LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Klodian Tomorri/ Bilanci mediokër i ekonomisë

10 Korrik 2016, 18:15, Aktualitet CNA

Përgjatë dy viteve të fundit beteja më e madhe publike e qeverisë ka qenë të bindë qytetarët se ekonomia po rimëkëmbet dhe falë reformave të saj vendi po ecën në drejtimin e duhur. Jo rastësisht, në të gjitha daljet e tij publike, ministri i financave nuk zhgënjen asnjëherë të përsërisë me përpikmëri të njëjtin mesazh: ?Shqipëria e ka lënë përfundimisht mbrapa krizën.?

Përqëndrimi i arsenalit propagandistik tek ekonomia nuk është i rastësishëm. Qeveria është e vetëdijshme se bilanci ekonomik i saj është mediokër në të gjitha drejtimet. Të paktën këtë thonë vetë numrat e saj.

Sipas INSTAT, nga viti 1998 deri në 2010-ën ekonomia shqiptare u rrit mesatarisht me 6.3 për qind në vit. Por pas vitit 2010, ajo është rritur më një normë 3 herë më të ulët- mesatarisht vetëm 2.15 për qind në vit. Edhe pas vitit 2013, i cili sipas qeverisë shënon fundin e krizës ekonomike dhe periudhën e Rimëkëmbjes, Prodhimi Kombëtar ka vazhduar të rritet me ritme po kaq stanjative, mesatarisht me vetëm 2.22 për qind në vit.

Zakonisht krizat pasohen gjithmonë me ekspansione të forta ekonomike për shkak se bizneset rigjallërojnë investimet, ndërsa individët i rikthehen tregut të punës. Jo rastësisht, në dy vitet që pasuan shokun e 1997-ës, rritja mesatare ekonomike ishte 11.5 për qind në terma realë. Por kjo nuk ka ndodhur këtë herë. Rritja ekonomike vazhdon të mbetet mediokre nën nivelin 3 për qind. Rrjedhimisht ajo që qeveria e quan rimëkëmbje të ekonomisë, në të vërtetë është një agoni e stërzgjatur me pasoja të mëdha jo vetëm në jetesën e familjeve, por edhe të ardhmen e tyre.

Për të kuptuar se çfarë rimëkëmbje është mjafton vetëm një krahasim. Nëse në këto 23 vjet që nga rënia e komunizmit, ekonomia do të ishte rritur mesatarisht me 2.2 për qind në vit, sa mesatarja e pas vitit 2013, të ardhurat mesatare për frymë të shqiptarëve tani do të ishin tre herë më të ulëta nga sa janë. Si rezultat sot Shqipëria do të ishte më e varfër se Kongo, Nigeria, Kenia dhe shumica dërrmuese e vendeve afrikane.
Duke parë nga e ardhmja, zgjidhja e të gjitha problemeve sociale dhe ekonomike të Shqipërisë qëndron tek rikthimi i rritjes së shpejtë ekonomike. Pas 7 viteve të gjatë dhe lodhës, depresioni të deritanishëm, vendi ka realisht nevojë për një erë të re. Shpresa qëndron tek e ardhmja. Deri atëherë, Rilindja ishte vetëm një shans i humbur.

Lajmet e fundit nga