Aktualitet
HABERET E MITROS/ ARI: HUMBËSI I MADH…
Lenini, babai i komunizmës, ka thënë: “Do të vijë një ditë kur floriri nuk do të ketë më vlerë. Komunistët do të ngrejnë në çdo kryeqytet të botës nevojtore publike prej ari. Aty do të urinojnë njerëzit…në shënjë hakmarrje për plagët e mëdha që I ka hapur proletariatit ari…”…Në Tiranë, gjatë këtij viti nuk do të ngrihet ndonjë hale publike e florinjtë. Jo se nuk qëndron teza e Leninit, por sepse nuk ka lëndë të parë! Arka e shtetit është bonifikuar nga ari.
Ka pasur apo nuk ka pasur ar me shumicë Shqipëria? Në një shënim të Kontit Çiano, mbi një studim të bankierëvë italianë në vitin 1938 theksohet: “Shqipëria është vendi më i pasur në botë, në monedha ari për frymë të popullsisë. Për shekuj me radhë, djemtë shqiptarë kanë shkuar nizamë (ushtarë) me pagesë në Anadoll. Pagesa është bërë me mexhite të arta. Ato kanë mbetur pronë e qytetatarëve, sepse shqiptarët më shumë preferojnë të mbushin qypat me florinj se sa të investojnë!
Shtrohet problemi dhe detyra juaj si bankierë që ky ar të vijë në Romë…”
Çfarë ndodhi?…Një superbankier italian hodhi idenë e zbrazjes së qypave. “Nuk është nevoja të përdorim forcën,- tha italiani i mënçur. Do t’I bëjmë shqiptarët që të vinë vetë si cjapi tek kasapi!… Do të hedhim në qarkullim napolonë floriri dhe napolonë prej letre. Napoloni prej karte do të jetë më I shtrenjtë se napoloni prej vërteti…”
Kështu u zbrazën një pjesë e qypave me florinj…
Kur Gjermania pushtoi Italinë, e morën arin dhe e e degdisën në Berlin. Kur mbaroi Lufta e Dytë Botrore, ari i grabitur nga Gjermania përfundoi në Londër. Në bazë të Traktatit të Paqes mes Fuqive të Mëdha dhe Gjermaninë, u vendos që ari I grabitur ti kthehej Shqipërisë.
Shkoi ta merrte në Londër Hysni Kapua me Behar Shtyllën. Kur anglezi po bëhej gati të hidhte firmën, erdhi haberi në Londër: Komunistët e Enverit, me ndihmën e komunistëve të Titos kishin minuar Kanalin e Otrantos! Anijet e Flotës Angleze, duke kaluar ndeshën në mina. Pati dëmtime. Një gjykatë ndërkombëtare nxori fajtore qeverinë e Shqipërise dhe e detyrojë të paguante disa milionë dollarë si dëm shpërblim.
Komunistët në pushtet nuk e njohën vendimin e Gjyqit të Hagës…Dhe ari u bllokua për 50 vjet rrjesht, deri sa u kthy në Shqipëri disa vjet më parë. Kuptohet, kokoshi ishte kthyer në thelën e plakës!
Enverit i duhej floriri për të qeverisur. Dikush I kujtojë idenë e bankierit italian. Tha Enveri…Nuk jami për mënyra kapitaliste. Ne jemi revolucionarë! Erdhëm në pushtet me grykën e pushkës? Erdhëm. Po me pushkë do të grumbullojmë edhe floririn!
Dhe e mbajti fjalën! U mbushën burgjet me borgjezë.Kusuri u internua. Qypat nuk u zbrazën por u bënë copë e çikë! Kur e pyetën një herë shokun Enver për arin tha: “Ari nuk u zhduk, por u transformua në fabrika ku punon kllasa puntore. Në bunkerë ku mbrohet liria dhe pavarësia e Atdheut tonë socialist! Në koromane që të hanë kalamanët!”
Po në demokraci, si i vajti halli i arit? Në të hyrë të prillit 2000, Prokuroria dha haberin: Në tunelet e Krrabës janë vjedhur 1 milionë dollarë. Zëdhënësi I kryeministrit Meta, po atë ditë e ngriti stekën në 2,7 milionë dollarë…Ecë e ecë dhe prokuroria arrestoi një fshatar, që kishte vjedhur arin me një gomar. Pas shumë hetimesh, u bë një gjyq shëmbëllor. Pati edhe dënime. Vetëm një gjë nuk dihet: Ku është vajti floriri i vjedhur, edhe pse janë këmbyer katër kryeministra: Meta, Nano, Berisha, Rama?…