LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

INTERVISTA/ Mustafa Nano iu bën apel socialistëve: Largoni Edi Ramën nga drejtimi, ai ka mbaruar

23 Shtator 2016, 17:47, Aktualitet CNA

Gazetari Mustafa Nano ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të televizionit TemA TV, dhe aty është pyetur lidhur me ligjin për importimin e mbetjeve.

Por biseda më pas është zhvendosur tek maxhoranca e klasa politike në tërësi, dhe Nano shprehu zhgënjimin e tij të fortë me kryeministrin Edi Rama.

?Ai është një njeri i korruptuar, ai nuk e ka më kontrollin mbi qeverisjen, ai duhet të largohet nga drejtimi i vendit?, tha ai.

Në fund u bëri apel socialistëve: ?Ju e keni në dorë; sa më shpejt aq më mirë; largojeni?, lëshon thirrjen gazetari që vazhdimisht e ka klasifikuar veten si të majtë.

Më poshtë mund të ndiqni intervistën të zbardhur, dhe në fund mund ta ndiqni në versionin video.

Pyetje: Nuk ju kemi dëgjuar të thoni diçka në lidhje me ligjin që kaloi dje në Parlament.

Përgjigje: E vërteta është që janë bërë muaj të tërë që unë jam më pak aktiv se zakonisht, jam marrë me ca punë të tjera të mijat, me ca studime ?akademike?, kam shkruar romanin që sapo e kam publikuar, kështu që kam pas një lloj angazhimi tjetër. Mirëpo tani do filloj të jem aktiv, dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me momentin aktual. Është një përkim rastësor, është një përkim midis vendimit tim për të qenë më aktiv dhe situatës që është bërë shumë dramatike. Dhe kjo që ka ndodhur me ligjin që u miratua dje me 63 vota, kjo ilustron shumë mirë edhe situatën dramatike, por ilustron shumë mirë edhe llojin e klasës politike që ne kemi. Është një klasë politike mafioze. Ne zakonisht e themi termin ?mafioz? në kuptimin metaforik, por unë këtu po e them, dhe do doja shumë që shikuesit ta mernin, në kuptimin literal, kemi një klasë politike m-a-f-i-o-z-e.

Unë kam menduar për shumë kohë që kryeministri Rama ka ndërtuar një qeverisje të korruptuar dhe me këtë si të thuash isha shumë i interesuar që shikuesit të mos e kuptonin që kryeministri Rama është i koruptuar, sepse me thënë të drejtën nuk e kisha menduar që ai është i koruptuar. Por unë jam përfundimisht i bindur që ne kemi për kryeministër një njeri që është i korruptuar, dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me ligjin mbi importimin e mbetjeve, madje unë nuk kam ide fare mbi ligjin në planin teknik. Nuk e di nëse ky ligj është i mirë apo i keq, nëse është i dobishëm apo i dëmshëm. Unë shoh flip-flop-et e këtyre njerëzve, unë shoh që para tre vjetësh apo dhe më shumë Rama dhe të vetët u ngritën kundër të njëjtit ligj, ndërtuan një kauzë të tyre mbi kontestimin e ligjit të plehrave, folën me publikun, dhe sot tre vjet më pas, pa e çarë kokën fare, pa u skuqur e pa u zverdhur, thonë një gjë të kundërt. Unë them që këtu thellë-thellë ka motivime mafioze, sepse vetëm motivime të tilla mafioze mund t?i detyrojnë njerëzit të bëjnë figurën e palaços.

Pyetje: Çfarë mendimi keni për këtë mazhorancë së cilës edhe pak i ka mbetur nga mandati?

Përgjigje: Kjo është një mazhorancë që mua përfundimisht më ka zhgënjyer, është një mazhorancë që unë nuk e shoh veten të përfaqësuar. E vërteta është se ka kohë që nuk e shoh veten të përfaqësuar. Edhe kur e kam parë veten të përfaqësuar, e kam parë për një simetri të këqijash në situatën shqiptare. Kam zgjedhur më pak të keqen. Të mos harrojmë se në anën tjetër është një parti që është më e keqe sesa PS-ja. Mirëpo tani jam përfundimisht i zhgënjyer dhe është një marrëdhënie që nuk ngjitet më midis meje dhe këtyre, që unë u kam dhënë votën, në radhë të parë kryeministrit Rama. Rama ka më shumë se një vit që ka demonstruar se situata i ka dalë jashtë kontrrollit, ai nuk ka asgjë nën kontroll më. Vendi është nën kontrollin e një spontaneiteti të rrezikshëm, apo e ca marrëdhënieve të çuditshme që qeveritarët kanë me ca njerëz që i rrethojnë, por edhe me biznesmenë, por zakonisht edhe me njerëz që janë të përfshirë me krimin. Dhe situata tani për mua është më dramatike se kurrë në Shqipëri. Ne kemi dy opsione: ne kemi një njeri që komandon një parti siç është Partia Demokratike dhe ky njeri quhet Sali Berisha, i cili për mua është një bandit delinkuent. Dhe në anën tjetër kemi një tjetër që quhet Edi Rama i cili ndoshta nuk është bandit delinkuent, por është peng i banditëve delinkuentë, dhe pyetja ime është: Është më mirë që shqipëtarët të qeverisen nga një bandit delinkuent, apo nga një njeri që është peng i banditëve dhe i delinkuentëve. Dhe common sense-i më thotë në mënyrë paradoksale që është më mirë të qeverisemi nga një bandit delinkuent, se të paktën e dimë se kush është, sesa nga një njeri që nuk e ka veten nën dorë.

Pyetje: Ju jeni kritik edhe ndaj opozitës. Çfarë shihni si zgjidhje?

Përgjigje: Kjo është pyetja më e vështirë në këto rrethana. Në situata të tilla është e vështirë të japësh një recetë dhe të japësh një ofertë, një zgjidhje. Momentalisht për mua një lloj zgjidhjeje e kanë në dorë socialistët. Këta të fundit, nëse e kanë në dorë, duhet ta largojnë këtë kryeministër sepse, me çfarë unë shoh, ai nuk është më duke qeverisur. Qeverisja nuk është më në dorën e atij, të cilin shqiptarët e kanë zgjedhur për të qeverisur, qeverisja është në dorën e tjetër kujt, dhe socialistët po të jenë inteligjentë, po të jenë të mençur, duhet të bëjnë çmos që, me hir e me pahir, ta largojnë Edi Ramën nga drejtimi I qeverisë. Unë e di që është e zorshme t?ia arrijnë qëllimit, jam i sigurtë gjithashtu se Edi Rama, bashkë me Ilir Metën, do dalin fitues në zgjedhjet e ardhshme, sepse përballë kanë partinë e banditit delinkuent, por ky nuk ka për të qenë një lajm i mirë. Për askënd. Mirëpo fundi i atyre ka për të qenë i keq. Nuk është se i njoh vetes ndonjë damar të zhvilluar të profetik, nuk është se më ecin këto parashikime që bëj, por në këtë rast kam përshtypjen se Rama e Co. do përfundojnë shumë keq. Prandaj mendoj se është jo vetëm në interesin e socialistëve, por edhe të vetë Edi Ramës, të shqiptarëve po se po, që Edi Rama të bëhet mënjanë, t?u hape rrugën ca të tjerëve, që janë aty brënda Partisë Socialiste. Ai nuk ka se çfarë të na ofrojë më. Kjo do ishte një zgjidhje shumë e mirë për momentin.

Lajmet e fundit nga