LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Akuzat ndaj vëllait të Xhafajt/Rama: Dokrra të Saliut! Për mua nuk është më ndër të gjallët

5 Gusht 2016, 05:35, Aktualitet CNA

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur përmes një komenti në rrjetet sociale akuzave të PD-së ndaj vëllait të Fatmir Xhafaj, që sipas opozitës është pjesë e një organizate që trafikon drogë.

“Saliu e ka ndërmarrë fushatën e tij të ndyrë të radhës këtë herë, për të baltosur Fatmir Xhafajn! Dhe në stilin e tij të vjetër e të neveritshëm bolshevik, ka ngritur një akuzë mbi një histori të sajuar këmbë e krye, për të vëllanë e Fatmirit.

Një histori me drogë venezuelane, për babain e dy fëmijëve që është në punën e tij të ndershme dhe ka vetëm një faj:

Eshtë vëllai i njeriut që drejton Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën më të rëndësishme dhe më të vështirë të 25 vjetëve të fundit!”, shkruan Rama.

Në vijim ai shton se Saliun e dëgjon vetëm të enjteve në Kuvend, më tej ai për mua nuk është më ndër të gjallët, asnjë ditë tjetër e për asnjë minutë të jetës sime jashtë seancës të së enjtes; ku jo vetëm për faj të tij, Saliu shkel me të katër gjymtyrët rregulloren e Kuvendit dhe çdo normë komunikimi mes njerëzish.

Komenti i plotë i Edi Ramës

Unë Saliun e dëgjoj vetëm të enjteve në Kuvend,

S’kam ç’bëj, mjerisht ai është opozita e këtij vendi sot dhe detyra ime është të debatoj me opozitën gjatë punimeve të Kuvendit. Po ama kaq dhe pikë, del e tepron!

Më tej ai për mua nuk është më ndër të gjallët, asnjë ditë tjetër e për asnjë minutë të jetës sime jashtë seancës të së enjtes; ku jo vetëm për faj të tij, Saliu shkel me të katër gjymtyrët rregulloren e Kuvendit dhe çdo normë komunikimi mes njerëzish.

Fatkeqësisht, ky abuzim i padëgjuar kurrëkund tjetër në botën demokratike, e ka kthyer Kuvendin e Shqipërisë në skenën e një gojështhurrjeje të vajtueshme dhe kë më shumë e kë më pak në atë sallë, në viktimë të shprehjes popullore “kush fle me qenin gdhihet me pleshta!” – ndjesë kafshës së gjorë sepse, shumë sinqerisht, asnjë qen nuk e meriton të krahasohet me Gojështhurrurin e Madh të parlamentit shqiptar.

Mbase është hera e parë që shkruaj këtu për Saliun dhe uroj të jetë e fundit. S’do e kisha bërë kurrë për vete. Qysh ditën që populli i dha drunë pa të drejtë kthimi në punët e vendit, i kam lënë Zotin ta gjykojë për tërë lehaqeniet ndaj meje, prindërve, gruas, fëmijëve, të afërmve, miqve e kujtdo tjetër, i vdekur apo i gjallë, që për shkakun tim, ka provuar kafshimin e asaj goje të stërmadhe që sa herë hapet ndot dynjanë me fuqinë e verbër të paturpësisë e të urrejtjes.

Por sot vendosa ta bëj, në respekt të dikujt tjetër; në respekt të punës e të përkushtimit të jashtëzakonshëm të Fatmir Xhafajt, për të cuar përpara Reformën në Drejtësi, kundër dëshirës e vullnetit të shumëkujt dhe, pa asnjë dyshim, të Saliut në radhë të parë; i cili, jashtë dëshirës e vullnetit të tij, erdhi si çeço dhe e votoi paketën e Reformës Kushtetuese, pasi nuk la gur pa luajtur për ta sabotuar “happy end”-in e trillerit serial që u mbyll më 21 korrik. Po s’ka pikë dyshimi se gjumi më s’do e zerë, pa i provuar të gjitha për ta penguar zbatimin e kësaj reforme historike.

Prandaj, aspak rastësisht, Saliu e ka ndërmarrë fushatën e tij të ndyrë të radhës këtë herë, për të baltosur Fatmir Xhafajn! Dhe në stilin e tij të vjetër e të neveritshëm bolshevik, ka ngritur një akuzë mbi një histori të sajuar këmbë e krye, për të vëllanë e Fatmirit. Një histori me drogë venezuelane, për babain e dy fëmijëve që është në punën e tij të ndershme dhe ka vetëm një faj:

Eshtë vëllai i njeriut që drejton Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën më të rëndësishme dhe më të vështirë të 25 vjetëve të fundit!

E kam të qartë që dokrrat e pocaqisura të Saliut i dëgjojnë e besojnë vetëm ata që kanë probleme serioze me fillin e arsyetimit dhe që janë një pakicë e pashërueshme fanatikësh. Por arsyeja pse e bëra këtë shënim, nuk ka të bëjë fare me besueshmërinë e Gojështhurrurit të Madh!

Jo, ky shënim ka të bëjë me nevojën për t’i shprehur publikisht Fatmir Xhafajt e familjes së tij, solidaritetin qytetar e njerëzor, duke përbuzur publikisht fushatën që po bën kundër tij, njeriu më i trembur në Shqipëri nga Reforma historike në Drejtësi. /citynews/

22:24 Aktualitet

Kaosi i madh

Thelbi i tragjedisë së lashtësisë konsistonte tek “katarsisi...

Lajmet e fundit nga