LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vetingu/Si do të realizohet kontrolli i figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale për Gjyqtarët dhe Prokurorët

24 Korrik 2016, 11:46, Aktualitet CNA

Procesi i Vettingut ishte më i debatueshmi gjatë diskutimeve mbi reformën në drejtësi, ndërsa u konsiderua si një vijë e kuqe nga Kryeministri Edi Rama referuar propozimeve që vinin mbi rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces. Tashmë që ndryshimet Kushtetuese janë miratuar dhe presin firmën e Presidentit Bujar Nishani për të hyrë në fuqi, një nga proceset e para dhe më të rëndësishme të gjithë asaj që quhet si sistemi i ri i drejtësisë është pikërisht Vettingu, apo skanimi i anëtarëve të Gjykatave dhe Prokurorive. Kush kalon Vettingun, mund të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe madje të aplikojë për pozicionet e reja në gjyqësor apo prokurori. Por kush nuk e kalon, automatikisht del jashtë sistemit.

Sipas aneksit të Kushtetutës së re, institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë bashkëpunojnë me Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit, duke vënë në dispozicion të tyre informacionin e kërkuar, si dhe duke siguruar akses të drejtpërdrejtë në të dhënat. Ata mund të japin mendime ose të bëjnë propozime konkrete, sipas ligjit. Komisioni ose Kolegji i Apelimit, sipas rastit, përmes personelit të tyre, Komisionerit Publik ose vëzhguesit ndërkombëtar, shqyrton deklaratat e subjektit të rivlerësimit për të shkuarën e tij, interviston personat e përmendur në deklaratë ose persona të tjerë, si dhe bashkëpunon me institucione të tjera shtetërore ose të huaja për të konfirmuar vërtetësinë dhe saktësinë e deklarimeve.

Komisioni, Kolegji dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë akses të drejtpërdrejtë në të gjitha bazat e të dhënave qeveritare, përveç atyre që janë klasifikuar ?sekret shtetëror?, duke përfshirë edhe dosjet personale të të rivlerësuarit, të dhënat statistikore, dosje të përzgjedhura për rivlerësim, vetëvlerësimet, mendimet e eprorëve, të dhënat për trajnimet dhe ankimet ndaj të rivlerësuarve, rezultatet e verifikimit të ankesave, vendimet për marrjen e masave disiplinore ndaj të rivlerësuarve, të dhënat për pronat e të rivlerësuarit, llogaritë bankare, të dhënat tatimore, të dhënat për automjetet, të dhënat për hyrje?daljet në kufi, si dhe çdo dokument tjetër të dobishëm. Komisioni ose Kolegji mund të urdhërojë individë dhe shoqëri tregtare të dëshmojnë ose të japin prova në përputhje me ligjin.

Barra e provës i kalon subjektit të rivlerësimit vetëm për këtë proces, duke përjashtuar çdo proces tjetër, në veçanti procesin penal.

Vlerësimi i pasurive

Subjektet e rivlerësimit i nënshtrohen deklarimit dhe kontrollit të pasurive të tyre me qëllim që të identifikohen ata që kanë në pronësi ose në përdorim pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht, ose ata që nuk i kanë deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur.

Subjekti i rivlerësimit dorëzon një deklaratë të re dhe të detajuar të pasurisë në përputhje me ligjin. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave kontrollon deklaratën e pasurisë dhe i dorëzon Komisionit një raport për ligjshmërinë e pasurive, për saktësinë dhe plotësinë e deklarimit, sipas ligjit.

Subjekti i rivlerësimit duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të ardhurave. Pasuri të ligjshme për qëllimet e këtij ligji konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Elemente të tjera  të pasurisë së ligjshme përcaktohen me ligj.

Nëse subjekti i rivlerësimit ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, ai prezumohet fajtor për shkeljen disiplinore, përveçse kur ai paraqet prova që vërtetojnë të kundërtën.

Nëse subjekti i rivlerësimit nuk e dorëzon deklaratën e pasurisë në kohë sipas ligjit, ai shkarkohet nga detyra. Nëse subjekti i rivlerësimit përpiqet të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij, zbatohet parimi i prezumimit në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Kontrolli i Figurës

Subjektet e rivlerësimit dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja.

Subjektet e rivlerësimit plotësojnë dhe i dorëzojnë Komisionit një deklaratë të detajuar për figurën e tyre që mbulon periudhën nga data 1 Janar 2012 deri në ditën e deklarimit, sipas ligjit. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal.

Nëse subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Nëse subjekti i rivlerësimit nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën sipas ligjit, ai shkarkohet. Nëse subjekti i rivlerësimit përpiqet të bëjë deklarime të pasakta, ose të fshehë kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Vlerësimi i aftësive profesionale

Subjektet e rivlerësimit i nënshtrohen një rivlerësimi të aftësisë profesionale me qëllim identifikimin e atyre të cilët nuk janë të kualifikuar për të kryer funksionin e tyre dhe të atyre të cilët kanë mangësi profesionale që mund të korrigjohen përmes edukimit.

Vlerësimi i aftësisë zhvillohet me ndihmën e nëpunësve që ushtrojnë detyrën e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve ose prokurorëve në kohën kur kryhet rivlerësimi. Vlerësimi i aftësisë për gjyqtarët, këshilltarët ligjorë ose ndihmësit ligjorë përfshin aftësinë për të gjykuar, aftësitë organizative, etikën dhe angazhimin ndaj vlerave gjyqësore, cilësitë personale dhe angazhimin profesional, bazuar në standardet e parashikuara në ligj.

Vlerësimi i aftësisë për prokurorët përfshin aftësinë për të hetuar dhe për të ngritur akuzën publike, aftësitë organizative, etikën dhe angazhimin ndaj vlerave profesionale si dhe cilësitë personale bazuar në standardet e parashikuara në ligj. Vlerësimi i aftësisë për këshilltarët ose ndihmësit ligjorë përfshin  testimin pranë Shkollës së Magjistraturës. Vlerësimi i aftësisë nuk shtrihet ndaj çështjeve që janë në shqyrtim.

Në rast se rezulton se subjekti i rivlerësimit ka njohuri, aftësi, gjykim ose sjellje të cekëta, ose ka një mënyrë pune që nuk pajtohet me pozicionin e tij, atëherë kjo konsiderohet mangësi profesionale dhe zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të pezullimit shoqëruar me detyrimin për të ndjekur programin e edukimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Në rast se rezulton se subjekti i rivlerësimit ka njohuri, aftësi, gjykim ose sjellje të papërshtatshme, ose ka një mënyrë pune që nuk pajtohet me pozicionin e tij dhe mangësia e vërejtur nuk mund të korrigjohet përmes programit një vjeçar të edukimit, zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Në rast se subjekti i rivlerësimit kryen veprime për të penguar ose vështirësuar vlerësimin e tij, ose rezulton se ka njohuri, aftësi, gjykim, qëndrime, ose një model pune aq të dobët saqë rrezikon ose cenon të drejtat e qytetarëve, ai konsiderohet i papërshtatshëm për të ushtruar funksionin. Në këtë rast zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën. /citynews/

Lajmet e fundit nga