LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndryshime në Kodin Zgjedhor/ Ilir Meta mirëpret nismën e deputetëve

3 Qershor 2016, 12:43, Aktualitet CNA

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti sot deputetët, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Agron Duka dhe Nard Ndoka, si përfaqësues të 48 partive parlamentare dhe jo-parlamentare, të cilët i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një nismë ligjore për ndryshime në kodin zgjedhor, në kuadër të reformës zgjedhore.

Deputetët i prezantuan Kryetarit të Kuvendit nismën e tyre, e cila synon harmonizimin e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë me legjislacionin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Gjatë këtij takimi u nënvizua nevoja e rishikimit të sistemit zgjedhor përmes mundësimit të votimit elektronik, listave të hapura, depolitizimit të komisioneve zgjedhore, përmirësimit të administrimit të procesit zgjedhor, shpalljes së rezultatit në ditën e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane si dhe përmes adresimit të çështjeve të tjera që i shërbejnë rritjes së cilësisë dhe transparencës së procesit zgjedhor në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit, Meta theksoi se mbështet plotësisht përshpejtimin e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, dhe për këtë qëllim i është kërkuar zyrtarisht Misionit ODIHR dhe Komisionit të Venecias që të ofrojnë kontributin e tyre për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Më tej, z. Meta theksoi se miradministrimi i procesit zgjedhor kërkon rritjen e pavarësisë, paanësisë dhe kapacitetit profesional të të gjithë trupave të administrimit zgjedhor, veçanërisht të komisioneve zgjedhore.

Në këtë drejtim, z. Meta theksoi se në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit inkurajon përpjekjet e të gjithë aktorëve politikë dhe jo-politikë për më tepër transparencë e për një administratë zgjedhore të depolitizuar, si dhe mbështet ndryshimet në kodin zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR, për t?i mundësuar të gjithë qytetarëve shqiptarë një përfaqësim të drejtë, të padeformuar e më cilësor në Kuvend, ashtu siç i ka hije një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Lajmet e fundit nga