LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Takimi në Romë/ Shoqatat shqiptare acarohen me ministrin Bushati

3 Qershor 2016, 10:49, Aktualitet CNA

Shoqatat e shqiptarëve në Itali janë indinjuar nga takimi i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati në Itali. Sipas reagimit të Federatës FNAI takime të tilla e largojnë qeverinë nga diaspora.

Në fjalën e tij, presidenti i federatës FNAI, Ndue Lazri, shprehet se emigrantë e përfaqësues të shoqatave të emigrantëve në Itali kishin lënë dje punën e tyre dhe kishin bërë qindra e qindra kilometra me shpenzimet e tyre për të marrë pjesë në të ashtuquajturin takim të Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati me diasporën.

Sipas tyre ky ishte një takim që nuk u mor vesh se nga kush ishte organizuar e përse ishte organizuar. ?Një takim ku nuk funksiononin mikrofonët dhe ata që e morën fjalën bënë më shumë monolog me veten se sa komunikim me sallën. Një takim i planifikuar për një orë, apo një orë e gjysmë, kohë brenda së cilës përfshihej edhe një koktej prej më shumë se 20 minuta për të bërë foto e për të dëshmuar që takimi u bë. E në kohën që mbetej, do fliste ministri, do bëheshin pyetje nga pjesëmarrësit (vetëm pyetje, mundësisht nga ato që kërkojnë përgjigje pozitive. E jo diskutime), ku do jepeshin përgjigjet e pyetjeve e pastaj do bëhej edhe promovimi i krijimtarisë së një krijueseje të ftuar. (Se çfarë ka të bëjë promovimi i një libri me takimin e ministrit me diasporën, vetëm organizuesit e dinë). Grupi përfaqësues i federatës FNAI nguli këmbë disa herë që të krijohej mundësia që presidenti i Federatës të fliste për disa probleme të emigracionit. Por u pa që presidenti mund ta kishte më të lehtë të fliste në OKB se sa në këtë takim. Ministri Bushati të gjitha pyetjet e bëra nga pjesëmarrësit i mblodhi në 4 pyetje dhe dha ca përgjigje të nxituara, pasi siç u muar vesh, po i ikte avioni. Ai kishte ardhur për një takim tjetër në Romë dhe, meqenëse i ra udha, tha me vete të bëj një udhë e dy punë, por doli dy udhë e asnjë punë. Ai e kishte njërën këmbë në takim e tjetrën në avion.?, shprehen shoqatat shqiptare

Në fjalën e Lazrit, theksohet se  ?Kulmi arriti kur krijuesja shqiptare, që do promovohej, A. Ibrahimi, mori fjalën e tha: ?Meqenëse gjuha zyrtare e këtij takimi është italiane dhe unë e kam më të lehtë të shprehem në italisht se në shqip, do të flas në italisht?. Në këtë moment, grupi përfaqësues i federatës sonë, i indinjuar thellësisht, u ngrit dhe braktisi sallën e takimit. Gjuhë zyrtare italishtja në një takim të ministrit shqiptar me emigrantë shqiptarë!!!!! Kjo shkrimtare ?e madhe? e letërsisë italiane e paskërka të vështirë të shprehet në shqip. Të vinte vetvetiu në mendje batuta e përdorur tek komedia ?Karnavalet e Korçës?: ?Eh, sa ma ngatërron kjo shqipe e uruar të shkretën vajzë?. Kishte vetëm dy ditë që grupi ynë ishte kthyer nga arbëreshët e Kalabrisë dhe kishte vënë re me kënaqësi e entuziazëm të madh, që edhe pas 500 vjetësh ata e ruanin dhe e flisnin bukur e pastër gjuhën shqipe. Kurse kjo ?krijuese? e paska vështirë të flasë shqip pas 20 vjet emigracion. Misioni i shkrimtarit është ta lëvrojë e pasurojë gjuhën e vet dhe jo ta harrojë apo fyejë publikisht atë. Federata FNAI është totalisht kundër takimeve të tilla farsë, ku duan të përdoren emigrantët e diaspora për qëllime elektorale.?

Shoqatat shqitare janë të indinjuar nga ky takim dhe dhe se do të jenë palë biseduese jo me dëgjues pasive sa për të duartrokitur. Ata kanë sqaruar hapat që do të ndërmarrin për të bashkuar diasporën shqiptare.

?Emigrantët nuk kanë nevojë për takime të tilla, por për takime ku të jenë palë biseduese e pjesëmarrës aktivë në bashkëbisedim e në zhvillimet ekonomike e politike të vendit dhe jo dëgjues pasivë sa për të duartrokitur. Na janë bërë të neveritshme duartrokitjet për bufonata elektorale. Do duartrokisnim nxehtësisht realizime konkrete, qoftë edhe të vogla, por jo premtime boshe që meritojnë vetëm fishkëllima. Zotërinj qeveritarë. Mos kini frikë nga emigrantët. Ejani në takime të organizuara nga ne, ku të bisedojmë shtruar për problemet tona e për problemet e vendit. Mësohuni edhe të dëgjoni dhe jo vetëm të flisni në ikje e sipër sikur ju ndjek kush nga prapa. Të jeni të sigurtë që virtytin e lartë të mikpritjes, si shumë virtyte të tjera të çmuara të popullit tonë, i ruajmë, do ju mirëpresim e respektojmë sepse respektojmë institucionet e shtetit tonë. Por ju, kini në radhë të parë respekt për detyrën që mbuloni e edhe për ne emigrantët, sepse jemi pjesë aktive e popullsisë shqiptare e sjellim një kontribut ekonomik jo të vogël në arkat e shtetit shqiptar. Diaspora ka filluar të aktivizohet në drejtim të bashkimit të saj. Hapi i parë u bë midis Federatës FNAI dhe federatsë së shoqatave shqiptare në Greqi. Hapi i dytë me takimin që përfaqësues të këtyre dy federatave dhe të shoqatave të tjera të diasporës nga Europa e Amerika bënë në Nju Jersey. Hapi i trete do jetë me takime të një shkalle më të gjerë në Europë. Ju njoftojmë se përfaqësues së Federatsë FNAI së afërmi do të jenë në Bruksel, ku do i shpalosin problemet e emigracionit shqiptar dhe pengesat që hasen për zgjidhjen e tyre. Ndaj ka ardhur koha që diaspora në takimet me qeveritarë shqiptarë të takohet palë e barabartë në bisedime e jo turmë duartrokitëse.”, përfundoi ai

Lajmet e fundit nga