LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kriza, gjobat e taksat, Si po falimentojnë mijëra biznese në kryeqytet

8 Tetor 2016, 07:59, Aktualitet CNA

Vetëm në 8 muajt e këtij viti janë depozituar rreth 3 mijë kërkesa për çregjistrim biznesi në Tiranë. ?Monitor? zotëron listën e plotë të këtyre sipërmarrjeve dhe ka realizuar një sondazh me një kampion përfaqësues prej 300 biznesesh. Nga kriza, konkurrenca e shtuar, gjobat, taksat e larta, kalimi nga biznes i vogël në të madh, të gjitha arsyet që po zhysin në krizë biznesin, ku ai i vogli është më i prekuri dhe më i dobëti për të mbijetuar. Qeveria qëndron indiferente dhe nuk ka asnjë strategji për të riorientuar ekonominë drejt një modeli më të qëndrueshëm për të ?shpëtuar? (vetë)punësimin?
Elona Gina, në qershor të vitit 2015, vendosi që të hapte një biznes të vogël, bar-restorant, pranë zonës së liqenit artificial. Por nuk arriti të mbijetojë as për një vit. Kur arriti në pikën ku nuk po përballonte dot më barrën e taksave, presionin e inspektorëve të tatimeve përmes kontrolleve të shpeshta, së bashku me faturën e lartë të energjisë elektrike që vinte në fund të çdo muaji, ajo vendosi ta mbyllte aktivitetin. Tani ajo është një numër më shumë në statistikat e papunësisë.
Si Elona janë rreth 1500 biznese që kanë bërë kërkesë për çregjistrim në QKR, pa kaluar ende 12 muaj nga fillimi i aktivitetit. Shumë prej tyre, që u detyruan të regjistrohen kur filloi aksioni antiinformalitet, shpejt e kuptuan që të formalizuar nuk mund të mbijetonin?
??Monitor? ka siguruar nga tatimet, listën e bizneseve që kanë bërë kërkesë për çregjistrim në 8 muajt e parë të 2016-s në Tiranë. Në total janë rreth 3000 biznese të tilla, nga të cilët 82% janë biznes i vogël, 13% biznes i vogël me TVSh dhe 5% biznes i madh.

 

Nga kjo listë u përzgjodh një kampion përfaqësues prej 300 biznesesh, të cilët u anketuan përmes telefonit nga ?Monitor? dhe janë pyetur në lidhje me arsyet pse janë mbyllur këto aktivitete .
Rezultatet e sondazhit tregojnë se bizneset e vogla janë ato të cilat janë më të brishtat. Rreth 70% e subjekteve që qarkullojnë deri në 5 milionë lekë në vit kanë raportuar krizën, rënien e fuqisë blerëse shoqëruar me kostot e larta (përfshirë qiranë), taksat, gjobat, apo klasifikimin si subjekt me TVSH, si arsyet kryesore që i kanë detyruar të mbyllin aktivitetin.
Bizneset e vogla me TVSH janë përgjithësisht më rezistente dhe vetëm 24% e tyre raportuan si arsyet kryesore krizën. Edhe subjektet e mëdha janë mbyllur më shumë për arsye ristrukturimi apo pushim aktiviteti për faktorë të tjerë, ndërsa 32% e tyre prej krizës.
Në total, 62% e bizneseve që kanë kërkuar të çregjistrojnë aktivitetin në 8 muajt e parë të vitit kishin si faktor kryesor krizën, gjobat, apo taksat e larta.

 

Arsye të tjera për mbylljen e aktivitetit lidhen me daljen në pension, ndryshimin e NIPT-it, riorganizimin, ndarjen nga jeta, shembjen e aktivitetit për shkak të punimeve nga Bashkia, ndryshimi i emrit, kalimi në një formë tjetër etj. Nga sondazhi rezultoi se ka shumë sipërmarrës që kanë mbyllur aktivitetin, për shkak se kanë vendosur të emigrojnë, ose u ka dalë lotaria.

Dyfishohen çregjistrimet
Edhe të dhënat zyrtare të Qendrës Kombëtare të Binzesit konfirmojnë se nga këto subjekte rreth 2000 janë çregjistruar përfundimisht në Tiranë, një shifër kjo që është dy herë më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Fluksi i çregjistrimeve në kryeqytet ka qenë shumë i lartë në tre muajt e parë të vitit.

 

Biznesi i vogël, në mbijetesë
Avni Tobli, kontabilist, ka kaluar në zyrën e tij rreth 550 biznese në pesë vitet e fundit, nga të cilat gati gjysma janë mbyllur. Zoti Tobli tha se 10% e bizneseve falimentojnë në mënyrë sistematike. Shpeshherë, shkak është menaxhimi i dobët, mungesa e inovacionit dhe konkurrenca e ashpër. Ndërsa, 40% të subjekteve për shkak të krizës. Pjesa tjetër, 50%, nuk kanë qenë ndonjëherë biznese të mirëfillta dhe janë pjesë e grupit të reformës për formalizim, të cilët regjistruan bizneset e tyre dhe duke mos ia dalë me pagesat e detyrimeve sot po mbyllen.
Në valën e formalizimit ishte dhe Afërdita Çimo, rrobaqepëse, e cila riparonte veshje, kryesisht të komshinjve në banesën e saj, në katin e parë. Nuk ia doli. Brenda gjashtë muajve, Afërdita iu shtua listës së bizneseve që kanë bërë kërkesë për t?u çregjistruar.
Rënia e fuqisë blerëse cilësohet si një faktor kryesor që po mbyll bizneset e vogla. Ekonomistja Luiza, që mbante llogaritë e disa sipërmarrjeve, tha se bizneset e vogla mezi po mbijetojnë. Shkaku kryesor është rënia e fuqisë blerëse.
Arben Lubonja, ekonomist, ka thënë se përveç zotit Shpëtim Sinani, që ka bërë kërkesë për çregjistrim ka dhe biznese të tjera që po mbyllen për shkak të krizës. ?Nuk ka me fuqi blerëse?, thotë ai.
Erion Bilali, ekonomist, tha se bizneset e vogla po mbyllen edhe pa bërë vitin.
Endrit Xhaferraj, ekonomisti i Arben Jatës, që ka bërë kërkesë për çregjistrim në prill 2016, tha se ka shumë biznese që po mbyllen për shkak të krizës.

Gjobat dhe taksat e Bashkisë mbyllin bizneset
Një valë gjobash që kulmoi në periudhën shtator-dhjetor të vitit të kaluar, në fazën e parë të aksionit antiinformalitet, që u karakterizua nga agresivitet i lartë i tatimorëve, kanë rezultuar fatale për shumë biznese, duke i detyruar të mbyllen.
Silvana Gjeli, me aktivitet tregtimin e metrazheve, biznes i madh, i hapur që në vitin 2000, është mbyllur në janar 2016 dhe raportoi si arsye kryesore gjobat e vazhdueshme.
Edmir Qefalia, biznes i vogël me TVSH, pas 13 vitesh aktivitet ka vendosur ta mbyllë atë. Ai pohon se ka pasur probleme me tatimet, pasi kishte marrë një gjobë të padrejtë në shumën 300 mijë lekë. Edhe pse e kishte fituar gjyqin, kishte ende probleme me llogarinë bankare. Tani, Edmiri ndihet i lodhur të merret përsëri me biznesin e tij, ka dalë në pension të parakohshëm.
Enver Dusha kishte aktivitetin te Farmacia 10. Për shkak të gjobave nuk mund të vazhdojë aktivitetin dhe e mbylli pas 12 vitesh. Ai pohon se detyrimi i tij ishte 130 000 lekë dhe në prill 2016 vendosi të bëjë kërkesën për çregjistrim.
Gjoba nga tatimet ishte arsyeja edhe për kontabilistin Lulëzim Hysa, biznes i vogël pa TVSH, për dorëzimin e kërkesës për çregjistrim në muajin prill. Si arsye cilëson taksat dhe gjobat ? dhe Taulant Devolli, që e kishte hapur aktivitetin që në 2008-n e mbylli në shkurt të këtij viti.
Emiljana Olldashi, që e kishte hapur biznesin në vitin 2009, deklaron se shkaku i mbylljes ishin gjobat e shumta dhe sekuestrimi i mallit nga organet tatimore.
Liljana Zani, me aktivitet agjenci udhëtimi, është një tjetër ?viktimë? e tatimorëve. Pas 7 vitesh, ajo e mbylli aktivitetin si rrjedhojë e gjobave dhe masave të rrepta.
Bernad Rizai, me aktivitet tregtimin e produkteve ushqimore afër maternitetit, i hapur që në vitin 2003 ka bërë kërkesë për çregjistrim 13 vite më vonë. Ekonomisti i firmës pohon se ai nuk kishte mundësi të paguante taksat e bashkisë dhe kasën fiskale, ndaj vendosi të mbyllej.
Në fillim të këtij, viti Bashkia e Tiranës shumëfishoi taksat për bizneset, sidomos atë të hapësirës. Ndonëse disa taksa u ulën më vonë, pas protestave të bizneseve, në disa zona ato kanë mbetur ende të larta.

Auron Basha, sipërmarrës, në fund të vitit 2014 ka hapur një biznes me objekt aktiviteti bar-kafe, ushqim i shpejtë, në rrugën Sami Frashëri në Tiranë. Ai u kthye në Shqipëri për arsye familjare, duke bartur përvojën e një biznesi të ngjashëm në Finlandë. Duke qenë në zonën A, ai nuk përfitoi nga përshkallëzimi i taksës së hapësirës. Ai pohon se ndonëse nuk e bërë ende kërkesën për çregjistrim, tashmë është drejt mbylljes së aktivitetit për shkak se taksat janë të papërballueshme. ?Vetëm taksat e bashkisë më vijnë 85 mijë lekë në muaj?, thotë ai. Janë tepër të larta dhe duhet të punoj 3-4 ditë vetëm për taksat e bashkisë, pa llogaritur dhe taksat e tjera si TVSH-në. Kur kisha lokalin në Finlandë paguaja për tre muaj sa më kërkojnë për një muaj këtu?. Ai realizon një xhiro prej 35-40 mijë lekë në muaj, por thotë se duke llogaritur qiranë, e kostot e tjera i del vetëm të paguajë dy banakiere dhe nuk i mbetet asgjë nëse llogariten taksat.

Gjobat për këstet e tatimfitimit mbyllin bizneset
Ahmet Gjinishi, kontabilist, tha se në listën e subjekteve të cilat ai mban, 9 prej tyre janë në proces likuidim, ndërsa 15 të tjerë kanë kaluar në statusin pasiv.
Një arsye kryesore që ai liston është parapagimi i tatimfitimit në bazë të xhiros së vitit të mëparshëm, kur qarkullimi i bizneseve ka rënë dhe sidomos gjobat për mospagimin e këstit të tatimfitimit.
?Më parë, detyrimet e bizneseve nuk ishin të larta, biznesi mjaftonte të paguante detyrimet vendore dhe siguracionin vetëm për administratorin, tani është i detyruar të parapaguajë të gjitha detyrimet, duke mos u marrë parasysh fare fakti nëse biznesi në vitin aktual nuk ka të njëjtin aktivitet si një vit më parë. Në vend që likuiditetin biznesi ta përdorë për të mbijetuar, është i detyruar të parapaguajë detyrimet, të cilat në rast se nuk paguhen në kohë ngarkohen me një gjobë prej 15% të shumës së detyrimit?.
Kjo situatë, sipas zotit Gjinishi, ka bërë që shumë biznese të kalojnë në statusin pasiv dhe të pezullojnë aktivitetin.
Një nga nenet e ligjit të supergjobave (procedurave tatimore), miratuar në tetor të vitit të kaluar dhe që nuk u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ishte ai për gjobat në rast se këstet e tatimfitimit nuk paguheshin në kohë. Në muajt e parë të 2016-s, tatimet i njoftuan bizneset se ?Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, sipas nenit 30, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, ?Për tatimin mbi të ardhurat?, të ndryshuar, dënohet me gjobë në masën 15 për qind të shumës së këstit për t?u paguar. (Ndryshuar me ligj nr. 99/2015, datë 23.09.2015, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 187, datë 28 tetor 2015, neni 114/1)).?
Më parë, bizneset nuk merrnin gjoba, në rast se nuk paguanin tatimfitimin, thjesht nuk merrnin dot vërtetim në tatime që kishin paguar detyrimet.

A janë ide të mira biznesi bar-kafetë dhe dyqanet ushqimore?
Në një treg të mbipopulluar nga të tilla oferta është i pritur dhe falimentimi.
Përveç problemeve të menaxhimit, ky sektor është i ndjeshëm nga rënia e fuqisë blerëse dhe rënia e konsumit.
E njëjtë është situata edhe për dyqanet ushqimore, që pas një periudhe në të cilën bizneset që ushtronin këtë lloj aktiviteti mbinin sikurse kërpudhat pas shiu, sot është e vështirë të gjesh një market të vogël për të plotësuar një nevojë të momentit.
Zinxhiri i supermarketeve të mëdha kanë ?nxjerrë jashtë loje? dyqanet ushqimore të lagjeve. Pjesa më e madhe, duke mos konkurruar dot supermarketet që tregtojnë një gamë të gjerë produktesh, shpesh edhe me çmim më të lirë, për shkak së një pjesë e mirë e tyre janë distributorë të disa prej produkteve kryesore, kanë falimentuar.
Me një normë të ulët fitimi, 10% mbi xhiron, dyqanet e gjetën të pamundur të mbijetojnë, duke i shtuar gjithë kësaj situate dhe rënien e fuqisë blerëse, e cila është pranuar nga të gjitha bizneset e kontaktuara nga ?Monitor?.
Teuta Kosova, e cila tregtonte produkte ushqimore që nga viti 2003, e ka mbyllur aktivitetin në maj të vitit 2016. Ajo pohon se i ra xhiro, për shkak të hapjes së supermarketeve të mëdha.
Durim Rroshi, që kishte hapur një aktivitet biznesi ushqimor në vitin 2009, në rrugën ?Artan Lenja? dhe funksiononte si biznes i madh, vendosi në shkurt të këtij viti të bënte kërkesën për çregjistrim. Ai pohon se tarifat e larta dhe përndjekja nga tatimorët ndikuan në këtë vendim.
Bledar Kalaja, në rrugën ?Ferit Xhajko?, është një tjetër mbyllje për shkak të zgjerimit të zinxhirit të supermarketeve të mëdha.
Albert Agolli, me aktivitet bar-kafe në rrugën ?Hazbi Serjani?, pohon se e mbylli aktivitetin për shkak se nuk arrinte të paguante dot taksat.
Nexhmije Gjana, me një bar-kafe në rrugën ?Gjergj Fishta?, pohon se nuk kishte xhiro as sa për të mbuluar shpenzimet.
Rënia e fuqisë blerëse ka falimentuar dhe aktivitetin e bar-kafesë së Nardi Kërçi.
Endri Çaushaj, me aktivitet bar-kafe në rrugën ?Tefta Tashko Koço? e mbylli aktivitetin për shkak të rënies ekonomike dhe konkurrencës, pasi ka shumë aktivitete të këtij lloji, sipas ekonomistes së tij.

Qiratë të papërballueshme
Kismete Latifi tregtonte me pakicë, duke e shndërruar ballkonin e shtëpisë së saj në një dyqan ushqimor. Sot pas 20 vitesh, zona ku ajo ushtronte aktivitetin, ish-Blloku, ka një tjetër vlerë.
Çmimi i qirave në rrugën ?Vaso Pasha? fillon nga 500 euro. Kjo edhe për ambiente me sipërfaqe tepër të vogla. Prandaj, dy vite më parë, Kismetja, duke parë se fitimet që sillte biznesi i saj nuk ishin si dikur, gjeti një ?zgjidhje të zgjuar? duke e lëshuar ambientin ku ushtronte aktivitetin me qira. Para të cilat në fund të muajit do të vinin pa shumë lodhje, pa qëndruar me një orar të zgjatur dhe pa rrezikuar. Fitim pa dhembje koke, siç tregoi ajo për ?Monitor?.
Në maj të këtij viti, Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve nisi përfshirjen në TVSH të bizneseve në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, pavarësisht se ata ushtrojnë aktivitet në tregtinë me pakicë dhe deri më tani janë trajtuar si të vogla. Procesi i kalimit si biznes i madh të shumë njësive në Bllok në Tiranë pak muaj më parë po jep tashmë efekt në shtrenjtimin e produkteve që ata tregtojnë, teksa dhe taksat që ata paguajnë janë shumëfishuar.
Disa prej të anketuarve kanë deklaruar se po i mbyllin bizneset për t?i dhënë ambientet ku kanë ushtruar aktivitetin me qira.
Megjithëse tregu ka aftësinë që të vetërregullohet, pra për sa kohë ka kërkesë për të marrë ambiente me një qira të lartë, do të ketë dhe një ofertë, por që sigurisht, situata nuk është kaq e thjeshtë, numri i madh (1500) i bizneseve që kanë bërë kërkesë pa bërë një vit nga fillimi i aktivitetit tregon se diçka nuk po shkon si duhet.
Ambienti që Kismetja ka lëshuar me qira, deri sot, ka ndryshuar 4 qiramarrës, të cilët kanë falimentuar që në vitin e parë të ushtrimit të aktivitetit.
Shpenzime fikse të larta, taksa të larta, rënie e fuqisë blerëse dhe konkurrenca e fortë e qendrave tregtare, të cilat po thithin të gjithë blerësit, padyshim që do të pasqyrojnë këto shifra.
Arta Taçe, që tregtonte produkte kozmetike në rrugën ?Muhamet Gjollesha?, që prej vitit 2013, ka mbyllur aktivitetin pasi nuk paguante dot qiranë dhe shpenzimet e tjera.

Luftë me mullinjtë e erës?
Zoti Tobli u shpreh se 50% e aktiviteteve që kanë bërë kërkesë për çregjistrim në fakt nuk kanë qenë kurrë biznese të mirëfillta. Një pjesë e këtyre aktiviteteve kërkuan që të sistemoheshin sipas ligjit, në pamundësi për t?ia dalë me pagesat, rezultati është i qartë.
Këtu nuk po flasim për ato biznese, të cilët e zhvillojnë aktivitetin e tyre në zonën e ish-Bllokut, ?Myslym Shyri?, apo lagje të tjera ku gjallon biznesi i vogël në Tiranë. Bëhet fjalë për aktivitete si ai zonjës Afërdita, të ardhurat e së cilës nga riparimet e veshjeve janë minimaliste.
Zoti Tobli tha se po kërkohen paratë aty ku nuk janë, duke iu zënë frymën deri diku ekonomive familjare.
Padyshim që informaliteti duhet të luftohet, punonjësit duhet të sigurohen, por mënyra dhe masat e ashpra nuk janë zgjidhje për problemin.
Nga bizneset e kontaktuar, të shumtë ishin dhe ato të cilat ankoheshin për gjoba të marra në mënyrë të padrejtë, ose të paktën në perceptimin e tyre ishin të marra në mënyrë të padrejtë.
D.V., punonjëse e administratës prej 20 vitesh, e cila kërkoi të mbetet anonim, mori kredi për të hapur një Bar-Kafe, por që brenda dy viteve do të falimentonte. Ajo listoi dy arsye kryesore, gjobat e shumta dhe inspektimet e vazhdueshme të inspektorëve. Kështu nuk mund të punohej, u shpreh D.V., e mbylla aktivitetin dhe tani kam një kredi për të shlyer.
Kjo frikë dhe ky perceptim në lidhje me tatimorët, duket qartë dhe nga numri i lartë i refuzimeve për t?iu përgjigjur dhe kërkesës për të mbetur anonim.

Emigrimi
Shkëndi Brami u shpërngul nga Berati në Tiranë duke zhvilluar të njëjtin aktivitet sikurse në vendlindje, tregtim të materialeve të ndërtimit. Falimentoi. Tashmë e papunë, Shkëndia ka vështirësi në përballimin e jetesës, duke qenë se në kryeqytet jeton me qira.
Nuk ishin të paktë bizneset të cilat ishin mbyllur për shkak të emigrimit. Rasti i Shkëndies është shembull i migrimit të brendshëm, por një pjesë e mirë e të anketuarve që dhanë përgjigje se aktiviteti është mbyllur për shkak të emigrimit, kanë shkuar jashtë vendit.
Shqiptarët u renditën të dytët në Gjermani, pas sirianëve, të cilët po ikin nga lufta, për numrin më të madh të azilkërkuesve. Ndërsa sirianët po largohen nga lufta, shqiptarët nga çfarë?? E aq më tepër ata të cilët kanë një biznes. Pra, të bërit biznes në Shqipëri qenka më e vështirë se sa t?ia nisësh nga e para në një vend të huaj.
Erioni, Fatjoni, Endri, Hatixheja dhe shumë të tjerë, dikur kishin bizneset e tyre në Tiranë, sot punojnë jashtë. Dy prej tyre ishin të përzgjedhurit e Lotarisë Amerikane nga 200 mijë aplikantët që morën pjesë në lotari.

Menaxhimi jo i mirë dhe mungesa e inovacionit
Bizneset e reja përballen gjithmonë me riskun e falimentimit, të paktën në 5 vitet e para të krijimit të tyre. Pavarësisht dëshirës për të krijuar një biznes të qëndrueshëm, ekziston një risk sistematik (i vazhdueshëm) që çon bizneset në falimentim. Jo të gjithë ata që krijojnë një biznes, kanë aftësitë e duhura menaxheriale për ta drejtuar biznesin.
Një pjesë e të anketuarve, shpreheshin se nuk iu eci dhe se nuk e patën menduar mirë. Disa zgjodhën zonën e gabuar, kurse të tjerë llojin e aktivitetit.
Konkurrenca e fortë kërkon jo vetëm një menaxhim të mirë, por edhe të sjellësh diçka të re, gjë që e cila sot mungon në Shqipëri, sikurse fituesit që do të financohen nga fondet e buxhetit të shtetit janë një kopsht fëmijësh dhe një qendër estetike, të cilat janë të shumta në Tiranë dhe nuk sjellin asgjë të re.

Bizneset e vogla nuk përballojnë riklasifikimin në të madh
Adivije Ziu, kontabiliste, me aktivitet që prej vitit 2014, ka vendosur të mbyllë aktivitetin në gusht 2016. Ajo pohon se për shkak të riklasifikimit nga biznes i vogël në të madh nuk mund t?ia dilte dot me pagesat e detyrimeve.
Jonida Çeka, me aktivitet bar-kafe në Selitë, është një tjetër subjekt i mbyllur për shkak të riklasifikimit dhe nuk ka hapur më biznes tjetër, sipas një kërkimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Aktivitetin raportojnë ta kenë mbyllur dhe bizneset që tregtojnë karta për rimbushje, të cilat në bazë të ligjit të ri të TVSH-së u detyruan të mos deklaronin si xhiro vetëm komisionin, por edhe vlerën e kartës, çka u rriti automatikisht xhiron, duke i klasifikuar si biznes i madh, që paguan më shumë taksa. Edmond Dosti, tregon se ai e mbylli aktivitetin, e hapur në 2013-n, pikërisht për këtë arsye, teksa ky ndryshim bëri që ai të kalonte si biznes i madh, ku barra fiskale shtohej ndjeshëm.
Subjektet me xhiro nga 0-8 milionë lekë janë biznese të vogla me dy kategorizime. Subjektet me xhiro nga 0-5 milionë lekë nuk paguajnë TVSH, ndërsa dhe taksa e biznesit të vogël prej disa muajsh është bërë zero. Ndërsa subjektet nga 5-8 milionë lekë janë të përfshirë në TVSH dhe paguajnë tatimfitimi të thjeshtuar prej 5%.
Çdo kalim në një kategori më lart do të rriste ndjeshëm barrën fiskale për subjektet përkatëse: biznesi deri në 5 milionë lekë do të bëhej subjekt i TVSH-së (çka do të duhej ta reflektonte në çmimet e produkteve e shërbimeve) dhe do paguajë 5% tatimfitimi. Ndërsa biznesi nga 5-8 milionë lekë, nëse kalon te i madhi do të bëhej automatikisht subjekt i tatimfitimit prej 15%.
Përveç taksave të shtuara, në momentin e kalimit si biznes i madh, subjektet duhet të paguajnë më shumë edhe për mbajtjen e kontabilitetit.

Kriza prek edhe call center?!
Një nga bizneset që ka njohur rritjen më të shpejtë vitet e fundit, ai i qendrave të thirrjeve telefonike (call center) po njeh humbjet e para. Disa biznese raportuan se e kishin mbyllur aktivitetin në muajt e parë të këtij viti. Petrit Sulaj, biznes i vogël me TVSH, me aktivitet call center, e mbylli aktivitetin vetëm pak muaj pasi e kishte hapur. Sipas tij, kontraktorët nuk paguanin kontratat. Aktivitetin e call center e kanë mbyllur dhe Grisel Luka, dy vjet pasi e kishte hapur, si dhe Eltion Tupi.
Biznesi i qendrave telefonike (call center) njohu një rritje shumë të shpejtë në Shqipëri vitin e fundit, i nxitur nga kosto e ulët e fuqisë punëtore dhe fakti që pjesa më e mirë e të rinjve e flasin mirë italishten.
Numri i call center në vitin 2015 arriti në 847, sipas të dhënave të INSTAT, nga 414 që ishin në fund të vitit 2014.
Në krahasim me vitin 2010, kur sapo kishte filluar hapja e këtyre bizneseve në Shqipëri dhe kishte vetëm 75 të tilla, numri i kompanive është më se 10-fishuar (shiko grafikun).
Sipas të dhënave nga tatimet, numri i të punësuarve në këtë sektor ka arritur në 25 mijë. Rreth 30% e tyre janë të punësuar në tre call center më të mëdha në vend, Intercom Data Service (IDS), Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance).
Pavarësisht rritjes, sektori po shfaq problemet e para. Konkurrenca po shtohet, pasi ky është një biznes që ka kosto minimale, që mund të hapet edhe me 10 mijë euro. Sipërmarrjet e vogla, sidomos ato me pronarë shqiptarë, përballen me largime të kontraktorëve ose mospagesa nga ana e tyre. Ka raste që investitorë italianë vijnë dhe hapin dy tre call center dhe i mbyllin brenda një kohe të shkurtër, duke lënë punonjësit pa paguar.

Edhe 9300 mijë biznese kaluan në pasive në maj
Krahas kërkesës së rreth 3 mijë bizneseve për tu çregjistruar, në Tiranë, në listën që disponon Monitor, në datën 6 maj kanë kaluar automatikisht në status pasiv rreth 9300 biznese, pasi kishin kohë që nuk deklaronin aktivitetin. Në pjesën më të madhe këto janë biznese të hapura në vitet 1994-2010 (rreth 4500 subjekte).
Në listë janë rreth 200 biznese të hapura në 2016-n, që kanë kaluar në status pasiv. Nga viti 2015 janë rreth 800 subjekte të tilla.
Në total janë rreth 96 mijë subjekte në listën e subjekteve pasive të tatimeve. Këto janë biznese që nga viti 1991 dhe ka qindra e qindra parregullsi në pasivitetin e regjistruar të këtyre bizneseve ndër vite. Shumë prej tyre kanë falimentuar, por nuk kanë bërë procedurën e falimentit, shumë prej tyre janë mbyllur dhe nuk kanë bërë procesin e mbylljes, shumë kanë kaluar në pasivitet ligjor dhe nuk janë pastruar kurrë nga regjistrat. Si rrjedhojë, tatimet kanë nisur së fundmi pastrimin e tyre nga regjistrat.
Nga lista e 96 mijë subjekteve pasive të tatimeve rezulton se mbi 90% e tyre janë biznese të vogla kryesisht persona fizikë dhe ambulantë. Kryeqendra e vendit, Tirana, shihet të ketë qenë më e goditura. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 36 mijë biznese të të gjitha niveleve, shumica e tyre të vogla kanë pushuar aktivitetin në Tiranë. Barra e lartë fiskale, e cila në shumë raste ka trefishuar nivelin e taksave lokale për kryeqytetin, ka çuar shumë subjekte në mbyllje të përkohshme dhe të tjera drejt mbylljes së plotë. Ende pa nisur aplikimi i taksave të larta vendore, 5% e bizneseve të drejtuara nga gratë dhe 3% të drejtuara nga burrat mbyllën aktivitetin në Tiranë gjatë 2015-s.
Në qytetin e Fierit kaluan në status pasiv 6240 subjekte, ndërsa në Berat, 2516 të tilla. Sipas raportimeve të tatimeve, më shumë se 14 mijë biznese kanë kaluar me status pasiv në Durrës, në Shkodër 6661 biznese, në Fier mbi 6200 të tilla dhe në Vlorë mbi 4100. Drejt mbylljes janë edhe mijëra biznese në prefekturat më të varfra të vendit. Në qarqet e Kukësit dhe të Dibrës, rreth 2600 biznese kanë kaluar në status pasiv, shumica e tyre drejt mbylljes së plotë.

 

Lajmet e fundit nga