LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Enkel Demi/ Gërdufje në qeveri

2 Korrik 2016, 14:26, Aktualitet CNA

Dje, ndoshta ishte dita më e keqe që një aleat t?i ngulte thikën qeverisë. Fill pas grabitjes të ndodhur në Rinas, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka mbajtur një konferencë për shtyp dhe ka akuzuar as më shumë e as më pak Ministrinë e Brendshme që nuk po kryen detyrimet kushtetuese, kurse forcat e rendit i përshkroi si struktura që bëjnë propagandë me statistika, madje përdori një fjalë që u lodha ta gjej në Fjalorin shqip-shqip, ?gërdufje?. Luan Rama, vetë ish-ministër i rendit thotë: ?Nuk arrij të kuptoj se çfarë tjetër duhej të ndodhte më shumë se grabitja në mes të ditës në pistën e aeroportit që të tundet shteti e të vihen përpara përgjegjësisë të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare, të cilat janë sfiduar për të disatën herë në këtë mënyrë. Por ngjarja e djeshme është padyshim më e rënda se ndodh në një kohë, kur Ministria e Brendshme flet për masa shtesë të sigurisë në të vetmin aeroport ndërkombëtar që kemi, menjëherë pas tragjedisë që ndodhi pas sulmit terrorist në Aeroportin e Stambollit. Cilat janë masat shtesë që banditët të hynin, të bënin çfarë deshën e të dilnin qetë-qetë sikur po dilnin nga një kafene rruge? Është e pafalshme, është e patolerueshme!?. Më tej ai kërkon mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, kurse kërkon nga Presidenti i Republikës të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ka dalë dhe Edi Paloka, por dukej shumë më i moderuar se aleati kryesor i qeverisë së kryeministrit Rama. Më i edukuar, me gjuhë më të mëndafshtë, Paloka kërkoi të njëjtat gjëra si Luan Rama.

Natyrisht, ngjarja është shumë e rëndë dhe mbas atentateve të Stambollit është cinizëm i hapur ndaj sigurisë në vend, por reagimi i LSI, kësaj here zyrtarisht dhe jo personalisht, rrëfen që klima brenda qeverisë është armiqësore. Praktikisht kjo deklaratë e Luan Ramës vërteton katërcipërisht fjalët që barka e shumicës po fut ujë, madje rrezikon të mbytet. Tani që reforma në drejtësi është muri ndarës mes forcave politike, një sulm kaq i hapur ndaj ministrit më të rëndësishëm të qeverisë Rama, policisë dhe aparatit të sigurisë nuk është këmbanë alarmi, por hedhje e dorezës së sfidës për duel.

Është e qartë prej kohësh që nga partia tjetër e së majtës buron çdo gjë veç buzëqeshjes, por dje ka nisur zyrtarisht beteja për ta mbajtur në këmbë këtë shumicë qeverisëse apo jo. Ngjarja e Rinasit është një argument i vërtetë, jo një sajesë, ndaj dhe forca e goditjes ishte po kaq e madhe. Kryeministri dje nuk pati asnjë deklarim, por i kujtoi shefit të opozitës se nuk ka frikë nga reforma në drejtësi. Madje, e porositi Lulzim Bashën t?ia thoshte këtë Sali Berishës. U duk sikur e la fjalinë e porosive përgjysëm, se e kishte me merak të çonte fjalë dhe diku gjetkë.

21 korriku mund të mos sjellë reformën në drejtësi, por një krizë të vërtetë qeveritare, ku Edi Ramës do i duhet të marrë lapsin dhe të mbledhë votat që ka për mbajtur në këmbë qeverinë. Në një farë mënyre të bëjë të njëjtat llogari matematikore si ambasadori Donald Lu, i cili ka zënë një tryezë në Rogner dhe këmben bashkëbiseduesit. Diplomatit amerikan nuk i dalin numrat për reformën dhe po bën diversionistin patriot të Shqipërisë. Ramës ka gjasa të mos i dalin numrat për tjetër hall dhe në një tjetër tryezë të Rognerit do i duhet të thërrasë ndoshta të tjerë faktorë. Natyrisht, shumë kohë nuk ka në dispozicion, sepse LSI ka filluar t?u bjerë telefonave.

Lajmet e fundit nga