LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Është koha që emigrantët të kenë partinë e tyre/ Nga Alban Daci

27 Tetor 2016, 06:50, Aktualitet CNA

Në politikë shqiptare ka tre mënyrë ekzistence. E para është të jesh vasal. Kjo do të thotë se prania jote nuk është asgjë, nuk peshon asgjë. Pra, ti je thjeshtë një numër për të plotësuar formalisht e demokratikisht mënyrën e tyre për të qeverisur e për të shtypur. Mënyra e dytë është të jesh kundërshtar. Kjo është një mënyrë e përkohshme që ka vetëm pasoja e aspak privilegje. Ndërsa forma e tretë është të jesh partner. Kjo do të thotë, se prania jote është fortë dhe atyre nuk ju leverdis të bëjnë armik, por të konsiderojnë partner dhe të përfshijnë në interesat dhe strategjitë e tyre.

Skena e re politike po duket mjaft interesante kohët e fundit me krijimin e subjektit të ri politik të Blushit, me aktivitetin dhe iniciativën e re politike të Agron Dukës. Këto iniciativa nuk kanë në vetvete qëllimin e tyre për të qenë kundërshtarë dhe as për të qenë vasa. Përkundrazi, këta kanë vendosur të dalin në “shpi” në vetë, për të rritur praninë e tyre në sistemin politik shqiptar dhe për tu kthyer partnerë të politikave të mëdha duke përfituar privilegje.

Politika shqiptare është munduar me forma të ndryshme ta kontrollojë, përdor e ta manipulojë emigracionin. Këtë e ka bërë formalisht duke e bërë për sy e faqe pjesën të tijen. Si ka ndodhur kjo? Partitë politike shqiptare janë mundur kohët e fundit të krijojnë degët e tyre nëpër emigracion, por për shkak të mungesës së seriozitetit, interesimit të tyre si dhe për shkak të rrethanave nuk kanë funksionuar kurrë si të tilla dhe kjo lidhet edhe më një kriter esencial e thelbësor të demokracisë e politikës, të drejtën e votës. Kjo e fundit bën pjesë tek të drejtat politike të njeriut. Përderisa emigrantët nuk e gëzojnë këtë të drejtë, ata nuk gëzojnë asnjë formë apo forcë të jenë faktor politik e të prodhojnë politikë. Në këto rrethana degët e partive politike të krijuara në emigracion kanë pasur qëllime konkrete për t’i manipuluar emigrantët dhe për t’i përdorur thjeshtë si numra për ruajtjen ose marrjen pushtetit.

Sistemi politik shqiptar në çdo formë të tij është i centralizuar, ose bllokist. Çdo gjë kontrollohet e komandohet vetëm nga Tirana, ose më saktë, sot ka një lokal në ish Bllok që quhet “Solomoni”, ky të ngjan me selinë e një “Shtab të Përgjithshëm”.

Ka plotë argumente që sistemi politik shqiptar është super i centralizuar. Për shembull në partitë politike shqiptare nuk ka demokraci të brendshme e nuk ka delegim pushteti, por ka vetëm kryetar suprem që bëjnë garë me vetën.

Në një sistem të kësaj natyre super të centralizuar, ka vetëm një mënyrë për tu bërë partner me ta. Kjo mënyrë është të bëhesh i ngjashëm me ta dhe prania jote të jetë aq e fortë sa veçimi prej tyre është një rrezik dhe një kosto e madhe për ta.

Subjektet e reja politike që po krijohen në vend duan të zgjerojnë pjesëmarrjen në privilegje dhe vendimmarrje e për rrjedhojë duan ta bëjnë sistemin më të hapur e më të dobishëm duke rritur kështu filozofinë e bashkëpunimi dhe duke zhdukur më shumë ndjesinë e vasalitetit e për rrjedhojë duke përjashtuar ndjesinë e kundërshtarit.

Pra, o të gjithë së bashku tek bar “Solomoni”, me privilegje e me vendimmarrje, ose ata që janë lënë jashtë tek trotuari, një ditë do të mërziten aq shumë sa do të vendosin t’i thyejnë xhamat barit e të hyjnë me forcë brenda duke dërmuar çdo klientë të privilegjuar e duke thyer e dëmtuar orenditë e brendshme.

E drejta e votës së emigrantëve është e vështirë për sa kohë këta nuk trajtohen nga politika shqiptare si partner, por si vasal. Ka një rrugë që kjo të mos ndodh më. Kush është kjo? Emigrantët duhet të jenë të dukshëm me praninë e tyre në politikë e kështu të kthehen në partnerë të privilegjeve dhe vendimmarrjes.

Emigrantët duhet të vendosin të krijojnë partinë e tyre që duhet të përfaqësojë ekskluzivisht emigrantët dhe problemet e sfidat e tyre. Kjo parti duhet të themelohet në Tiranë dhe selinë e saj kryesore ta ketë vetëm në Tiranë.

Kjo parti duhet të jetë e qendrës dhe për shkak të rrethanave e natyrës duhet të jetë gjithmonë në pushtet dhe në qeverisje. Pra, sa herë të krijohet një qeveri, Partia e Emigracionit duhet të jetë pjesë e saj. Pse duhet të ndodh kjo? Sepse, duhet të kemi në konsideratë edhe numrat dhe matematikën. Thuajse gjysma e shqiptarëve janë emigrantë dhe ata nuk mund të vazhdojnë të jenë të pa përfaqësuar.

Kur do të ishte momenti i nisjes së iniciativës së krijimit të Partisë së Emigracionit? Qeveria Socialiste po bën një gjë shumë të mirë duke organizuar  për herë të parë Samitin e  Diasporës.

Unë, personalisht propozoj që ky Samit të kthehet në Kongresin e Parë të themelimit të Partisë së Emigracionit! Nëse emigrantët nuk përfaqësojnë fillimisht vetën e tyre, askush kurrë nuk ka për ti përfaqësuar ata. /Citynews

Lajmet e fundit nga