LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Privatizimi i ujit eshte nje biznes me risk/Nga Klodian TOMORRI

24 Gusht 2016, 15:43, Aktualitet CNA

Tre vjet pas dështimit të kushtueshëm me privatizimin e monopolit shtetëror të shpërndarjes së energjisë, Shqipëria po tenton një tjetër eksperiment me risk, transferimin e ujit në duart e korporatave private.

Pa asnjë debat publik dhe në mungesë totale transparence Bashkia e Tiranës njoftoi se është në negociata për të privatizuar ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve në kryeqytet.

Negociatat nënkuptojnë se vendimi, i cili do të prekë drejtëpërdrejtë rreth 1 milionë qytetarë është marrë sakaq dhe privatizimi është një fakt i kryer. Publikut i mbeten vetëm pyetjet dhe të paguajë kostot potenciale që mund të ketë ky vendim.

Uji është një burim natyror unik. Për këtë arsye menaxhimi i tij është një nga çështjet më të debatuara të ekonomistëve sot në botë.
Në shekullin e kaluar privatizimi i furnizimit me ujë nisi të shndërrohej në një trend global. Por në shumë raste privatizimet dështuan me kosto marramendëse, nga Atlanta në SHBA e deri në Lagos, Afrikë apo Bolivi. Si rezultat trendi u përmbys.

Në fund të vitit 2014 një raport i Institutit Transnacional të Shërbimeve Publike gjeti se mbi 180 qytete anembanë botës kishin rimarr furnizimin me ujë në pronësi publike, pas dështimit me privatizimin. Kulmi u shënua me Parisin, ku bashkia vendosi të shtetëzojë shërbimin e furnizimit me ujë pas 100 vitesh nën administrim privat.

Përvoja ka treguar se kalimi i burimeve ujore në duart e korporatave private mund të jetë një gabim fatal, me kosto të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale, veçanërisht në vendet ku sistemet rregullatore janë të dobëta dhe institucionet e korruptuara.

Ndaj projekti i Bashkisë për të privatizuar furnizimin me ujë, ka nevojë për transparencë, por mbi të gjitha për më shumë maturi. Premtimet boshe se nuk do të ketë rritje të çmimit janë qesharake.

Rritja e çmimeve nuk fillon asnjëherë në vitin e parë të privatizimit. Por pas disa vjetësh privatizimi çon automatikisht në rritje dramatike të tarifave, të cilat për shtresat në nevojë mund të kufizojnë aksesin në këtë burim jetik.

E mira është që bashkia të tërhiqet nga negociatat. Vendimi për privatizim ose jo të merret vetëm pas një studimi të plotë dhe tërësor nga një grup ekspertësh, të cilët do të përcaktojnë kush do jenë avantazhet dhe dizavantazhet e kalimit të ujit në duar private.

Privatizimi i dështuar i Cez i kushtoi qytetarëve mbi 1 miliardë dollarë. Eksperimenti me ujin mund të jetë edhe më i rrezikshëm.

Lajmet e fundit nga