LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rama urdhër deputetëve për votimin e ligjit të plehrave

20 Shtator 2016, 07:12, Aktualitet CNA

Projektligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve pritet të miratohet të enjten në Kuvend. Kryeministri Edi Rama, dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, u ka dhënë urdhër deputetëve socialistë të mos mungojnë të enjten në Kuvend, pasi do të duhet të votojnë një ligj që ka hasur në kundërshtime, ligjin e mbetjeve. Sipas gazetës Sot përveç Mimoza Hafizit dhe Erion Braçes, të cilët nuk ishin dje të pranishëm në mbledhjen e grupit të PS, deputetët e tjerë socialistë kanë dhënë dakordësinë e tyre për nismën në fjalë, që të kalojë në Kuvend. Deputetët, që nuk janë pjesë e Komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, i cili është përgjegjës për ligjin e mbetjeve, kanë kërkuar më tepër sqarime dhe transparencë për draftin nga deputetët që e kanë propozuar këtë nismë, por kurrsesi nuk janë shprehur kundër. Deputetet Arta Dade dhe Valentina Leskaj kanë kërkuar që të shtohen konsultimet për ligjin me grupet e interesit, deri në ditën kur do të hidhet për votim.

Kryeministri Edi Rama, i cili qëndroi vetëm 15 minuta në mbledhje, deklaroi se vendimi i 2013-s ishte drejtë, por tashmë kushtet kanë ndryshuar. Ai tha se, me vendimin e Këshillit të Ministrave ku do të përcaktohet lista e mbetjeve jo të rrezikshme që do të futen në territorin shqiptar, procesi do të jetë më i kontrolluar. Në draftin e ri janë propozuar amendamente nga deputetët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, duke ndaluar importin e plehrave për qëllim djegien në territorin tonë. Po importuesi duhet të provojë se i ka përpunuar të gjitha mbetjet e futura në Shqipëri prej tij, sipas llojit dhe kodit që ka marrë autorizimin. Kush importon mbetje të rrezikshme jashtë listës, gjobitet nga 3.5 milion deri në 5 milion leke, por edhe nëse plehrat e importuara bëjnë pjesë në listë. Nëse biznesmeni nuk ka autorizim, gjoba shkon deri në 2 milion lekë. /Citynews.al

Lajmet e fundit nga