LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Këshilli i Lartë Gjyqësor, funksionet dhe kriteret/Si do të operojë struktura që emëron gjyqtarët?

24 Korrik 2016, 10:30, Aktualitet CNA

Këshilli i Lartë Gjyqësor është një nga institucionet e reja që do të ngrihen pas miratimit të reformës në drejtësi. KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë i zgjedh nga Kuvendi, nga radhët e juristëve jo gjyqtarë.

Anëtarët gjyqtarë përzgjidhen nga radhët e gjyqtarëve me integritet të lartë moral dhe profesional, ndërsa anëtarët jo gjyqtarë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional.

Dy anëtarë jo gjyqtarë zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy anëtarë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe një anëtar nga shoqëria civile. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, bazuar në një procedurë transparente dhe publike, shpall vendet vakante, sipas ligjit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kandidaturave, verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji si dhe vlerëson kriteret profesionale e morale për anëtarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe përgatit listën.

Në rast se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t?u zgjedhur, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk i përfshin emrat e tyre në listë. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit pas përfundimit të verifikimeve, i dërgon menjëherë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale nënkomisionit sipas paragrafit 7 të këtij neni. Komisioni i përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend krijon një nënkomision për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e listës.

Nënkomisioni përbëhet nga 5 deputetë prej të cilëve 3 caktohen nga shumica dhe 2 nga pakica parlamentare, sipas përfaqësimit të tyre në Kuvend në kohën e krijimit të nëkomisionit. Nënkomisioni, me të paktën katër vota, mund të përfshijë në listën e kandidatëve edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për mospërmbushje të kritereve formale. Nënkomisioni përzgjedh kandidatët me të paktën 4 vota.

Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidati përzgjidhet me short. Brenda 10 ditëve, Kuvendi mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura vazhdon në nënkomision sipas procedurës, por jo më shumë së dy herë.

Në rast se kandidatët nuk përzgjidhën pas tri raundeve, përzgjedhja e tyre bëhet me short. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur.Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë, sipas ligjit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron funksionet e mëposhtme

a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve;

b) vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve;

c) i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, sipas ligjit;

ç) miraton rregullat e etikës gjyqësore dhe mbikëqyr respektimin e tyre;

d) drejton dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punës në administratën e gjykatave, me përjashtim të mbarëvajtjes së strukturave të teknologjisë së informacionit në gjykata, e cila rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave;

dh) propozon dhe administron buxhetin e tij dhe të gjykatave;

e) informon publikun dhe Kuvendin për gjendjen e sistemit gjyqësor;

ë) ushtron funksione të tjera të caktuara me ligj. /citynews/

Lajmet e fundit nga