LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Klodian Tomorri/ Kryeministri i 1 për qindëshit

30 Korrik 2016, 19:47, Aktualitet CNA

Edi Rama ka një raport të çuditshëm me pushtetin. Atij i pëlqen të qeverisë të dobëtit, por njëkohësisht tundohet gjithmonë që t?u shërbejë të fortëve. Tre vjet pasi u mandatua si kryeministër, rekordi qeverisës i Ramës është pasqyra më e mirë e këtij raporti të dyfishtë.

Në vitin 2013, një nga vendimet e para që Edi Rama firmosi në tryezën e kryeministrit ishte ai i faljes së 30 milionë dollarëve gjoba tatimore të vendosura gjatë fushatës elektorale. Motivi ishte absurd. Për qeverinë e re këto ishin gjoba politike, të vendosura nga qeveria në ikje e Sali Berishës si presion dhe hakmarrje ndaj biznesit. A thua se shteti dhe institucionet duhet të pushojnë së ekzistuari gjatë fushatave elektorale. Por pasoja që prodhoi ishte edhe më e rëndë.

Kur Tatimet publikuan listën nominale të subjekteve përfituese, rezultoi se gjysma e shumës së falur shkoi vetëm për katër kompani; ARMO-n, OSHEE-n, Kurum-in dhe një kompani nga Bradasheshi, e cila thuhej se kishte lidhje të forta në qeveri (lista e perfituesve.pdf).

Në fakt, në listën e bizneseve përfituese ndodheshin mbi 3500 biznese, por ironikisht 35 të parat përfituan 90 për qind të shumës. Kryeministrin e përndjek rregulli i 1 për qindëshit. Politikat e qeverisë së tij bien shpesh në oborrin e oligarkëve. Ajo që u justifikua si një masë për të lehtësuar biznesin, në të vërtetë ishte një koktejl me para publike për elitën ekonomike.

Por teksa 1 për qindëshi gëzonte dhuratat bujare të buxhetit, për qytetarët e zakonshëm qeveria kishte bërë gati kërbaçin e pushtetit. Në vitin 2014, policia e shtetit zbriti në terren për të rivendosur rregullin në sektorin e energjisë. Mijëra qytetarë të varfër u arrestuan. Disa prej tyre madje humbën jetën.

Reformat kanë dëme anësore. Por gjithmonë viktimat vijnë nga radhët e të varfërve. Elita është e paprekshme. Në të njëjtën kohë që qytetarët burgoseshin masivisht për 30 mijë lekë fatura të papaguara, në gjirin e maxhorancës së kryeministrit kishte deputetë me 300 milionë lekë detyrime ndaj OSHEE.

Flirti i qeverisë me 1 për qindëshin nuk përfundon asnjëherë. Dy vitet e fundit, Ministria e Shëndetësisë ka qerasur mbi 300 milionë euro kontrata 10 vjeçare të garantuara nga buxheti për vetëm 3 kompani. Favore fiskale, transferta të drejtëpërdrejta nga buxheti apo kontrata të garantuara me ligj, qeveria dhe oligarkët gjithmonë e kanë gjetur mënyrën për të bërë biznes mes tyre. Por java që po lëmë pas, shënon ndoshta kulmin e dashurisë mes pushtetit politik dhe atij ekonomik.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë, pjesa më e madhe e vendimeve ishin shërbim ekskluziv për oligarkët e 1 për qindëshit, ndërsa shumë shpejt në parlament do të kalojë një tjetër falje fiskale, ku edhe këtë radhë 90 për qindëshi i faljes do të shkojë sërish tek 1 për qindëshi i elitës financiare të vendit.

Qeveritë zgjidhen për të përfaqësuar interesat e 99 për qindëshit të popullsisë. Por gjithmonë përfundojnë duke I shërbyer 1 për qindëshit. Unë nuk e di se sa prej oligarkëve kanë qenë pjesë e 1 milionë shpullave tre vjet më parë. Por me sa duket ata kanë qenë votuesit më racionalë. Të tjerët?? Ta gëzojnë Rilindjen.

Lajmet e fundit nga