LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kosovë/ Liberalizimi i vizave dhe kufiri me Malin e Zi

6 Korrik 2016, 22:18, Aktualitet CNA

Liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës mund të vonohet edhe më shumë, nëse parlamenti nuk ratifikon marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Të martën raportuesja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, tha se Komiteti për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, vendosi të shtyjë për pesë shator votimin “për shkak të përparimit të mangët në procesin e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje”, ndonëse votimi pritej javën e ardhshme.

Zonja Fajon shprehu besimin se parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë këtë marrëveshje gjatë verës në mënyrë që të shmangë zvarritjen e mëtejshme të liberalizimit.

Komisioni Evropian propozoi më 4 maj heqjen e vizave për Kosovën duke vënë si kusht edhe ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, një çështje që ka ndikuar në krizën më të thellë politike në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së saj.

Vendimi për shtyrjen e votimit u cilësua lajm i keq në Kosovë, ku ndarjet rreth kësaj çështjeje janë të thella.

Opozita pohon se marrëveshja e nënshkruar në gusht të vitit 2015, e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj me gjithë vlerësimet edhe ndërkombëtare se shënimi i kufirit është në pajtim më dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci tha se qeveria dhe Parlamenti duhet ta përmbyllin këtë detyrim në ditët e ardhshme dhe sipas tij, “kjo çështje madhore duhet të largohet nga agjenda llogaritare e përfitimeve ditore politike. Çdo pengesë në zbatimin e këtij kriteri qytetarët e Kosovës do t?i mbaj të izoluar. Demarkacioni, si kauzë, nuk ekziston”, tha ai.

Partitë opozitare po ashtu tërheqin vërejtjen se shënimi i kufirit është kriter vetëm për Kosovën dhe nuk i ishte vënë asnjërit prej vendeve tjera të Evropës Juglindore.

Ratifikimi i marrëveshjes kërkon dy të tretat e votave në parlamentin e Kosovës dhe partitë në pushtet ende nuk e kanë dërguar çështjen në parlament nga droja se deputetë nga radhët e tyre mund të votojnë kundër për shkak të pakënaqësive me procesin.

Ndonëse të dyja palët bëjnë thirrje për një pajtim rreth kësaj çështjeje, deri tash nuk ka pasur asnjë përpjekje për krijimin e një konsensusi rreth saj. Analistët thonë se një shtytje mund t’i jap vizita e ndihmës sekretares amerikane të shtetit Victoria Nuland këtë fundjavë në Kosovë.

Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2012 dhe propozimin katër vjet më pas, por qytetarët e saj edhe më tej janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Shëngen, që përfshinë pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian./VOA

Lajmet e fundit nga