LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse shqiptarët kërkojnë arrestimin e Ilir Metës?

30 Korrik 2016, 17:16, Aktualitet CNA

Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit dhe kreu i LSI-së, ndoshta është i vetmi ndër politikanët e tranzicionit shqiptar, për të cilin duket se ka një konsensus popullor për ta arrestuar.

Ndoshta akuzat e artikuluara ndaj tij, ndoshta përfshirja e emrit të tij në disa nga çështjet më sensitive, e kanë kthyer Metën në politikanin ndoshta më të përfolur në politikën shqiptare nga 1991. Sot është e vështirë të gjesh socialistë dhe demokratë, pranë PS dhe PD, që të kenë një çështje që mund të bien dakort, përveç asaj kur bie fjala tek emri i Ilir Metës.

Në konferencën për mediat të mbajtur rreth dy javë më parë, në prag të miratimit të reformës në drejtësi, Ilir Meta nuk nguroi të deklaronte se nuk ka frikë nga burgu, se është i gatshëm të bëjë burgun  për të gjithë. Madje Meta tha se është kalitur me këtë ide që nga viti 1993, ku i hoqën mandatin e deputetit.

Megjithëse në vitet e tranzicionit shqiptar, pothuajse të gjithë politikanët, pavarësisht kaheve janë akuzuar dhe kanë paralajmëruar njëri-tjetrin me burg, në rastin e Kreut të LSI-së ka një të veçantë, pasi emri i tij lakohet që nga viti 2000-2001 me vjedhjen e thesarit të Krrabës.

Në atë kohë, Ilir Meta ishte Kryeministër dhe akuzat iu drejtuan nga opozita e asaj kohe e drejtuar nga Sali Berisha.

Më pas, emri i Metës u përfshi në akuzat brenda rradhëve të socialistëve, derisa ai dhe një grup mbështetësish të tij u larguan dhe në 2004 themeluan LSI-në.

Pas një periudhe pause, Meta ishte protagonist në zhvillimet parlamentare në vitin 2008 ku forcërisht tentoi të pengonte miratimin e ndryshimeve Kushtetuese, madje pamjet filmike tregojnë një deputet që kërcente mbi tavolina, në tentativë për të sulmuar Kryetaren e Kuvendit të asaj kohe, Jozefina Topalli.

Dy vite më pas emri i tij rezuloi i përfshirë në video-skandalin me Dritan Priftin, kur Meta shfaqej në zyrën e ministrit të Ekonomisë, me një bllok në dorë. Gjykata rrëzoi videon, megjithëse në publik vështirë se do të harrohet blloku.

Në 2013, Meta do të nënshkruante një marrëveshje qeverisëse me Edi Ramën, megjithëse të dy liderat politikë të dy partive të majta kishin drejtuar ndaj njëri-tjetrit akuza nga më monstruozet.

Me marrëveshjen e arritur, Meta nuk u përfshi si pjesë e Kabinetit Qeveritar, por morri detyrën e Kryetarit të Kuvendit. Por periudha e qetësisë për Kryeparlamentarin sërisht nuk zgjati shumë, pasi emri i tij u lakua nga çështjen CEZ, duke shkaktuar debate të forta.

Pas këtij debati, Kryetari i Kuvendit, do t?i duhej të përballej në studion e Zërit të Amerikës, me pyetje mbi pasurinë e tij, duke u bërë ndoshta i pari politikan që në studion e VOA-s, përballet me të tilla pyetje.

Duket se nami i Ilir Metës, pavarësisht se ligjërisht rezulton i pastër, ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Kjo edhe për faktin se pothuajse çdo zyrtar i lartë europian apo amerikan që ka vizituar Shqipërinë ka shmangur takimet me numrin dy të shtetit shqiptar.

Meta është munduar ta justifikojë këtë shmangie me faktin se zyrtarët që kanë vizituar Shqipërinë nuk janë homologë të tij, pra drejtues të Parlamenteve të vendeve të tyre, por në anën tjetër shqiptarët e kanë përkthyer këtë me faktin se ai është i izoluar.

Ndoshta dyshimeve të tyre, i shtohet edhe ky qëndrim i zyrtarëve më të lartë botërorë, që nisin me Sekretarin amerikan Kerry, vijojnë me kancelaren Merkel dhe përmbyllen me Ndihmës Sekretaren amerikane, Nuland. /citynews/

Lajmet e fundit nga