LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Gara e bankave, kush e fiton për kreditë, depozitat, aktivet

28 Gusht 2016, 19:08, Aktualitet CNA

Disa banka kanë vijuar të tregohen të kujdesshme në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke investuar paratë e lira në alternativa të sigurta, siç është blerja e letrave me vlerë të qeverisë. Ndërsa bankat, që tradicionalisht kanë qenë më aktivet kanë përshpejtuar ritmet e dhënies së kredisë. Bie në sy rritja e vazhdueshme e bankave me kapital shqiptar, ndërsa ato greke vijojnë tkurrjen, ndonëse me ritme më të ngadalësuara.

Credins kalon në bankën e tretë më të madhe në vend, sipas aktiveve
Banka Kombëtare Tregtare ka vijuar të jetë banka më e madhe në sistem, sipas aktiveve, duke shkëputur dukshëm diferencën nga vendi i dytë që është Raiffeisen. Kjo e fundit ka vijuar me uljen e madhësisë së bilancit, që ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e tkurrjes së depozitave. Prej vitesh Raiffeisen nuk është më agresive, në linjë me politikën e mëmës për zvogëlimin e degëve të Europës Qendrore e Lindore.
Credins ka kaluar për herë të parë në 3-mujorin e dytë 2016, si banka e tretë më e madhe në vend, duke lënë pas Intesa Sanpaolo, që pas shumë vitesh ka dalë në vend të katërt. Një tjetër bankë me kapital shqiptar, Union Bank, po i afrohet vendit të tetë, duke qenë shumë pranë NBG Bank dhe pasi ia kaloi Pro Credit në tremujorët e mëparshëm.
Me rritje të ndjeshme ka rezultuar dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI), që në vlerë absolute është e treta me zgjerimin më të lartë të aktiveve, pas BKT dhe Credins. ABI, pas blerjes së Credit Agricole në fund të vitit të kaluar, ka qenë shumë agresive, sidomos në tërheqjen e depozitave.
Rritje të lartë ka shënuar dhe Bibank, ndërsa me rënie të aktiveve kanë rezultuar Raiffeisen dhe pro Credit.
Të dhënat janë bërë të ditura nga Shoqata e Bankave (shih tabelën kryesore).

Kredia, kryeson BKT
BKT është jo vetëm më e madhja në sistem sipas aktiveve, por edhe banka kryesore në kreditimin e ekonomisë. Stoku i huas së kësaj banke u rrit me 8 miliardë lekë, apo rreth 7% në qershor, në krahasim me fundin e 2015-s. Banka e dytë me ndikimin më të lartë në huadhënie ishte Credins, me rritje 6.6 miliardë lekë për të njëjtën periudhë.
Aktive në kreditim në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë qenë edhe Societe Generale, që ka zgjeruar huadhënien pas një periudhe qetësie, si dhe Raiffeisen e Union Bank.
Me uljen më të lartë të stokut të huas në 6 muajt e parë të vitit kanë qenë Tirana Bank, Pro Credit, Alpha Bank, Veneto Bank.

Raiffeisen i ikin 17 miliardë lekë depozita
Nga ulja e normave të interesit, ajo që e ka pësuar më shumë ka qenë Raiffeisen. Kjo bankë ka parë ulje të depozitave me 17 miliardë lekë në 6 muajt e parë të vitit, në raport me fundin e 2015-s. Një pjesë e këtyre kursimeve duket se janë kanalizuar në banka të tjera. Credins ka parë rritjen më të lartë të depozitave, me rreth 7 miliardë lekë. E dyta ka qenë Banka Amerikane e Investimeve, ABI, që pas fushatës agresive të marketingut ka arritur të rrisë depozitat me 3.3 miliardë lekë.
Rritje të lartë të kursimeve kanë parë dhe Intesa Sanpaolo, Societe Generale, Union Bank, NBG.

Bankat të kujdesshme, investojnë në letra me vlerë
Niveli i lartë i kredive me probleme ka bërë që një sërë bankash të tregohen të kujdesshme në muajt e parë të këtij viti, duke preferuar t?i investojnë paratë e lira në blerjet e bonove të thesarit. Banka që ka investuar më shumë në blerjen e bonove të qeverisë është ABI, që pas fshirjes së lartë të huave vitin e kaluar (që ishin të trashëguara nga ish-Credit Agricole) po tregohet shumë e kujdesshme.
Raiffeisen Bank gjithashtu i është drejtuar kësaj alternative, më pak fitimprurëse në raport me kredinë, por më të sigurt. Edhe Credins i ka investuar fondet e lira një pjesë në kredi dhe një pjesë në letrat me vlerë të qeverisë.
Ndërsa alternativa e vendosjes së parave në banka jashtë ka qenë shumë pak e preferuar për shkak të normave negative të interesit.

Bie numri i degëve
Numri i degëve të sistemit bankar ka rënë nga 518 në dhjetor 2015 në 509 në fund të qershorit. Edhe numri i punonjësve ka rënë lehtë me 18 punonjës, për të arritur në 6940 në fund të 6-mujorit, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.
Prej vitesh, sistemi bankar nuk po tregohet agresiv në drejtim të zgjerimit të degëve dhe shtimit të numrit të punonjësve.

Pesha e bankave greke vijon uljen
Ka vijuar dhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti ulja e peshës së bankave me kapital grek, ndonëse me ritme më të ngadalësuara. Tirana Bank, NBG dhe Alpha Bank përbënin 13.83% të totalit të aktiveve, nga 14.08% në dhjetor 2015. Prej vitesh bankat me kapital grek nuk janë aktive në sistem dhe ulja e peshës së tyre u përshpejtua pas krizës së Greqisë një vit më parë, ku shteti fqinj rrezikoi deri daljen nga euro./Monitor

 

Lajmet e fundit nga