Aktualitet
Në prag të reformë në drejtësi/Meta i tregon muskujt Ramës
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga seanca ku do të votohet drafti i Reformës në Drejtësi, Ilir Meta po i tregon muskujt Edi Ramës.
Kreu i LSI po shfrytëzon në maksimum votat e deputetëve që zotëron ndoshta për të marrë më shumë poste qeveritare, në rast të një riformatimi të qeverisë.
Burime nga mazhoranca bëjnë të ditur se PS dhe LSI kanë nisur negociatat në përpjekje për të çtensionuar marrëdhëniet mes Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.
Prej disa ditësh LSI po ushtron presion ndaj Kreut të Qeverisë, duke paralajmëruar madje edhe mos mbështetjen me votë në rast të një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë Rama.
Të gjithë skenarët që deri më tani kanë qarkulluar duket se kanë burimin tek LSI, e cila duhet të tregojë nëse i ka seriozisht ato apo thjesht po mat forcën dhe po ushtron presion ndaj Ramës për të marrë një post më shumë qeveritar.
Por, në një situatë të tillë, kur Rama ka rreth 55 deputetë që e mbështesin, LSI mund të shfrytëzojë në maksimum zgjerimin e saj me poste qeveritare, ose marrjen e postit të ministrit të Brendshëm, Ministri të cilën prej disa kohësh e kërkon.
LSI kërkon largimin e Tahirit nga posti i ministrit të Brendshëm, Gjiknurit nga posti i ministrit të Energjitikës, dy nga ministrat që në jo pak raste kanë pasur përplasje me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. i pari akuzohej për përgjimet e paligjshme, ndërsa i dyti për nxjerrjen në media të dosjes së CEZ.
Deri më tani të dy ministrat ishin nën mbrojtjen e Edi Ramës pavarësisht akuzave dhe sulmeve, por në kushtet aktuale kur Kryeministrit i mungojnë votat dhe i duhet një unifikim qëndrimi votash përsa i takon reformës në drejtësi, në pritje se deputetë të opozitës mund të votojnë pro draftit pavarësisht vendimit politik të PD-së, Rama mund të jetë i gatshëm të bëjë çdo marrëveshje me Metën, qoftë edhe duke i plotësuar kërkesat e tij për të tjera poste qeveritare, apo për largimin e ministrave që LSI nuk i mbështet në Qeverinë aktuale.
Por gjithashtu Ramës i intereson çtensionimi i raporteve me aleatin e tij kryesor në qeverisje për të shmangur mocionet e mosbesimit, që mund të çojnë në krijimin e një aleance të re në Kuvendin e Shqipërisë, që pasohet me krijimin e një qeverie tjetër me Kryeministër të ri, por jo Edi Ramën. /citynews/