LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tre skenarët politikë pas 21 Korrikut

14 Korrik 2016, 13:47, Aktualitet CNA

Pas 21 Korrikut, ditës kur Kuvendi do të votojë mbi draftin e reformës në drejtësi, priten lëvizje politike, të cilat kanë lidhje me faktin nëse reforma do të miratohet ose jo.

Sipas skenarit të parë, nëse Kuvendi rrëzon reformën, ose më saktë nuk realizohet kuorumi prej 94 votash që do të çonte në miratimin e draftit, Kryeministri Edi Rama mund të provokojë një krizë për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Por zgjedhjet e parakohshme kundërshtohen si nga opozita ashtu edhe nga LSI, çka do të thotë se ky skenar i Ramës mund të rrëzohet, për shkak sepse ai nuk ka votat për të shkaktuar krizën politike.

Skenari i dytë është që përmes një mocioni mosbesimi, Qeveria Rama të rrëzohet dhe në Kuvend të krijohet një mazhorancë fluide, një qeveri e re, me një Kryeministër të ri.

Ky lloj skenari është më i mundshëm se skenari i parë, pasi përputhet me interesat e opozitës, LSI dhe deputetëve socialistë të pakënaqur nga Rama. Në këtë rast do të shmangej kriza dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Skenari i tretë është që Rama dhe Meta të gjejnë gjuhën e përbashkët, kushtet e LSI për të larguar disa ministra nga Qeveria të pranohen nga Kryeministri dhe LSI-së ti jepet një apo më shumë ministri, sesa ka aktualisht në Qeverinë Rama.

Nëse ndodh ky skenar, atëherë humbësi më i madh del PD e drejtuar nga Lulzim Basha, e cila po merr kostot e kundërshtive mbi reformën në drejtësi, por edhe kritikat e ndërkombëtarëve. Në këtë rast opozita humbet edhe mundësinë për të çuar vendin drejt zgjedhjeve, apo që e majta të shkojë në zgjedhjet e ardhshme e përçarë.  /citynews/

Lajmet e fundit nga