Aktualitet
Kënd i ri lojrash në Komunën e Parisit
Një ambient për fëmijët e të gjitha grupmoshave, i konceptuar edhe për çlodhjen e të moshuarëve dhe komunitetit përreth, është përuruar sot në Komunën e Parisit.
Ky është këndi i 6 i lodrave për fëmijët e kryeqytetit, që do t’i shërbejë një prej lagjeve më të mëdha të Tiranës.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet tha se deri në fund të vitit, të gjitha lagjet e Tiranës do të kenë këndin e tyre të lodrave.
Në bashkëbisedimin e tij me fëmijët, kryebashkiaku u kërkoi atyre dhe prindërve që ta mirëmbajnë dhe të mos e dëmtojnë.
Në ambientin e rikonceptuar tërësisht janë shtruar rreth 300m2 trotuare të reja të pajisuara me rampa, me sinjalistikë të re, ndërsa 9 nga pemët e reja janë marrë nga sheshi “Skënderbej”, pas punimeve që po kryehen në këtë shesh.
Ndërkohë, janë vendosur edhe 17 stola që do të shërbejnë si mjedise çlodhëse për prindërit apo gjyshërit dhe gjyshet e më të vegjëlve.