LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dhënie me qira të pronës tek Irfani, Veliaj i rrit faturën financiare Ramës minimalisht 7 milionë euro

5 Korrik 2016, 14:26, Aktualitet CNA

Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të shqyrtojë nesër në mbledhjen e tij mes të tjerave edhe pr/vendimin për dhënien me qira të një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katror, nga të cilat 4310 metra katror kanë pronar të ligjshëm të njohur nga AKPP që prej vitit 1995, por edhe me vendime gjykate të vitit 1999.

Por Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erjon Veliaj duket se nuk njeh as vendimet e AKKP-së dhe as ato të gjykatës, duke iu referuar dy vendimeve të Këshillit të Ministrave që njohin Bashkinë e Tiranës si pronare të objekteve që ndodhen mbi truallin me pronarë të ligjshëm.

Nisur nga kjo llogjikë, Bashkia ka vendosur që sipërfaqen e tokës në vendin e njohur si ish-Galanteria ta japë me qira një subjekti privat, që rezulton në pronësi të Irfan Hysenbelliut. Madje, Bashkia e Tiranës duket se ka shpërfillur edhe institucionin e Avokatit të Popullit, i cili duke pranuar ankesën e pronarëve të ligjshëm i ka drejtuar shkresë zyrtare institucionit të drejtuar nga Veliaj në lidhje me çështjen në fjalë.

Citynews zotëron dosjen e plotë dhe letërkëmbimet mes pronarëve, Bashkisë së Tiranës dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, i cili gjithashtu ka kërkuar sqarime nga Kryebashkiaku Erjon Veliaj dhe punonjësit e institucionit që ai drejton.

Por ajo që ka ndodhur është shpërfillja, çka do të thotë se Bashkia e Tiranës është e vendosur për të çuar deri në fund procesin e dhënies me qira duke anashkaluar pronarët legjitimë. Çështja ndodhet për gjykim në Gjykatën e Strasburgut, e cila mund të vendosë një faturë financiare prej 7 milionë eurosh në lidhje me sipërfaqen në fjalë, çka do të thotë se për një kapricio, në rastin më të mirë nga ana e Kryebashkiakut, shtetit shqiptar ti vendoset një detyrim i tillë për ta paguar.

Pronarët legjitimë të truallit janë munduar të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, por përgjigjia e marrë prej kësaj të fundit ka qenë surprizuese: ata cilësohen thjesht njihen si pronarë, por prona është e shtetit dhe objektet mbi të të Bashkisë. Nisur nga kjo llogjikë, Bashkia ka vendosur të japë me qira sipërfaqen, e cila do të shndërrohet në një markatë ku mund të punësohen rreth 800 persona.

Ende nuk dihet se me çfarë çmimi ka vendosur Bashkia e Tiranës të japë sipërfaqen me qira, edhe pse pronarët legjitimë janë anashkaluar plotësisht. Nëse çështja përfundon në Strasburg, atëherë Qeveria është e detyruar të dëmshpërblejë pronarin legjitim me shifrën që përcakton kjo Gjykatë.

Gjatë periudhës së fundit, Kryeministri Edi Rama ka apeluar disa herë për ti dhënë fund zgjidhjes së konflikteve në Gjykatën e Strasburgut, për shkak se faturat financiare që mund të paguajë shteti kundrejt pronarëve legjitimë janë tepër të larta.

Nuk dihet nëse Erjon Veliaj i ka parasysh apelet e Kryeministrit, por me zgjidhjen që ka gjetur duke dhënë me qira pronën e pronarëve legjitimë, të cilët mund të kërkojnë përshpejtimin e procesit në Strasburg, fatura financiare në tavolinën e Edi Ramës, mund të shkojë në 7 milionë euro.  /citynews/

Lajmet e fundit nga