elita e kombit.

Është një kategori profesionistësh që udhëheqin procesin e ligjbërjes por ajo që më shqetëson është integriteti publik. Njerëz që pavarësisht statusit profesional kur shkojnë në parlament nuk janë asgjë më shumë se njerëz të bindur të kryetarit, kjo e zhvlerëson këtë njeri.

Mua më duhet njeriu me integritet që kur qeverisa sjell një ligj që bie ndesh me interesat e publikut të kenë kurajon publike e qytetare që kjo nuk bën dhe duhet ndrequr. Por na rezulton që janë të nënshtruar nga vullneti i kryetarit dhe nuk na hyn në punë diploma, nëse do flasim për cilësi parlamenti. Çdo parlament do jetë më i mirë se ky që po lëmë“, tha ai për A2./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Politikë

Pas përplasjeve me Vasilin/ Luan Rama rikthehet në Vlorë: Rezultati nuk na e shpërbleu punën

Publikuar

-

Nga

Pas përplasjeve me Vasilin/ Luan Rama rikthehet në Vlorë: Rezultati nuk na e shpërbleu punën

Nënkryetari i LSI-së dhe drejtuesi politik për këtë parti në qarkun e Vlorës, është rikthyer në qytetin bregdetar pas përplasjeve me Petrit Vasilin dhe injorimit të Monika Kryemadhit.

Pavarësisht se nuk mundi të fitojë mandatin e deputetit, Rama ka falenderuar koordinatorët dhe shtabet elektorale të LSI-së me të cilin punoi gjatë fushatës.

Në një status në rrjetet sociale, ai deklaron se ekipet e LSI-së janë të mbushura me djem dhe vajza të mrekullueshëm.

“Përsëri në Vlorë: Mirënjohje për angazhimin dhe punën me përkushtim. Përsëri në Vlorë, për të falenderuar me gjithë zemër dhe për t’ju shprehur mirënjohjen dhe respektin të gjithë koordinatorëve të LSI-së dhe shtabeve elektorale të saj që punuan me shumë pasion dhe përkushtim.

Pavarësisht rezultatit që nuk shpërbleu punën e bërë përballë makinerisë kriminale të pushtetit, ekipet e LSI-së të mbushura me djem dhe vajza të mrekullueshëm, ia dolën të fitojnë respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, çka është një motiv më shumë për të qenë të bashkuar dhe për t’u bërë zëdhënës dhe mbrojtës të interesit qytetar.

I detyruar përulësisht ndaj të gjithë veprimtarëve të LSI-së dhe qytetarëve të Vlorës, Sarandës, Himarës, Selenicës, Delvinës, Finiqit dhe Ksamilit, unë nuk do të resht së foluri për problemet e tyre, për të përligjur respektin dhe mbështetjen e me zemër që më dhanë”, shkruan Luan Rama./ CNA.al

Petrit Vasili e “nxjerr jashtë loje”/ Luan Rama: Shqiptarët duhet të mësojnë të vërtetën

LEXO TE PLOTE