LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga vjedhja e thesarit të Krrabës tek grabitja në Rinas, Ilir Meta pjesë e Qeverisë

4 Korrik 2016, 10:31, Aktualitet CNA

Nga viti 2000 deri më 30 Qershor 2016, kanë ndodhur 3 vjedhje spektakolare në Shqipëri, jo vetëm përsa i takon shumave monetare, por edhe mënyrës sesi ato janë kryer. E veçanta në të tre vjedhjet e kryera, nga thesari i Shtetit që ruhej në tunelet e Krrabës, tek vjedhja e thesarit të Bankës së Shqipërisë dhe së fundmi grabitja e kryer në Rinas, është se Ilir Meta ka qenë pjesë e pushtetit qeveritar. Ndoshta fati i keq e ndjek Kryetarin aktual të Kuvendit, njëherëz edhe Kryetar të LSI-së, që sa herë ndodhet në pushtet apo pjesë e mazhorancave qeverisëse, të ndodhin vjedhje masive apo spektakolare.

Vjedhja e thesarit në Krrabë

16 vite më parë në tunelet e sigurisë në Krrabë u vodhën rreth 280 kg ar. Qeveria kryesohej nga Ilir Meta, ndërsa tunelet e Krrabës konsideroheshin ndër më të sigurtat përsa i takon ruajtjes së thesarit të shtetit. Vjedhja u denoncuar në atë kohë nga Partia Demokratike, më konkretisht kreu i saj në atë kohë, Sali Berisha. Por deklaratat e Berishës nuk u morrën në konsideratë, u cilësuan në atë kohë thjesht si sulme politike dhe spekulime, ndërsa vetëm pas 6 muajsh u provua se thesari i Krrabës ishte vjedhur. Hetimet për ngjarjen në fjalë nuk zbardhën kurrë sasinë e floririt të vjedhur në Krrabë, madje edhe autorët e saj, ndërsa për një nga vjedhjet më spektakolare do të akuzoheshin disa fshatarë të zonës, të cilët kishin vjedhur sasisë e arit duke e ngarkuar në mushka.

Vjedhja e thesarit të Bankës së Shqipërisë

Në vitin 2014, pra 14 vite pas vjedhjes së thesarit të Krrabës, një tjetër thesar do të vidhej, ai i Bankës së Shqipërisë. Këtë rradhë vjedhja ishte në plot 713 milionë lekë, të cilat ruheshin në degën e thesarit të BSH-së, ndërsa pas vjedhjes u arrestuan disa nga punonjësit e Bankës, përfshi këtu edhe ish-Guvernatorin Ardian Fullani. Ky i fundit u zgjodh si Guvernator fillimisht në 2004 me votat e deputetëve socialist, të cilët qeverisnin vendin në atë kohë. Ndërsa në 2011 u rizgjodh për një tjetër mandat 7 vjeçar, ku pjesë e qeverisjes së vendit ishte Ilir Meta.  Madje rizgjedhja e Fullanit në këtë detyrë përkoi me plasjen e video-skandalit Meta-Prifti, për të cilin Kreu i LSI-së u përballë në Gjykatën e Lartë, ku fitoi pafajësinë. Zgjedhja e Fullanit dhe gjyqi ndaj Metës ndodhën në të njëjtën javë, me një diferencë vetëm dy ditësh.  3 vite në mandatin e dytë ish-Guvernatorit Fullani, ndodhi edhe grabitja në Thesarin e BSH-së, ndërsa Ilir Meta këtë rradhë ishte pjesë e qeverisjes së drejtuar nga Edi Rama. Edhe në vjedhjen e dytë të madhe të kryer, Ilir Meta ishte në krahun e Qeverisë.

Vjedhja e milionave në Rinas

Më 30 Qershor 2016 në pistën e aeroportit ndërkombëtar ?Nënë Tereza? në Tiranë u vodhën plot 83 kg kartmonedha euro, ndonëse zyrtarisht nuk ka një shifër mbi milionat e grabitura. Mund të konsiderohet një nga vjedhjet më spektakolare, për faktin se një ditë përpara se ajo të realizohej, Policia e Shtetit do të deklaronte shtimin e masave të sigurisë në aeroport. Pas vjedhjes së kryer nisi një debat në distancë mes kompanisë private të sigurisë së aeroportit dhe Policisë së Shtetit mbi masat e sigurisë në të vetmin aeroport ndërkombëtar në Shqipëri. Por përgjegjësia duket se zbret deri tek Ministria e Transporteve, nga e cila varet edhe Autoriteti i Aviacioni Civil. Në krye të ministrisë së Transporteve është Edmond Haxhinasto përfaqësues i LSI-së në qeverisje. Megjithëse masat e sigurisë në aeroport i përkasin policisë së shtetit, kjo e fundit pretendon se ka informuar instancat përkatëse, përfshi edhe Ministrinë e Transporteve mbi mungesën e sigurisë në Rinas.  Edhe në këtë ngjarje spektakolare, e cila duket se do të shoqërohet me një reformim total të sigurisë në vend, Meta, ndonëse në postin e Kryetarit të Kuvendit, ndodhet në mazhorancën qeverisëse.

Fati i keq i tij, që sa herë ndodhet në pushtet, ndodhin grabitje spektakolare jo vetëm në sasi, por edhe në sigurinë e vendeve që cënohen. /citynews/

Lajmet e fundit nga