Aktualitet
Të refuzojmë politikën konfliktule/ Të mos provokojmë tek të rinjtë largimin
Kreu i LSI, Ilir Meta në një takim me të rinjtë e Vlorës, tha se është detyrë që të refuzojmë këtë politikë konfliktuale, e cila ushqen tek të rinjtë ëndrrën e largimit.
“Politika duhet të përqendrohet më mirë te reformat që përmirësojnë dhe japin impakt në jetën e të gjithë qytetarëve dhe mbi të gjitha jemi një vend modest që nuk e ka luksin që përmes këtij konflikti, të vazhdojë t’u provokojë të rinjve tanë ëndrrën e largimit për fat të keq nga vendi. Për arsye sepse këtu mjedisi politik social dhe ekonomik, por edhe edukativ nuk krijon ato kushte dhe ato premisa ku të rinjtë të ndihen të motivuar dhe të sigurt për të ardhmen e tyre. Ndaj është një detyrë në radhë të parë e të rinjve që ta refuzojnë këtë politikë konfliktuale, artificiale. Këtë politikë që energjitë e pafundme që shqiptarët kanë edhe si një popull mesdhetar, por edhe si një popull ballkanik, të shkojnë gjithnjë në kundërvënie të njëri-tjetrit. Ne këto energji duhet t’i çojmë në një drejtim të përbashkët”, tha kreu i LSI-së, ndërsa u ndal edhe te politikat e kësaj force politike.
“Kjo është edhe politika e LSI-së, edhe për reformën në drejtësi kjo ishte politika e LSI-së. Sepse ne besojmë se vendi ka nevojë për një drejtësi të pavarur, efikase, që krijon besimin tek qytetarët të funksionimit të ligjit dhe të shtetit ligjor, që u jep atyre të drejtat që u takojnë, që lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sepse kjo është shumë e rëndësishme për të krijuar një mjedis më pozitiv dhe më optimist për zhvillimin e ekonomisë, për nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja dhe për të krijuar vende të reja të punës. Vende të reja të punës sa më të mira, me kushte dhe paga sa më të mira sepse është shumë e rëndësishme që ne jo vetëm të hapim vende pune, por edhe të hapim vende pune sa më cilësore”, vijoi kryetari i LSI-së.
Meta deklaroi se kjo kërkon edhe një angazhim më të madh në drejtim të investimit për formimin profesional, në drejtim të krijimit të mundësive të të rinjve për t’u integruar në tregun e punës dhe njëkohësisht të zhvillimit të arsimit edhe në funksion të strategjisë për zhvillimin qëndrueshëm ekonomik të vendit. /Citynews.al