Connect with Us

Nga Edison Ypi/ Kokërr më kokërr

Aktualitet

Nga Edison Ypi/ Kokërr më kokërr

Publikuar

-

Përsosmërisht e rrumbullakët dhe e lëmuar, e pandjeshme, e papërgjegjshme, e sigurtë në vetvete, sup më sup me mizërinë e qindramijërave të njëllojtave të tjera në bashkëpunim të paepur dhe të pandalshëm në kryqëzatën për pengimin e çdo progresi, superkokrra e kudondodhur e cila të tashmen e ka vrarë dhe të ardhmen e ka nxirë, është kokrra e budallait.
Më e ngathët se kërrmilli, më e zezë se qymyri, më e ndotur se pëgërja, më e padobishme se një palë këpucë të vjetra të hedhura, kokrra që, pas kokrrës së budallait, në konstelacionin kokrrizor shqiptaresk shquhet më tepër, quhet kokrra e dembelit.
Tjetër kokërr nga më të rëndësishmet që kemi, ajo kokërr të cilën të gjitha kokrrat e tjera e duan ta kenë, dhe e kanë, por asnjëra nuk e meriton, rëndësia e së cilës kokërr bie kur ajo kokërr është, dhe shtohet kur ajo kokërr mungon, kokrra që heraherës arratiset e fshihet por vendin se ku ajo kokërr është fshehur i vetmi që e di por nuk ja tregon askujt është Zoti të cilit kjo kokërr nuk i duhet, është kokrra e lekut.
Një kokërr të cilën kokrra e budallait e ndjek me pirun ndërsa kokrra e dembelit e merr me dorë dhe e ha, ajo kokërr të cilën, me ose pa bërthamë, me ose pa vetdije, s’dihet pse të gjitha kokrrat e tjera jo vetëm e shohin me dyshim e mosbesim, por edhe e thonë hapur se nuk e hanë, është e ngrënëshmja e yndyrshmja proverbiale kokrra e ullirit.
Kokrra tjetër, ajo që më së miri mishëron natyrën kleptokratike të rracës shqiptare, kokrra që udhëhiqet nga parimi i gjithditur sa paradoksal dhe i vërtetë se Shqipërinë sa më të tepër ta vjedhësh aq më e pasur bëhet dhe shqiptarin sa më tepër ta poshtërosh aq më skllav katandiset, pra kokrra pa të cilën kokërr Shqipëria dhe shqiptari nuk do mund të ekzistonin, e kush mund të jetë tjetër kjo kokërr veçse kokrra e hajdutit.
Kokrra e cila kokërrnajës sonë duke i hedhur kripë i jep shije dhe duke i shtuar ambiguitet e bën misterioze, e mjegullon, i heq peshën dhe vrazhdësinë e realitetit dhe e afron me fluiditetin dhe ëmbëlsinë e ëndërrës, e bën shqiptarin viktimë të këtij kurthi të mos besojë në çfarë objektivisht ekziston apo në çfarë faktikisht ndodh, por vetëm në atë çfarë verbalisht thuhet, çfarë konvencionalisht pohohet, është kokrra e delirantit.
Kokrra e cila në kohën e kurvit denonconte mikun, kolegun, familjarin dhe kë tjetër i vinte doresh, ndërsa sot ka mbushur politikën me vrasësa, pushtetin me xhvatësa, zyrat me hajduta, shoqërinë civile me karaputana, kokrra e spiunit.
Kokrra tepër prezente me anë të së cilë shqiptarët ndër shekuj pa asnjë gajle ja çpojnë njëritjetrit zemrën ose kokën, kokrra e plumbit.
Edhepse fort e rrallë, ka dhe një kokërr tjetër, që s’ngjan aspak me kokrrat e mësipërme, është kokrra e lotit.
Ka dhe kokrra më pak të rëndësishme që duhet të jesh kokrra e idiotit t’i shqyrtosh të gjitha kokërr më kokërr, si kokrra e mashtrusit që Zoti e ka fal për me na rrit vigjilencën, kokrra e mollës që të shëndetshmit cilësojnë ata që pas pak do vdesin, kokrra e rrushit prej së cilës të gjithë kemi dalë, e deri tek më e shijshmja dhe më e ëmbla e të gjitha kokrrave që është kokrra e kurvës.
Ka dhe një kokërr të kokrrave, një superkokërr, kokrra që nuk ndikohet as nuk ndikon asnjë progres dhe asnjë regres, nuk mumd të jetë pjesë e asnjë strategjie, nuk ka asnjë mardhënie me asnjë shpresë apo të ardhme, kokrra që nuk kushtëzohet nga asnjë konvencion i jetës në komunitet, ajo kokërr që nuk mund të thjeshtohet, sofistikohet, as modifikohet sadopak nga asnjë edukacion, asnjë erudicion, asnjë teknologji, përparim shkencor apo filozofi’, kokrra që nuk e shkul asnjë stuhi e tufan, nuk e djeg asnjë zjarr, nuk e mbyt asnjë oqean, bunkeri i fundit e mbrojtjes, llogorja e sprasme e ngushëllimit, kokrra e riprodhimit, kokrra e qefit.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Kronika

E rëndë në Korçë/ Gjendet i pajetë një person, dyshimet e para

Publikuar

-

Nga

Një i moshuar rreth 70 vjeç është gjendur i pajetë në fshatin Boboshticë të Korçës.

Sipas uniformave blu, viktima është shtetasi me inicialet I.L, i cili paraprakisht dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

Korçë/Informacion paraprak



Më datë 29.11.2021, rreth orës 17:00, në fshatin Boboshticë, Korçë, është gjetur i pajetë, në rrugë, pa shenja dhune, shtetasi I. L., rreth 70 vjeç. Nga hetimet paraprake, dyshohet se vdekja mund të jetë shkaktuar nga shkaqe natyrore.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Bota

Rritje e numrit të infektimeve/ Shtabi i krizës në Gjermani do të mblidhet këtë javë

Publikuar

-

Nga

Përballë situatës dramatike së koronas dhe variantit të ri shqetësues të Afrikës së Jugut Omikron, në Gjermani po përvijohen masa të tjera për të kufizuar pandeminë.

Kështu, njësia e krizës Corona e planifikuar nga koalicioni i ardhshëm qeveritar do të fillojë punën e saj në zyrën kancelarore në ditët në vijim. Sipas kreut të FDP Christian Lindner, ky organ i përhershëm midis federatws dhe landeve federale duhet të fillojë këtë javë.

Kryetarja e SPD, Saskia Esken e konfirmoi këtë: shtabi i krizave do të nisë punën “në fillim të kësaj jave”, tha Esken për radio publike bavareze BR. Ajo ishte optimiste se edhe liberalët e FDP-së do të mbështesnin masa më të ashpra për koronan. “Jemi plotësisht dakord që tani duhet bërë gjithçka për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve por edhe të punonjësve në pavionet e terapisë intensive”, tha ajo.

“Qytetet duhet të jenë pjesë e tryezës”

Në krye të shtabit të krizës do të jetë një gjeneral, tha Linder mbrëmë në programin “Anne Will” në kanalin ARD. Sipas një raporti të “Süddeutsche Zeitung”, gjeneralmajori Carsten Breuer pritet të drejtojë shtabin. 56-vjeçari është komandant i Komandës së Misioneve Territoriale të Bundeswehr-it, e cila është përgjegjëse për ndërhyrjet e forcave të armatosura në territorin kombëtar.

Komandanti i Komandës së Misioneve Territoriale, Gjeneral Major Carsten Breuer. Sipas “SZ”, ai duhet të drejtojë njësinë e ardhshme të krizës

Kryetari i Shoqatës së Qyteteve Gjermane, Markus Lewe kërkoi pjesëmarrjen e komunave. “Shtabi i ri i krizës së koronas duhet të fillojë menjëherë punën dhe qytetet të jenë pjesë e diskutimeve të tryezës”, tha politikani i CDU për gazetat e grupit mediatik Funke. “Ekspertiza e qyteteve është thelbësore për këtë, sepse këtu bëhet puna dhe masat e koronës zbatohen në vend”, theksoi Lewe.

Pjesëmarrje kërkon edhe Leopoldina

Akademia e Shkencave Leopoldina gjithashtu dëshiron të përfshihet në diskutime. “Ajo që mungon është sigurisht që shkenca dhe politika të kenë një dialog të vazhdueshëm. Ato nuk komunikojnë gjithmonë me njëra-tjetrën përmes pozicioneve dhe mediave kur situata është kritike” tha zëvendëspresidenti i Leopoldinas, Robert Schlögl.



Ai tha se nevojiten takime të rregullta ndërmjet institucioneve. Në rast se nuk veprohet menjëherë, Schlögl parashikoi që vala e katërt e koronës të jetë edhe më e madhe. Më pas vala do të bjerë natyrshëm në një moment dhe më pas do të ketë një valë të pestë. Si shkencëtar i shkencave natyrore, ti mund ta parashikosh këtë me saktësi, tha Schlögl.

LEXO EDHE:  REPORTAZH- Edison Ypi në kërkim të “Pekmezit”/ Udhëtim në të gjithë Korçën

LEXO EDHE:  Manjola/Nga Edison Ypi

Fatkeqësisht, modelet që e parashikojnë këtë janë shumë të sakta. “Kur mendojmë se mund të argumentojmë kundër kësaj me opinione, natyra thjesht do të na vërtetojë se kemi gabuar, sepse proceset natyrore ndodhin ashtu siç ndodhin dhe jo siç mendojmë ne.”

Sipas Schlögl-it, federata dhe landet federale tani duhet të argumentojnë në mënyrë të njësuar dhe të veprojnë në mënyrë uniforme. Kjo është arsyeja pse është jashtëzakonisht e rëndësishme shtabi i planifikuar në kancelarinë federale.

A do të afrohet takimi ndërmjet federatës dhe landeve?

Megjithatë, ka ende mosmarrëveshje nëse një takim federal dhe rajonal duhet të zhvillohet shpejt për shkak të situatës jashtëzakonisht të tensionuar dhe nëse mbrojtja ndaj infektimeve e ndryshuar nga koalicioni i ri qeveriar është e mjaftueshme për të thyer valën e katërt të koronas.

Përballë përkeqësimit të situatës së infektimeve në Gjermani, Ministri Federal i Shëndetësisë në detyrë, Jens Spahn, përsëriti thirrjen e tij për një takim të shpejtë të liderëve të shteteve federale dhe të landeve. Konsultimet midis qeverisë federale në detyrë dhe kryeministrave të landeve duhet të bëhen sa më parë, deklaroi Spahn në programin “Anne Will”.

Kufizimet e kontaktit duhet të vendosen menjëherë. Kështu është i domosdoshëm, një rregull 2G-Plus në hapësirat e brendshme, duke përfshirë detyrimin për të mbajtur maskë. Një konferencë e re e kryeministrave të landeve nuk është planifikuar para 9 dhjetorit.

Baerbock: “Mezi presim datën 9”.

Bashkëkryetarja e të Gjelbërve Annalena Baerbock bëri thirrje gjithashtu për veprim të shpejtë. “Mezi e presim datën 9”, tha Baerbock në emisionin “Anne Will”. Pas vendimit të nesërm të Gjykatës Kushtetuese Federale për frenën fedarale të emergjencës, është e nevojshme të bëhet një bilanc i zbatimit të masave të mundshme nga landet. Po të mos ndodhë kjo, duhet të ndërmerren veprime në nivel federal. Duhet të merren të gjitha masat për të kufizuar masivisht kontaktet në mënyrë që sistemi i kujdesit shëndetësor të mos shembet, tha Baerbock./dw

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Moti i keq “mbërthen” Shqipërinë/ Reagon Ministria e Mbrojtjes, ja zonat e rrezikuara

Publikuar

-

Nga

Sipas të dhënave të raportuara nga emergjencat civile, reshjet e shumta kanë sjellë disa problematika në zona të caktuara të vendit. Situata konkretisht paraqitet si më poshtë:

Qarku Tiranë. Si rezultat i reshjeve të shiut ka pasur prezencë uji në rrugën “5 Maji”, ku janë rrezikuar disa banesa. Ekipet e punës së bashkisë Tiranë kanë punuar për normalizimin e situatës.

Në vendin e quajtur Ura e Maqedonasit, bashkia Rrogozhinë, Lumi Shkumbin ka rritje të prurjeve dhe lumi ka filluar të dalë nga shtrati. Në vendngjarje kanë shkuar përfaqësues të bashkisë Rrogozhinë si dhe Prefekti i qarkut Tiranë Z. Afrim Qëndro. Situata po mbahet në monitorim.

Qarku Shkodër. Ka patur reshje shiu me intensitet mesatar. Në aksin rrugor Tamarë- Qafa e Bërdalecit ka pasur rënie gurësh dhe inerte. Firma kontraktore ka punuar për pastrimin e saj.

Qarku Durrës. Si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë ka një fryrje të lumit Erzen në zonën e Sukthit. Situata po monitorohet nga Prefekti i qarkut Durrës.



Qarku Dibër. Në fshatin Vinjoll, njësia administrative Lis, është dëmtuar Ura e Kaçes, e cila është rrëmbyer nga prurjet e zallit dhe është bërë e pakalueshme. Rreth 10 familje janë të izoluara dhe nuk komunikojnë dot me qendrën e fshatit dhe as me qendrën e njësisë administrative.

LEXO EDHE:  Nga Edison Ypi/ Qajtore

LEXO EDHE:  Nga Edison Ypi/ Qajtore

Qarku Elbasan. Si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, bashkia Elbasan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore.

Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme për shkak të kushteve të motit.

Të gjitha strukturat, qoftë të pushtetit vendor, ashtu dhe ato qendrore u bëjnë thirrje banorëve të zonave ku janë shfaqur probleme, të bëjnë kujdes dhe garantojnë se janë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo rast të nevojshëm.

LEXO TE PLOTE